Politikë me gjobat
Pas pesë vitesh, qeveria aktuale ka vendosur t’u heqë faturat afrofe dhe gjobat e marra në mënyrë abuzive 54 mijë abonentëve në gjithë vendin. Pavarësisht se Enti Rregullator i Energjisë e ka miratuar këtë vendim në vitin 2010, qeveria e kaluar nuk e ka vënë asnjëherë në zbatim, duke penalizuar qytetarët, një pjesë e vogël e të cilëve mund t’i kenë paguar këto gjoba. Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Adrian Çela sqaroi dje se cilat kategori përfitonin nga kjo falje e detyrimeve të padrejta që u ishin vendosur konsumatorëve. Rreth 54 mijë abonentëtë rezultojnë si debitorë, por realisht ata kanë qenë të gjobitur nga “CEZ Shpërndarje” për “dëm ekonomik” dhe “energji e pamatur”. Këto gjoba shtrihen nga tetori i vitit 2008, deri në prill 2011 dhe kanë një vlerë prej 4.1 miliardë lekësh. “Ky model faturimi është rrëzuar poshtë nga ERE-ja në nëntor 2010, duke i kërkuar Operatorit të Shpërndarjes të marrë masat. Fatkeqësisht, ndonëse vendimi për të vënë drejtësi për të gjithë këta konsumatorë është marrë 5 vjet më parë, deri më sot nuk ishte ndërmarrë asnjë hap për t'u dhënë abonentëve të drejtën që u takon me ligj. Sot, OSHEE po bën drejtësi”, – tha dje kreu i OSHEE-së, Çela. Ai saktësoi gjithashtu se ky vendim vlen për faturat që i përkasin viteve 2008-2011, ndërsa për pjesën tjetër të gjobave apo vendimeve të institucioneve të energjisë nuk do të ketë tolerime.
Edhe pse një vendim i vonuar, faljen e detyrimeve Partia Demokratike nuk ia ka falur mazhorancës. Drejtuesit kryesorë të PD-së, kryetari Lulzim Basha dhe kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka, në reagime të njëpasnjëshme e kanë cilësuar këtë jo si vendim të qeverisë “Rama”, por si një të drejtë që qytetarëve ua ka dhënë qeverisja e Partisë Demokratike. Sipas Bashës, faturat janë falur që nga qeverisja e kaluar, por nuk ishin hequr nga sistemi. Interesant është fakti se kur bëhet fjalë për aksione të diskutueshme siç është ai i penaliteteve për ata që nuk paguajnë energjinë, PD-ja nxiton të sulmojë mazhorancën. Ndërsa kur flitet për falje gjobash dhe heqjen e detyrimeve ndaj qytetarëve, opozita vihet në radhë për të marrë meritat.
Fakti është se 41 miliardë lekë gjoba ndaj qytetarëve janë vendosur në mënyrë arbitrare nga “CEZ Shpërndarje” gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Sali Berisha. Për këtë qëllim, ERE-ja ka gjobitur CEZ-in dhe ka kërkuar anulimin e këtyre vendimeve. Por shitja e kompanisë tek çekët dhe me konfliktet e hapura që pati mes këtij institucioni dhe qeverisë së asaj kohe, bëri që ky vendim të harrohej. Ndaj qeveria e kaluar ia njohu “CEZ”-it këto gjoba si detyrim të pambledhur duke i lënë faturat në sistem, por në fakt pazarin “Qeveri-CEZ” e paguan qytetarët. Një pjesë e vogël e 54 mijë abonentenëve u penalizuan nga “CEZ”-i, pikërisht për këto gjoba që ishin të kundraligjshme. Ndërsa “CEZ” nuk zbatonte vendimin, qytetarët njiheshin si debitorë dhe u ndërpritej energjia për shkelje që jo vetëm nuk i kishin bërë, por edhe vetë kompania e cila u kërkonte paratë ishte gjobitur për këto gjoba. Në këtë situatë absurde në të cilën la 54 mijë abonentë, Partia Demokratike po kërkon të marrë sot meritat e një vendimi që ka dhënë pesë vite më parë, por që realisht nuk e ka zbatuar kurrë. Por meqë fjala “falje faturash” ngjit me shumë se çdo program apo qëndrim tjetër politik, opozita ka vendosur që nga e djathtë të kalojë në ekstremin e majtë, duke kërkuar amnistinë e çdo detyrimi apo gjobe që kanë marrë qytetarët nga OSHEE-ja. Kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka kërkoi dje faljen e çdo fature për të cilën qytetarët kanë pasur ankesa mbifaturimi, faljen e kamatëvonesave dhe mosndërprejren e energjisë për qytetarët që s’kanë paguar. Nëse nuk plotësohen këto kërkesa, PD-ja do të zhvillojë protesta. Pra, nga falja e disa faturave që janë vënë gabimisht, PD-ja kalon në ekstremin tjetër për faljen e çdo detyrimi që kanë qytetarët ndaj shtetit për energjinë. Amnistia është e nevojshme në situata të veçanta, por kur ajo kthehet në qëllim në vetvete, bën të kundërtën, pasi u lë qytetarëve të kuptojnë se nuk ka rëndësi të paguash faturat, sepse një ditë ato do të falen. Në fakt kjo është strategjia që ndoqi vetë PD-ja në pushtet për disa zona, duke u premtuar falje të faturave dhe të taksave në çdo fushatë elektorale. Rezultati i këtij qëndrimi dihet se çfarë solli, numri i atyre që s’paguanin ishte gati më i madh se ata që paguanin. Amnistia ndonjëherë është një proces i nevojshëm dhe tregon fytyrën sociale të shtetit përballë qytetarëve të vet. Por ku amnistia kthehet në qëllim në vetvete për vota nga politika, bën të kundërtën e asaj që pritet, qytetarët nuk e marrin seriozisht shtetin.
Qamil Xhani