Politikë rrumpallhane !
E enjtja është dita e sherreve në Parlament, por sherret e djeshme nuk ishin të zakonshme. Si rrallë herë deputetët e Parlamentit u bënë dëshmitarë të një ngjarje të paprecedentë. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, i zgjedhur nga Partia Socialiste, Elvis Roshi ka kërcënuar deputetin e Partisë Socialiste, Ben Blushi. Rasti flagrant u denoncua nga vetë Ben Blushi në sallën e Kuvendit. Një mesazh ordiner dhe kërcënues nga një zyrtar i zgjedhur i shtetit kundër një deputeti është ndër rast me të rënda në Kuvend. Në Kuvend dikur janë nxjerr dhe pistoletat, por mesazhe me stil të tillë deri më sot nuk ka patur. Ben Blushi dje denoncoi një krim, një kërcënim që vjen nga një kryebashkiak me të kaluar të dyshimtë sipas opozitës.
Reagimi i parë që duhet të bënte mazhoranca ishte dënimi i aktit, distancimi nga kryebashkiaku, pse jo dhe marrjen e masave ligjore ndaj kryebashkiakut që kërcënon. Asnjëra prej tyre nuk ndodhi në seancë. Nga gjithë deputetët e majtë, kolegë të Ben Blushit, nuk pati asnjë deklaratë publike. Nuk pati asnjë zë, qoftë sa për sy e faqe, të denonconin dhunën verbale dhe kërcënimin. Jo vetëm nuk e dënuan aktin, por jashtë kamera një pjesë e tyre sulmuan Blushi se përse duhej publikuar mesazhi! Kjo i bën bashkëfajtor me atë që ka kryer kërcënimin. Natyrisht që Blushi e shfrytëzoi mjeshtërisht mosreagimin e kolegëve të PS-së.
Heshtja më e rëndë është ajo e kryeministri Edi Rama. Elvis Roshi është njeriu që në politikë hyri me mbështetjen e Ramës. Sa herë që opozita ka denoncuar të kaluarën e pazbardhur të Roshit, Rama i ka dalë në krah dhe ka bërë humor me akuzat ndaj tij. Ndaj heshtja e Kryeministrit ishte e pafalshme. Dje ishte dita të tregonte se pavarësisht afërsisë që ka me të zgjedhurit prej tij, kur zullumet arrijnë kulmin nuk mund të hesht. Njëlloj si me rastin e Elbasanit, ku njerëzit e Qazim Sjedinit kërcënuan Blushin, edhe dje Rama me mosreagimin e tij e mori në mbrojtje Elvis Roshin. Shkukri Xhelili, një tjetër kryebashkiak i PS u shkarkua për 24 orë për një afër seksuale. Po për Roshin që ka kërcënuar publikisht një deputet a nuk duhet të merrte të njëjtën masë Qeveria, duke treguar se nuk mbështet asnjë individ që sillet me stil mafioz? Ishte rasti që Rama të bënte edhe një falje ndaj Blushit dhe fitonte pikë nëse kërkontë urgjent të sqarohej kërcënimi. Pra si në rastin e Elbasanit , edhe këtë herë, kryeministri nuk doli mbi inatin e tij ndaj Blushit dhe të fitonte pikë duke u treguar i rreptë ndaj kërcënuesve të deputetit kundërshtar. Shans që e kapi Ben Blushi dhe e ktheu në trofe.
Ben Blushi është kundërshtar i hapur i Ramës. Po kjo nuk i jep të drejtë Kryeministrit që për hir të qëndrimeve të Blushit të kalojë sikur nuk ka ndodhur një ngjarje serioze. Kjo lloj sjellje ku i vetmi koment nga PS dhe Rama ishte krahasimi i Ben Blushit me Berishën nuk i bën nder së majtës. Madje, një qëndrim i tillë duket se është garanci për të tjerët, se kush sulmon dhe kërcënon Blushin ka mbështetjen e PS dhe Qeverisë. Dhe ky i Kavajës nuk është nga rastet kur flitet për dyshime. Pak orë më pas denoncimit në Kuvend, Elvis Roshi pati kurajën të pranonte se i kishte nisur mesazh kërcënues Ben Blushit. Kryebashkiaku doli më i fituar, ndonëse kishte bërë gabim me sms kërcënuese, ndërsa kryeministri e humbi. Edi Rama nuk është nga ata që e humbet kollaj toruan. Por dje bëri gabim, bile autogol.
Ngjarja me Blushin nuk ishte dje e vetmja skenë e sjelljes rrumpallë të politikës. Kryeministri Edi Rama dhe deputetët PS-së nuk gjetën kohë të flisnin për kërcënimin, por në fjalimet e tyre patën zbrazën gjithë mërinë që kanë më PD kundër Presidentit të Republikës. Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një si një “Kryetar komplementar” të PD. Ministri Tahiri gati sa nuk kërkoi shkarkimin e tij për çështjen e përgjimeve. Ndërsa deputetët e tjerë e cilësuan si një zëdhënës të PD-së. Ky sulm i orkestruar bëri që dje kreu i shtetit të reagoi me një nga deklaruarat më të ashpra të karrierës së tij në Presidencë.
“Institucioni i Presidentit të Republikës është i indinjuar nga sjellja e paprecedent e Kryeministrit aktual në Parlament “Sjellje kaq ordinere nuk ka ndodhur kurrë më parë në sallën e Parlamentit shqiptar. Të fyesh Kryetarin e Shtetit duke shfrytëzuar një vend ku Presidenti nuk është prezent është paburrëri e pashembullt”,- deklaroi dje Presidenti. Një reagim i ashpër që i drejtohej Ramës, por edhe të tjerëve që e kanë kthyer në tabelë qitje presidencën gjatë muajve të fundit. Presidenti mund të ketë gabime në qëndrimet që ka mbajtur gjatë muajve të fundit, por nuk është ai personi që po bllokon mazhorancën. Problemi i mazhorancës është vetë mazhoranca, që në pak ditë nuk po arrin të menaxhojë skandalet, që nisin me trafikun e drogës, përgjimet, skandalet seksuale dhe së fundi edhe me skandalin e kërcënimit të një deputeti nga një kryetar bashkie.
Edi Rama ka nevojë të mos humbasë toruan në raport me Blushin, sidomos, ndonëse ata nuk bëhen më miq. Kurrë, duke ditur planet e Blushit duke filluar nga muajit shtator i këtij viti.
Më pas do jenë përballë në fushatë, bile më egër se sa dje në parlament.
Dje kryeministri pati rastin, që ia solli jo me dashje Blushi, që të dilte e tregohej lider e jo thjesht kryeministër. E humbi rastin që ta mposhte Blushin me drejtësinë e ligjit dhe me dashamirësinë e një politikani që është mbi të gjitha njeri.
Ndërsa Ben Blushi e shfrytëzoi bukur ç’orientimin e ish-mikut të tij Rama. Sulmoi si në ring.