Po mjekët kush i mbron?!
Një mjeke e pediatrisë, që duhet të jetë edhe nënë, që duhet të ketë edhe familje, që duhet të ketë edhe miq e farefis, është filmuar nuk dihet nga kush duke i nxjerrë një 2 mijë lekësh nga xhepi, aty ku ia kishte futur një pacient më parë. Edhe si sasi lekësh është dhuratë dhe jo rryshfet, aq më shumë korrupsion.
Por ç’ndodhi? Pa pikën e dhembshurisë, profesionalizmit dhe konfirmimit, dhjetërat portalet tona të lajmëve, e morën këtë “kapje me presh në dorë” dhe e paraqitën si “zihet me korrupsion mjekja e pediatrisë”. Më e pakta injorancë. Më e shumta qelbësirllëk. Dhe mes tyre aspak ndjenjë egoje; këtë video e kish hedhur një portal (sipas gjasave) humori.
Pas kësaj vepron si shpatë Ministria idiote e Shëndetësisë, që e pezullon mjeken, sipas lajmit të dalë prej saj. Pyetje: Kush e mbron këtë “kriminele” me bluzë të bardhë? Këtë vrasëse? Se atyre që i kanë këto përcaktime pa thonjza, u gjenden nga dy-tre avokatë në ditë? Po kësaj? Kush ia kthen dinjitetin? Kur ne që u përkasim mediave, sillemi jo si pararojë e zhvillimit dhe emancipimit (sipas librave që na kanë dhënë dikur në shkollë), por si prapavijë sulmi hijenash, atë që sulmon dikush ne e shqyejmë pa pyetur në ka faj apo jo, mjaft që të nxjerrë gjak, për të ndjellë sivëllezërit tanë.
Kur ata, zyrtarët, Ministria e Shëndetësisë, e shesin brenda pak minutash, mjeken shumë vjeçare (të paktën nga pamja nuk dukej e re) vetëm për t’u dukur në sytë “e botës” si parimorë të mëdhenj, e si luftëtarë të korrupsionit që s’i ka parë kurrë Shqipëria. Pa bërë një hetim. Pa çuar një grup ekspert. Pa pyetur njëherë veten: ore ky dy mijëlekëshi që akuzojnë këtë mjeken, rëndon më shumë se milionat e eurove që më akuzojnë mua?! Pa vijuar me pyetjet: Mos vallë kjo ishte një hakmarrje e dikujt ndaj kësaj mjekeje? Dhe me tjetrën: Mos vallë kushtet ku punojnë këta mjekë janë skandaloze dhe njerëzit nuk kanë ku shfryjnë dhe e nxjerrin tek mjekët?
Dhe këtu dalim edhe në vrima të tjera të zeza që po i provokojmë. A luftohet korrupsioni me anonimitet?! Me përjashtim se u bë me bujë, me portale të bukura, nuk duket se ka ndonjë ndryshim nga numrat e vënë prej kohësh për të denoncuar po korrupsionin. Pse? Sepse korrupsioni, ashtu siç edhe e ka pranuar dikur vetë kryeministri Rama kur nuk ishte kryeministër,është në sistem, është në limfë, është në qarkullim, është në qelizë, është në mentalitet. U deshën 100 e kusur vjet që u formësua ky mentalitet, dhe do ta zhbëjmë brenda pak kohësh?! Kush e beson, më e pakta është naiv. Këto lloj denoncimesh të korrupsionit, si me numra të gjelbër si me portale, nuk janë asgjë veçse shkelje me këmbë për punonjësit e administratës, shkelje e dinjitetit të tyre. Nga plot palaço. Që gënjejnë. Që mashtrojnë. Që duan të nxjerrin mllefe. Që duan të bëhen të njohur. Që duan t’I bëjnë qejfin dikujt. Që janë thjesht të ligj. Apo pse janë shqiptarë…
Që të rikthehemi sërish tek mjekët. Ka që ankohen. Si në çdo shtet të botës. Por sa janë ata që i kanë uruar, sepse i kanë mbajtur në jetë. Unë jam një prej tyre. Por nuk i kam mbrojtur mjekët vetëm pasi “më mbrojtën” ata mua, por përherë. Sepse kanë punuar rëndshëm. Kanë bërë punën në mjedise skandaloze. Kanë bërë punën pa mjete, pa kushte. Kanë bërë punë shkencore, pa libra, pa kompiutera. Kanë mbyllur plagë pa ilaçe. Kanë punuar kur një sistem i gjithë prej vitesh vetëm përfitonte prej tyre. Kanë bërë shkollë e studime më shumë se gjithë të tjerët, dhe paguhen…më mirë mos të flasim se të merr të qarët…Etj si këto, le të flasë kush ka qenë sëmurë dhe nuk e ka dashur mjekun pranë.
Mos ngatërroni, atë me kollare, me njeriun me stetoskop. Unë personalisht, le të më akuzojnë për çfarë të duan, do t’i jap një mjeku apo infermieri, 2 mijë, apo 5 mijë lekë. Eshtë një dhuratë, nëse unë kënaqem me shërbimin e tyre, që nuk më ndalon dot askush ta bëj. Por pyetja është dhe duhet të jetë nga të gjithë: Kush i mbron këta njerëz nga ky lloj abuzimi i përbindshëm që po u bëjmë çdo ditë?
Po mbytej mbreti dhe po kërkonte ndihmë. Dikush e shpëtoi dhe mbreti e pyeti: Çfarë do? Vetëm çerekun e atyre që po mendoje kur ishe duke u mbytur, ishte përgjigja. Kush ka mend në kokë e kupton moralin…
Edmond Arizaj