Po del “peshku i madh”!

Përgjimet e dosjes “Habilaj”, ku përmendet emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kanë ndezur situatën politike në vend. Ajo çfarë qytetarët pane e dëgjuan në dokumentet e siguruara nga policia italiane për veprimtarinë e bandës që thotë se ka qenë e lidhur me ish-ministrin, janë vetëm një pjesë e lidhjeve mes krimit dhe politikës. Të tjera dosje flitet se do të bëhen publike në ditët në vijim për ministra dhe ish-ministra. Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi dje se të gjitha faktet që po dalin në dritë të çojnë tek kryeministri Edi Rama. Sipas tij, “Peshku i madh” është kreu i qeverisë dhe e vetmja zgjidhje është që ai të largohet. Ndërkohë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi se mes emrave që do të dalin në dosjet e tjera do të jetë i kryeministrit Edi Rama. “Unë mendoj që dosja e partnerëve ndërkombëtarë është vetëm në faqet e para të dosjes së madhe. Nuk është vetëm Saimir Tahiri, jam e bindur që janë dhe njerëz të tjerë, madje dhe vetë z. Rama do jetë i përfshirë në  të”,- u shpreh në një intervistë për “ABC Neës” kryetarja e LSI.

Kjo situatë me dosje, akuza dhe fakte të policisë italiane që përfshinë drejtues të lartë të pushtetit ka bërë që opozita të mbajë qëndrim zyrtar. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhën dje për herë të gjitha partitë opozitare. Takimi është nisja e një bashkëpunimi të ri opozitar për të krijuar një front kundër qeverisë “Rama”, me theks të veçantë reagimin kundër krimit të organizuar. Në deklaratën e përbashkët, të firmosur nga gjithë krerët e partive, kushti kryesor është; largimi i kryeministri Edi Rama, krijimi i një qeverie antimafie dhe hetim i ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. Që nga 25 qershori, ky është dokumenti dhe akti i parë serioz i opozitës kryesore PD-LSI kundër qeverisë “Rama2”. Skandali i publikuar nga përgjimet italiane ka hequr çdo dilemë për mënyrat sesi duhet reaguar ndaj opozita PD-LSI nuk ka humbur kohë duke krijuar bazat e bashkëpunimit kundër qeverisë. Mënyrat sesi do të arrihen qëllimet e opozitës së re janë të ndryshme. Por pas apeleve dhe qëndrimeve të forta politike pritet që LSI dhe PD të kalojnë dhe në protesta e tubime masive kundër qeverisë aktuale. Seria e skandaleve është vetëm në nisje dhe pritet që dosjet e tjera të kenë fakte edhe më skandaloze. Pritet, tregojnë burimet, se do dalin pasuritë e fshehura të një ministri në Qipro.

Në debatin që ka mbërthyer opinionin si dhe dyshimet për lidhje të qeverisë me krimin janë shtuar, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të ironizojë opozitën. Fill pas takimit të djeshëm të partive të opozitës, ku kërkohej dorëheqja e tij, Edi Rama ka sulmuar krerët e partive duke i cilësuar si sharëtore publike. Me mburrje kryeministri shkruan se “ne jemi ndryshe nga opozita, pasi po bëjmë shtet dhe mirëqenie”. Mes ironisë dhe justifikimeve, kryeministri risolli në vëmendje dosjet e opozitës për Gërdecin dhe rrugën Durrës-Kukës. Më shumë se kujtesë duket si një kërcënim që mazhoranca bën ndaj opozitës, duke vënë përballë dosjes “Habilaj” problemet që ka pasur qeverisja e Partisë Demokratike. Gjithë debatit për emrin e ish-ministrit Salimir Tahiri, Rama iu shmang me shprehjen se edhe në qeverinë e tij nuk ka të pagabueshëm dhe ka drurë të shtrembër. Me këtë mesazh Edi Rama duket se ka shënuar dhe ndarjen përfundimtare nga ish-ministri Saimir Tahiri.

Por me dosjen “Habilaj” nuk ka vetëm probleme ligjore, por edhe morale. Nëse ligjërisht nuk faktohet asnjë nga bisedat e anëtarëve të bandës që trafikonte drogë, moralisht shteti dhe qeveria ka marrë goditjen më të rëndë. Në bisedat e trafikantëve del se janë përfshirë thuajse gjithë institucionet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare si policia, ushtria, prokuroria. Edhe sikur Saimir Tahiri apo të tjerë të mos kenë pasur asnjë lidhje direkte me bandën kriminale, përgjimet tregojnë se shteti shqiptar prej vitesh ishte në shërbim të familjes “Habilaj”.  Vetë ekzistenca e këtij grupi kriminal dhe përdorimi që i kanë bërë gjithë strukturave të shtetit është akuza e fortë për qeverinë dhe Rilindjen e PS. Dhe kjo është një situatë që nuk justifikohet vetëm me “drurë të shtrembër”. Po sa banda të tjera janë në qarkullim apo të lidhur me zyrtarë dhe ministra të tjerë?!

Dosja “Habilaj” hapi serinë e lidhjes së krimit me politikën. E pati paralajmëruar ambsadori amerikan Lu. Opozita, e cila u referohet burimeve nga ndërkombëtarët, thotë se dosje të tjera për zyrtarë të lartë do bëhen publike. “Peshqit e mëdhenj”, për të cilët flet shpesh ambasadori amerikan, Dondal Lu duket se po dalin.

Dje doli paksa koka e “peshkut madh”. Por duket se do jetë plot hala! Nga frika e halave mundet të mos e nxjerrin, sepse do çjerrin duart e tyre, edhe një pjesë e politikës e cila ndër vite ka bërë pothuaj si ish-ministri Tahiri.

Por një “peshk të madh” do ta kemi deri në KrishtLindje!

S.P.

SHKARKO APP