Po ndodh shtypja drejt Veriut
Frrok Çupi
Ndryshimi i kahjes së “stuhisë” njerëzore nuk nisi papritur, siç mund të ndodhte në një stuhi vjeshte ose pranvere. Në stuhitë stinore mund të ndodhë që menjëherë sapo pushon era nga veriu, pas pak të nisë “shiroka”, ose drejtimi nga jugu drejt veriut.
Jo, kjo e tanishmja është stuhia njerëzore që përmban ligjësi të tjera, po kaq njerëzore, por që ngjanë me stuhitë e natyrës. Kësaj here po manifetohet qartazi shtypja drejt Veriut. Aty, pas viteve 90 kur nisi Lufta për ndarjen e Jugosllavisë, analistët e quajtën “ardha Veriore drejt Jugut”. Tani është e kundërta.
Nuk i shikoni linjat kryesore, njësoj si në një përshkrim të meteorologëve tek shpjegojnë lëvizjet atmosferike në hartat digjitale të Globit. Nuk i shikoni se të gjitha valët atmosferike po shtyjnë drejt Veriut.
Dje, ngjarja më e fundit ishte thyerja e murit kufitar të Maqedonisë. Mijëra emigrantë nga Jugu, të bllokuar në kufirin Greqi-Maqedoni, u bënë së bashku dhe i dhanë fund murit maqedonas. Në ishujt e Greqisë, rret 100 mijë emigrantë janë bllokuar në pritje për të shpërthyer drejt Veriut. Autoritetet e Greqisë thuajse i ngrinë marrëdhëniet me Austrinë, një shtet verior, shtet që “nuk konsideroi” sa duhet dhimbjen e Greqisë nën barrën e emigrantëve që vijnë nga Jugu. Austria nuk ka armiqësi me Greqinë, sigurisht, por ka frikën e vetvetes të pushtimit prej emigrantëve. Domethënë, Veriu prej kohëh po ndjen frikën e shtypjes që vjen nga Jugu. Frika se kufiri mes Serbisë e Hungarisë mund të pësojë fatin maqeonas, bëhet më prezente. Frika se shteti i fuqishëm gjerman mund të bëhet prè e pritjes së më shumë se një milionë e gjysmë emigrantësh, po duket në horizontin e rënies së kredencialeve të zonjës Merkel. Frika se “shtypja nga Jugu drejt Veriut” mund ta nxjerrë Anglinë jashtë Bashkimit Europian, dhe, pas kësaj katastrofa ekonomike thellohet…. është po kaq prezente.
Është stuhia e shtypjes drejt Veriut.
Jugu në këtë rast është Siria dhe rreziqet që i vijnë botës veriore prej saj. Domethënë prej stuhisë njerëzore që quhen emigrantë. Por jo veç prej kësaj. Edhe prej rrezikut të luftës, edhe prej konfliktit që mund të gjenerojë mes shteteve anëtare të NATO- s, (si Turqia) dhe shteteve armike të NATO-s (siç është Rusia).
Ky është koncepti “Jug e Veri”, edhe për ne shqiptarët, një koncept gjeopolitik më shumë se sa veç koncepti i politikës së brendshme.
Politika jonë e brendshme ka një nuancë shtesë në shtypjen drejt Veriut. Politika qeveritare shqiptare, shtypjen e përbotshme drejt Veriut po e konsideron një “fat të mirë” për vete, ose një rast kur “po bie shiu në bereqet”. Më duket se, pas politikës ruse që po konsideron fat politik konfliktin në Siri, e dyta që e konsideron favor shtypjen drejt Veriut, është qeveria shqiptare. Ose sipas një kënge folklorike të kënduar gjatë periudhës së komunizmit, qeveria shqiptare po përjeton “dy gëzime në një ditë”.
Shikoni çfarë po përjeton politika e qeverisë:
E para,
Sipas të dhënave, pritet që në territorin shqiptar të hyjnë të paktën 10 mijë emigrantë nga Siria ose nga Afrika e Veriut, që tentojnë të shkojnë në Veri, dmth., Gjermani, Hollandë, Angli, Danimarkë e ku ta dishë. Për një kohë të pacaktuar, këta dhjetë mijë njerëz të uritur e të rrezikuar do të qëndrojnë këtu. Shpesh është thënë se këta do të jenë, jo dhjetë, por njëzet mijë emigrantë. Më e çuditshme është se qeveria e mban situatën dramatike si një shans për vete. Kryeministri kur pyetet mohon, por ministri më i rëndësishëm i lidhjeve me Veriun (Europë) pohon shifrën 10 mijë që pritet të vijnë këtu. “Sekreti” mbahet sekret me qëllim që të përdoret politikisht. Asnjë qeveri në botë nuk e mban sekret një akt si ky që është akt kulmor për fatet e kombit.
E dyta,
Ardhja e mijërave nga Jugu, dmth nga Greqia, nga Siria, nga Libia, nga Algjeria, nuk do të thotë se nuk do të afektojë situatën në jug të Shqipërisë. Sigurisht që do të ndodhë. Por pas pak ditësh presioni do të ushtrohet drejt Veriut. Andej do të shtyjnë mijërat dhe atje do të bllokohen, o në Shkodër, o në Lezhë, o në Kukës… Dhe pastaj do të ndjejë presion Veriu, dmth., veriu i Shqipërisë dhe Europa që nga brigjet e veta Mal i Zi, Serbi, Itali…
E treta,
Qeveria shqiptare, siç edhe është pranuar në sallën e Kuvendit, në kuvendime publike më të vogla, në media, në survey, në hapësirë njerëzore reale,etj., po funksionon që edhe përbrenda vendit të nxisë ikjen e njerëzve nga vendi. Domethënë qeveria po imponon shtypjen e njerëzve në një radhë gjigande për të lënë vendin. Deri tani janë larguar më shumë se gjysmë milioni, por qeveria po shtyp me mjete politike dhe ekonomike që të ikin sa më shumë njerëz. Në përfytyrimin e kryeministrit (siç ai është shprehur), këto radhë njerëzore kanë hyrë “si dele”. Domethënë si “dele në shtrungë ose në kullosë”, ku shtyhen e shtypen me njëra -tjetrën. Qeveria është e gëzuar, sepse po shtyhen më të rinjtë, njerëzit me vitalë, ata që kërkojnë një jetë më të mirë, ata që mund t’i krijojnë probleme qeverisë. Dhe këta përqëndrohen në Veri e shtyhen për të ikur jashtë vendit. Jo veç pse këndej nga Veriu janë kufijtë drejt vendeve të Europës, por edhe për disa arsye të tjera.
E katërta, fillon nga arsye ” të tjera”.
Veriu i Shqipërisë është treva gjeografike dhe vendbanimi njerëzor më i urryeshëm prej fitimtarëve komunistë shqiptarë. Këta që qeverisin janë ata që sunduan për 40 vjet e 171 ditët e diktaturës komuniste. Domethënë se janë në të njejtën vijë ideologjike dhe biologjike. Këta e urrejnë njeriun verior. E urrejnë sepse njeriu verior ishte kundër mortajës komuniste. E urrejnë sepse aty ishte një pjesë e rëndësishme e filozofisë kombëtare. E urrejnë sepse jezuitët katolik mbanin mëkatin e pranisë së Zotit që këta deshën ta zëvendësojnë.
Për këtë arsye këta as investojnë në Veri dhe as e duan njeriun atje. Për këtë arsye këta e kanë për lumturi që u erdhi në shteg rasti që ta shtypin Veriun.
Kjo po ndodh.