Po ndahen Mafiozët: Një ti, një unë

 

Nga Frrok Çupi.

Papritur dhe krejt  para syve tanë,  ndryshoi stina  politike. Sapo diku u shfaqen disa mafiozë, ndryshoi klima, sytë e të gjithëve u drejtuan për andej nga ata. Sidomos sytë e politikës dhe të politikanëve. Brenda pak kohe, në tryezën kryesore të politikës u vunë mafiozët me të mëdhenj që u kapën. U vunë jo për t'i ekzaminuar, por për t'i peshuar  dhe për t'i ndarë mes  tyre. Gati-gati u tha kështu: "Njëri është yti, tjetri imi".

Ose më e përafruar:

"…Ai që kapëm ne, ai me emër të gjatë sa në tingëllimë ruse aq edhe çifute, iu takon ju. Ndërsa ky që kapët ju, ky me emër italian, ky është yni".

Kështu u kuptua nga të gjithë njerëzit me arsye. Njëri  u mor në mbrojtje, tjetri  u mbrojt pa pasur nevojë të flitet.

Kjo  ndodhi këtë ditë mu para syve tanë. Politika ndryshoi boshtin e Botës. Tani ne, gjallesat njerëzore, nuk po kuptojmë  gjë për ku ishim nisur: A për zgjedhje, a për pushimet e verës, a për bukën e gojës?! Të gjithë u detyruam t'i afrohemi murit të mafias dhe ta shikojmë drejt e në sy.

Edhe ne të tjerët, poshtë qiellit të politikës, më duket do të jemi ndarë në dy krahë:

Disa me mafiozin me emër të gjatë alias ruso-hebre; disa me mafiozin me emër italian. Siç jemi ndarë në dy krahë politik, here me njërin, herë me tjetrin, andej nga shkon pushteti. Dy fuqitë politike që ndërrojnë duart e pushtetit, me sa po shikojmë, ndërrojnë edhe preferencat mafioze.

Edhe pse po flitet për inkriminimin e Kuvendit e të shtetit, secila palë mbron të inkriminuarin e vet. "Kriminelin tim nuk e dorëzoj, dorëzo tëndin", lihet për të kuptuar

Shkëmbimi i mafiozëve qënka më vështirë se shkëmbimi i robërve të Luftës

…. Kemi ardhur pikërisht në momentin paqësor kur po ndahen mafiozët: Ky imi, tjetri yti!

Jo vetëm politika, por edhe të tjerët poshtë saj.

Poshtë saj, përshembull,  jemi ne të tjerët, gazetarët, humanët e dobët,  kishat dhe xhamitë.

Ca thonë se "kush është mafioz i fortë, është edhe për vete edhe për mua!". Ca thonë "mos e përmend mafiozin se nuk e ke punën mirë". Ca mendojnë se duke iu afruara vetë mafias, përfitojnë të parët para shokëve.

Edhe kisha, edhe xhamia, edhe media, janë ndarë sipas mafies. Edhe bashkohen sipas mafias. Edhe shërbejnë sipas mafies.

A nuk e patë një program televiziv të televizionit të atij me emër italian?

Gazetari vuri përpara punën e Marinzës, zonë naftëmbajtëse në Fier. Kompania e huaj që punon aty e ka shkatërruar jetën e njeriut, naftën dhe fshatin. Gazetari iu sul kompanise Bankers, kompani australiane, me sa duket. Mirë fare. Iu sul si ndaj një përbindëshi, ndoshta më keq se sa ndaj një mafie.

Mirë bëri, padyshim.

Por dritarja nga ku shikonte mafien e naftës, ishte dritare e një televizioni të mafies, siç po thotë akuza e shtetit tani. Mafia- pronare e televizionit, për vete ka shkatërruar një fshat që quhet Kalivaç, ka shkatëruar jetën e fshatarëve, ka ndotur brigjet e Vjosës, ka fshehur nën dhê disa vlera të pashoqe të identitetit tonë kombëtar. Dy dekada ka mashtruar sikur po ndërton hidrocentral. Assgjë! Kurrë ndonjë gjë! Gazetari e kishte të ndaluar të shiksonte përtej fshatit Marinzë ku vendin e kishte shkatërruar një mafie tjetër. Veç dhjetë kilometra pas Marinzës janë shkatërruar Kalivaçi dhe Vjosa.

Njëra mafie nuk sulmon tjetrën, por i bëjnë isharete njëra tjetrës edhe përmes medias.

Pushteti, mes dy pronarësh italianë televizionesh, për shembull, njërin e zgjedh si "të tij", tjetrin ia lëshon opozitës.

Mafia e ka këtë zotësi: Ua mbyll sytë njerëzve, gazetarit, priftit dhe hoxhës. Të gjithë e bekojnë sipas besimit.

Edhe tregu që u hap për mafiozët këto ditë, ku po ndahen: "Një për mua, një për ty", është i mbuluar nga verbëria. Askush nuk shikon. Kush do që të shikojë djallin, shikon djallin. Kush do që të shikojë Zotin, shikon median. Po thonë se "mafia kur është media, nuk preket". Po atëherë, vallë duhet të shpikim mafie të re, sepse nuk ka mafie pa media. Ka media pa mafie, por nuk ka mafie pa media. Nuk ka mafia pa bekim. Nuk ka mëkat pa hyjnizim. Nuk do të kishim Shtetin Islamaik (ISIS), pa media. E si mund të jetojë terrori pa frikë?! Ashtu nuk mund të jetojë mafia pa media.

Por megjithatë mafia nuk shenjtërohet. Mafia, kur do që të jetojë gjatë, ndahet në dy krahë: Herë i përket njërit krah, herë tjetrit.

Ne, humanët poshtë politikës, veç shikojmë si ndryshon boshti i Botës.

SHKARKO APP