Po Fatos Nano, “kandidati për President”, pse e ka frikë Reformën?
Nga Nichel Lessman.
Fatos Nano u bë i gjallë! Foli dje, uroi socialistët shqiptarë si Mao Ce Duni komunistët kinezë, dha disa porosi nga “Maja e Olimpit” dhe në fund u shkroi disa socialistëve që i bëri të qajnë me lot e dënesë të madhe para ndeshjes Itali-Belgjikë. Tekstualisht zoti Nano shkroi për socialistët, të cilët i braktisi kur humbi zgjedhjet në vitin 2005: “…Unë jetoj me ta dhe për ta!”– thotë ish-lideri socialist në letrën e tij drejtuar PS-së për 25 vjetorin e themelimit.
E kush “shkrihet” dhe “jeton për ta” ! Nuk ka më ironi kaq të madhe sa kjo që thotë Fatos Nano ! A ishte ky Nano që i braktisi socialistët qëkur u bë kryeministër për herë të dytë në vitet 2003-2005? A nuk ishte ky Nano që e “shkerdheu” pushtetin e shtetin duke e bërë shtetin më të korruptuar në Europë, bile siç thoshte asokohe ish-armiku i tij Sali Berisha në “shtetin e mafias dhe krimit të organizuar, si Kolumbi ”? A nuk i denigroi ky njeri socialistët duke ua vjedhur pushtetin dhe duke e përdorur për një grup biznesmenësh afër tij ? Dhe na del tani Fatos Nano e thotë me një paturpësi ku duhet të ulërijë edhe socialisti më i pashkollë kur ai thotë se “Unë jetoj me ta dhe për ta!”.
Për të qenë realist Fatos Nano e ndryshoi PS-në fillimet e saj, e bëri më demokratike, lejoi fraksionet. Duhet pranuar për çka bërë ai në fillimet e PS-së. Por me pas ndër vitet 2003-2005 ai e tjetërsoi PS-në, nga socialiste në lekiste për një grup titullarësh socialistë dhe biznesmenësh. E shkërmoqi. E pordhi ! Prej Fatos Nanos iku Ilir Meta që krijoi LSI. Prej tij ikën socialistët e thjeshtë të cilët votuan rikthimin e Sali Berishës në pushtet. Prej tij morën turravrapin intelektualët dhe nuk mbeti më këmbë njeriu në selinë rozë.
Nëse “Unë jetoj me ta dhe për ta!”, siç shkruan dje Fatos Nano atëhere pse ia la në dorë të Edi Ramës në atë shtator 2005, por nga buzuqet e Selanikut “ lideri i madh” Nano dallëzonte mes avujve të alkolit, kurse në Tiranë Edi Rama mori PS-në e shkallmuar. A jetonte me socialistët e thjeshtë ky lider i madh?
Fatos Nano duhet pranuar siç është e jo siç kërkon të shitet. Ka merita, siç thamë më sipër, porse koha e tij ka perenduar. Edhe kur kishte mundësi ndër vitet 2009 që të rikthehej për atë pjesë socialistësh “ku vdiste për to“, i braktisi. Erdhi nga sallonet e Vjenës dhe ku u bënë gati disa socialistë utopistë e idealistë, por Nano i përdori dhe i hodhi. Po kështu dhe në dhjetor 2011 deri në korrik 2012. I përdori dhe i pordhi.
Sa herë ka në endërr kandidimin për President Republike bëhet i gjallë Fatos Nano. Në vitin 2007 nxitoi, por ishte më këmbëshpejtë Bamir Topi. Në vitin 2012 ishte një hap larg fronit presidencial, sipas mendjes së tij, por kam qenë deshmitar personal ku Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta, sejcili për hesap të tijin tallte trapin me idenë e tij për karriken e Presidentit. Ndërsa Fatos Nano shtronte “pulëbardha” tek restoranti i tij dhe ushqeu çdo gojë me këtë zog që vinte nga brigjet e Greqisë vetëm që të kapte karriken e Kryetarit të Shtetit !
Tani që po vjen hera e tretë për postin e Presidentit të Republikës, sepse në korrik 2017 mbaron mandati i Numrit Një të Shtetit, ai pra Nano, po futet në lojë duke vënë “shishen e qumeshtit” në radhë. Por nuk ka më “qumësht pulebardhe” për të. Nuk ka as shishe. Nuk është as në listë.
Ndjehet se ka edhe një frikë. Reforma, e cila është krejtësisht amerikane dhe nën patronazh amerikan, do të fillojë me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) të hetoj çdo zyrtar të lartë që në këto 25 vite ka bërë vjedhje, gjynahe, vrasje, shpërdorim detyre, pastrim parash,etj. Mundet që Fatos Nano, duke qenë akoma në hijen e intelegjencës së dikurshme, të kërkojë të bëhet “faktor” duke patur shumë “merak” për socialistët e thjeshtë dhe me pas t’i përdor siç i ka përdorur pas vitit 2002 dhe në fund t’iu thotë “Ik, pirdhuni!”.
Pra futet në lojë gjoja për President ( ndonëse nuk e ka askush në listë) dhe i ruhet si djalli temjanit kësaj BKH.
“Unë jetoj me ta dhe për ta!”- thoshte dje Fatos Nano për socialistët e thjeshtë. Nuk ka sarkazëm me të madhe!
Fatos Nano është kaq në lojë sa ishte në lojën e janarit 2012 kur dikush e çoi të priste para derës së BBC-së për gjoja intervistë si “kandidatë potencialë për President”. Anuloi biletat e kthimit, rezervoi hotelin edhe për një natë tjetër, u vesh bukur e me papion si avokat Ngjela dhe vrapoi për atje ku i kishin thënë në telefon. Debatonte me rojen e BBC-së se “Më kanë ftuar”, ndërkohë që askush nuk e kishte ftuar.
Ky është Fatos Nano i pasvitit 2005.
Mesazhi i plotë i Fatos Nanos dje për PS-në:
Ky është një Përvjetor kuptimplotë për të vlerësuar pjekurinë e një partie të madhe politike, të madhe për nga vlerat dhe kontributet në 25 vjet demokraci pluripartiake në Shqipëri dhe në rajon.
Sot jetojmë në kohë krizash, në vend dhe në botën që na rrethon. Në krizë është dhe politika, edhe partitë tradicionale në Shqipëri. Për fat të keq edhe PS. Them për fat të keq, sepse vitaliteti i qëndrueshëm i PSSH në vitet e pluralizmit ushqehej dhe mbahej nga aftësitë dhe përvoja e fituar nga lidershipi i saj për të menaxhuar dhe kapërcyer krizat e tranzicionit (objektive apo të krijuara nga Berisha), pa rënë vetë në krizë.
Edhe në 1991, edhe në 1997, edhe në 1998-1999, edhe në kaosin e rënies së shtetit të piramidave në Shqipëri, edhe në gjëmimet e lindjes së shtetit të pavarur të Kosoves etj., PSSH bëri detyrën ndaj kombit dhe historisë pa humbur vitalitetin dhe vlerat e saj demokratike.
Sot nuk është më kështu! Krizat kanë kërrusur jo vetëm Shqipërinë dhe rajonin, por edhe vetë PS-në! Diçka thelbësore është thyer dhe nuk funksionon në organizmin e saj demokratik. Në këtë ditë të shënuar dhe kryelartë për socialistët dhe të majtën e re shqiptare në tërësi, nuk është e dobishme të stigmatizohet sëmundja e rëndë nga e cila po gulçon PS-ja dhe demokracia shqiptare. Por, është momenti i mobilizimit të gjithë aftësive, përvojave dhe brezave përfaqësues të tyre në PS, për t’u ringjallur, përpara se “rilindja” të shtrijë vdekjen mbi gjithçka të mirë të krijuar me solidaritet shembullor në 25 vite!
Unë kam besim se socialistët e vërtetë mund ta bëjnë dhe do ta bëjnë këtë “katharsis” të së majtës, jo vetëm në dobi të “gjeneratës tjetër”, por në dobi edhe të brezave të sotëm, të prindërve e të fëmijëve, të gjyshërve e të nipërve e mbesave socialiste, që e kanë mbajtur vitale dhe fituese Partinë Socialiste të Shqipërisë deri më sot. Unë jetoj me ta dhe për ta! Gezuar festën e bashkëmoshatarëve 25 vjeçarë!