Portaleve fyese, sanksione ligjore

 

Jetojmë në një epokë digjitale dhe ku mediat tradicionale e kanë humbur rolin e tyre parësor në lajme e komente. Tashmë me teknologjinë e kohës sejcili mund të bëjë gazetën e tij. Nga shpia apo lokali, mjafton një laptop apo nga celulari, dhe ke online gazeta me shumicë. Portale pa numërim. Natyrisht që është një gjë e mirë që njërëzit kanë mundësi të shumta, bile të pambarimta komunikimi, informacioni,etj. Eshtë krijuar sot një mënyrë portali fyese, denigrues, masakrues që e shkatërron komunikimin, informacionin. Jemi deshmitar se si portale të shumta në emër gjoja të “lirisë se të shkruarit e mendimit populist” fusin poshtë shkrimeve apo informacioneve komente të pista. Kjo lloj gazetarie është e dënueshme. Bile ligjvënësi e ka vonuar vendosjen e sanksioneve. Mjafton që kushdo të marrë celularin apo laptopin dhe të shkruaj tek “komentet” apo gjoja “mendime te lexuesve” fjalë fyese të ndyra, sajime, mashtrime, poshtërsira,etj. Një mënyrë shumë e poshtër. Dhe justifikimi kur pyet pronarët e portaleve është absurd se “shkrimi është korrekt, por se ç’shkruan “populli” nuk përgjigjem”! Si mundet të sajosh, fyesh apo gjithfarë ndyrësirash dhe te mos përgjigjet pronari i portalit?! Nuk mundet të ecet më me këto mënyra denigrimi e ndyrësirash online. Duhet, bile është vonuar ligjvënësi në miratimin e ligjit në fjalë. Në lidhje me portalet pa etikë duhet bërë një pyetje: A keni guxuar apo guxoni dot të botoni në gazeta print shkrime, komente apo fjalë fyese, mashtrime, shpifje,etj? Jo, pasi dënohesh nga gjykata mënjëherë. Kështu duhet të jetë edhe për portalet. Siç të detyron ligji për mediat e shkruara që të botosh emrin apo emrat e botuesve, adresën, emrin e administratorit në QKR,etj dhe mban përgjegjsi para ligjit për gjithçka boton në gazetë apo që transmeton në radiotelevizion. Edhe portalet duhet të kenë të njëjtën përgjegjsi. Po kështu portalet janë kthyera në magazina të mëdha ku vjedh shkrimin e tjetrit, nuk i merr leje për shkrimin, intërvistën,etj por e kopjon dhe kur e gjen shkrimin në 100 portale njëherësh! Sejcili të jetojë me punën e profesionin e tij korrekt e jo të vjedhë, ku “portali-magazinë” e ka mbushur me shkrimet e 100 portaleve! Si një market! Të fjala vjen si në Kosovë edhe në këtë drejtim, për 12 orë kur e ke botuar një shkrim apo gjithçka tjetër që ka vulën e portalit tënd nuk mund ta kopjojë asnjeri. Pas 12 orësh mund ta botosh por duke e cituar nga e ke marrë.

Ligji për mediat online rikthehet sërish në vemendje të Qeverisë. Dhe kjo shpjegon deklaratën e fortë të Kryeministrit Edi Rama të dielën se “së shpejti portalistëve dhe analistëve do ju vijë fundi…”.

Dy ditë pas deklaratës së Ramës, media mësoi se ky ligj është dërguar për konsulencë në disa ministri. Këtë e pohon edhe ministrja Milena Harito e cila në një intervistë për TCH tha se “qeveria do ta çojë ligjin në Kuvend brenda Janarit”.

“Nuk është se kemi ndonjë afat dhe nuk është se ka dhe ndonjë urgjencë për këtë, në këtë çështje sepse siç e thashë dhe një herë ligji ekziston, pra janë thjesht teknikalitete që po përmirësohen, por do të ndjeki procedurën e vet, nuk besoj se ja arrijmë këtë sesion, por besoj pas janarit do të jetë në Parlament”, thotë ministrja Harito.

Ndryshimet në ligjin për tregtinë elektronike, fillimisht u propozuan në mars të këtij viti. Por pas akuzave nga mediat online se drafti cenon lirinë e shprehjes qeveria nuk avancoi atë në Parlament.

“Ka qenë një proces konsultimi që zgjati më tepër seç duhej sepse pati një ndjeshmëri të shtuar dhe pati nevojë që të shpjegohej më gjerë. Një nga elementët pozitivë të konsultimit që ne bëmë është që portalet kuptuan që ishin pjesë e ligjit aktual dhe nuk e dinin këtë gjë sepse ligji i 2009-ës ka patur shumë më pak portale dhe shumë më pak aktive”, deklaron ministrja e Inovacionit.

Ligji është duke u konsultuar me të gjithë ministritë dhe do të vazhdojë procedurën normale”, u shpreh ajo. Por cilat janë përmirësimet që sipas Haritos i janë bërë draftit që u paraqit në mars? “Për t’ju dhënë një shembull ligji ekzistues thotë se nëse ka komente të padëshiruara online drejtuesit e portaleve janë të detyruar t’i tërheqin menjëherë. Menjeherë është një gjë e papërcaktuar kështu që ne kemi vendosur një orar 72 orë sipas direktivës së BE dhe të tjera përmirësime, saktësime si këto”, thotë ajo.

Dhe këtu ka të drejtë qeveria. Sejcili të mbajë përgjegjsi për portalin e tij. Edhe portalet duhet të përgjigjen para ligjit, siç përgjigjet media e shkruar apo ajo radiotelevizive.

Nuk duhet asnjë hezitim në këtë drejtim.

SHKARKO APP