Policia arreston grupin kriminal më të rrezikshëm

Nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, policia shqiptare arriti të bëjë gjithë koordinimin e operacionit, si  dhe të kryejë arrestimet kryesore. Safet Rustemi, personi që cilësohet si drejtues i grupit kriminal i kishte shpëtuar drejtësisë shqiptare prej shumë vitesh. Falë punës së policisë, Safet Rustemi (Bajri) u arrestua mesnatën e së shtunës në një operacion të jashtëzakonshëm të forcave speciale.

Policia e Shtetit ka arritur të godasë një nga grupimet më të rrezikshme kriminale që vepronte në Shqipëri dhe në disa vende të Europës. Dy ditët e fundit, një aksion i madh i Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu, vuri në pranga 11 persona të njohur si pjesë e grupit kriminal “Braji”. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Shërbimin Informativ Kombëtar, si dhe policitë e disa vendeve të BE, Policia Shqipëria ka arritur një nga sukseset më të mëdha të kohëve të fundit. Grupi “Braji” është i njohur për aktivitetin kriminal në qytetin e Shkodrës, sidomos gjatë muajve të fundit. Personat e arrestuar akuzohen për të paktën 10 vepra kriminale. Akuzat ndaj tyre nisin që nga veprat më të rënda si vrasje, plagosje, trafik droge, pastrim parash, gjobvënie, fshehje krimi dhe deri në organizimin e llotarive të palejuara.

Operacioni i drejtuar nga Policia e Shtetit dhe nga drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e kësaj bande të rrezikshme ka zgjatur me shumë se 6 muaj. Pjesë e operacionit kanë qenë dhe agjentë të SHISH si dhe oficerët e kontaktit në policinë e disa vendeve të BE, kryesisht në Hollandë. Ndërkohë që informacioni për arrestimin e tyre është shkëmbyer dhe me policinë e Gjermanisë, Kroacisë dhe Polonisë. Nga detajet e operacionit mësohet se për mbledhjen e provave që sollën arrestimin e pjesëtarëve të grupit kriminal janë kryer dhjetëra orë përgjime, janë marrë mijëra faqe informacion nga partnerët, si dhe janë kryer kontrolle nga ajri me dron në banesat dhe bizneset e personave të arrestuar.

Aktiviteti i këtij grupi kriminal ka nisur që para vitit 2001 dhe policia ka arritur të sigurojë prova për disa vrasje që kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës gjatë vitit 2001, 2002 e më pas ndër vite. Ndërkohë gjatë kohës që grupi ishte nën hetim, gjashtë muajt e fundit, policia ka arritur të faktojë disa raste gjobëveniesh dhe kërcënimesh. Pjesë e hetimeve ndaj këtij grupi kriminal janë dhe vrasjet e muajve të fundit në Shkodër. Në dy muajt e fundit në Shkodër kanë ndodhur gjashtë vrasje. Gjithashtu janë sekuestruar dhe disa prej pronave të anëtarëve të kësaj bande. Policia ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga ky aktivitet kriminal. Aksioni djeshëm i Policisë cilësohet si një nga më të suksesshmit. Jehona e arrestimeve ka arritur deri në Belgjikë. Safet Rustemi, një prej të arrestuarve nga policia shqiptare ka një histori kriminale dhe dënime në Belgjikë, por që ishte liruar për tu ekstraduar. Për policinë belge ai ishte në listën e emrave më të kërkuar. Një prej gazetareve kryesore belge shkruante dje se “Safet Rustemi, i cili u shfaq verën e kaluar në listën e individëve më të kërkuar nga policia federale u arrestua në Tiranë, kryeqytetin shqiptar. Rustemi do të bënte 22 vjet burg në Belgjikë, por Zyra e të Huajve e kishte dëbuar atë. Safet Rustemi konsiderohet nga autoritetet si një nga kriminelët më të rrezikshëm në Evropë. Familja e tij ka kryer disa vrasje në Shqipëri”. Aksioni i policisë shqiptare u vlerësua dje nga ambasadori i ri i BE në Tiranë, Luigi Soreca si një shenjë e fortë e luftës ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Në këtë operacion ku kanë bashkëpunuar disa agjenci vendase dhe të huaja, pesha kryesore dhe merita i takon Policisë Shqiptare. Nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, policia shqiptare arriti të bëjë gjithë koordinimin e operacionit, si të kryejë arrestimet kryesore. Safet Rustemi, personi që cilësohet dhe si drejtues i grupit kriminal i kishte shpëtuar drejtësisë shqiptare prej shumë vitesh, ndërsa së fundi arriti të mos ndëshkohej dhe nga drejtësia e një vendi të BE. Falë punës së policisë, Safet Rustemi (Bajri) u arrestua mesnatën e së shtunës në Tiranë në një operacion të jashtëzakonshëm të forcave speciale.

Por veç operacioneve në terren, aksioni i djeshëm i policisë ka edhe një tjetër vlerësim për policinë. Gjatë viteve të fundit, kryesisht nga vende si Holanda dhe Belgjika ka pasur me shumë kritika për krimin e organizuar në Shqipëri. Policia shqiptare dhe drejtuesit e saj, me këtë operacion treguan se jo vetëm kanë aftësinë që të godasin krimin, por edhe të jenë në krye të operacioneve të përbashkëta. Për goditjen e bandës me 11 anëtarë të arrestuar dhe disa të shpallur në kërkim, koordinimi i operacionit mes Shqipërisë, Holandës, Gjermanisë, Kroacisë dhe Polonisë u bë në Tiranë dhe nga specialistët më të mirë të policisë. Ky aksion tregon se krye të policisë së shtetit ka jo vetëm specialistë të aftë profesionalisht, por edhe institucione të besueshme për gjithë partnerët në BE.

Aktiviteti i kësaj bandë të rrezikshme rezulton se ekzistonte prej 20 vitesh. Një fakt i tillë të çon detyrimisht në përfundimin se jetëgjatësia e një organizate të tillë kriminale është dhe shkak të lidhjeve të saj me politikën. Pas arrestimeve mes opozitës dhe mazhorancës nisën dhe akuzat duke treguar me gisht kundërshtarin si bashkëpunëtorë apo të njohur të të arrestuarve. Është një seri akuzash të rënda për të cilat fjalën mund t’a thotë vetëm sistemi gjyqësor. Ndërkohë Policia e Shtetit dje u dha një leksion të gjitha palëve politike duke mos u bërë pjesë e akuzave, por duke dhënë rezultate konkrete. Dhe rezultati më i mirë është arrestimi i grupit kriminal.

Qamil Xhani

SHKARKO APP