Po ra Ilir Meta,rrëzohet Rama
Ka ditë që opozita po luan bukur, duke përdorur një material të nxjerrë nga avokatët e Qeverisë Rama në çështjen e CEZ me kompaninë DIA. Po mundohen të gjithë; PD-ja, një pjesë e vetë PS-së e pakënaqur me Edi Ramën, por që nuk bëzajnë nga frikë e kryeministrit , partitë aleate të socialistëve që me rënien e LSI të mundohen të kapin ndonjë “kockë” që bie në sofrën e qeverisë. Të gjithë po synojnë të godasin Ilir Metën, me fakte e pa fakte, me gurë e me sëpata në mënyrë që nëse bie kryeparlamentari të marrin çfarë tju bjerë në dorë. Nxjerrin çdokënd apo biznesmen që ka kaluar edhe pranë rrugicës së LSI në punën e tij, që të hedhin dyshime e akuza. Selia blu është hedhur në sulm total që ta rrëzojë Edi Ramën pa patur nevojën e protestave , të cilat kanë kosto financiare e njërëzore, duke synuar me çdo kusht që të bëjë Ilir Metën të dorëzohet e në fund ta akuzojë, e më pas krejt opozita të rrafshojë qeverinë. Edhe një pjesë e medias që luan për opozitën apo qarqeve të ndryshme financiare që duan ta largojnë Edi Ramën nuk po merren direkt me kryeministrin. Po godasin fort Ilir Metën dhe ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. Po ra Meta e dijnë mirë se rrëzohet edhe Rama. Po ra Tahiri bie motoja dhe kredoja e PS-së për ministrin më të sukseshëm dhe i heqin një gur të fortë ndërtesës së qeverisë.
Një fakt duket paksa interesant ku vetë Rama nuk ka dalë hapur e në mbrojtje të Metës, siç bënte para një viti. Çka ndodhur? A thua kryeministri mendon se mund të bëjë qeveri edhe pa LSI, nëse goditet Ilir Meta? Apo mendon të rrijë duke parë se si sulmohet kreu i parlamentit me idenë utopike se racioni i LSI në vota mund ti shkojë në koshin e tij të PS-së? Apo ka hamëndje se duke hedhur Metën në oborrin e PD-së mund të qetësojë gjakrat e urinë për pushtet të demokratëve, të paktën deri me 2017?
Asnjëri variant nuk do ti dali Ramës nëse nuk del hapur në mbrojtje të Metës, siç doli për Saimir Tahirin. Përfundimi i këtij pazari , nëse është në thelb pazar, është se rënia e Ramës do të jetë katastrofike , nëqoftëse lëshon Metën duke ua lenë si tabelë qitje Bashës e Berishës.
Më e mira e gjithë kësaj loje politike që ka vënë në goditje Ilir Metën do të ishte që përveç drejtësisë, e cila heton e penalizon kushdo qoftë, politikisht kryeminitri Rama ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke u futur veçmas pa LSI dhe të shikohet me pas mbështetja elektorale për PS, PD e LSI. Në këtë rast edhe pastron faktikisht parlamentin nga deputetët e inkriminuar,sapo të miratojë ligjin për dekriminalizimin, bile e kalon ligjin me çfarë të kërkojë opozita në projektligjin që po përgatitet.
Të shkosh në zgjedhje parlamentare të parakoshme i bën mirë PS-së dhe gjithë partive. Mbi të gjitha shqiptarëve, të cilët shikojnë se sa peshë ka sejcila nga tre partitë kryesore e më pas le ta marrë kush të dojë pushtetin, sepse edhe PD-ja është reformuar disi në këto dy vite.
Pazaret e disa deputetëve të PS-së këto ditë që po bëhen në tavolinat e hoteleve kryesore në Tiranë se “ po ra LSI marrim këto drejtori në X apo Z vend” është një mungesë e plotë përgjegjsie politike dhe tregon se e kanë mendjen tek përfitimi e jo tek qeverisja e cila të jetë më e mirë për njërëzit.
Harrojnë se LSI është një forcë e madhe politike e cila në këto zgjedhje vendore mori 270 mijë vota duke qenë në shumicën e bashkive parti e dytë, diku e parë dhe në shumicën e bashkive parti e tretë. A thua marrëveshja e fshehtë mes PD e PS është që votat e LSI-së ti copëtojnë mes tyre duke masakruar LSI dhe Metën? Por kurrë nuk i dihet reagimit të Metës që mori një parti me pesë veta dhe e ka sot faktor qeveribërës siç e kishte edhe me Berishën 2009-2013. Të mos harrojmë se kur ka ikur Meta ka rënë Nano në vitin 2005. Kur u largua ai në vitin 2013 nga PD ra Berisha. Po tani ?
Një gjë është e sigurtë që nëse Rama mendon ta hedh LSI-në duke i goditur liderin e saj me grushtat e PD-së atëhere rrëzimi i kryeministrit të PS-së është i pandalshëm nga askush. Nuk ka Shpetim Idrizi që e ndalon rënien e liderit të PS-së si në një rënie të lirë në humnerë!
Po Ilir Meta pse nuk po flet? Po rri të shikojë deri ku ka vajtur pazari PS-PD apo pret që të turret Rama drejt vënies së kokës së tij tek hanxhari e më pas të sulmojë egër, duke hedhur në pus vetë Ramën e të krijojë qeveri teknike me PD-në?
Të gjitha janë në lojë përderisa Edi Rama nuk po e mbështet hapur Ilir Metën, si dikur. Buka duket se është thyer !