Prangat pranë një gjyqtari VIP
Teksa flitet për reformën në drejtësi, e cila do të pastrojë sistemin nga gjyqtarët e korruptuar, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka gati dosjen për një gjyqtar të një rangu tepër të lartë. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se prej disa kohësh ka nisur hetimi për një gjyqtar të një të lartë në sistemin e drejtësisë, ndaj të cilit ka dyshime për korrupsion dhe abuzime me detyrën duke dhënë vendime bashkë me trupin gjykues haptazi të padrejta. Hetimet kanë nisur pas denoncimeve që janë bërë nga palët të cilat kanë qenë pjesë e proceseve që ka gjykuar gjyqtari si relator në dy çështje pronësie. Më pas organet e specializuara e kanë vënë nën survejim duke e kapur mat në momentin që ka marrë rryshfetin për çështjen në gjykim. Janë mbledhur të gjitha provat e duhura thonë në organin e hetimit dhe pritet vetëm firmosja e urdhër arrestit. Paralel me këtë fakt që nuk ka se si gjyqtari VIP të ikë nga përgjegjsia se është i filmuar, duke marrë “porosinë”, njëkohësisht prokuroria ka nisur hetimet edhe për pasurinë e gjyqtarit.
Nga verifikimet që janë bërë në deklarimin e pasurisë së gjyqtarit janë vënë re mospërputhje të theksuara të pasurisë që ai disponon dhe pasurisë që ka deklaruar si të ligjshme. Po ashtu, ka dyshime se të afërm të rrethit të ngushtë të gjyqtarit kanë pasuri dhe biznese të ndryshme, të cilat mund të jenë vënë në sajë të ndikimit të gjyqtarit. Nga ana tjetër, nën hetim janë dhe disa biznese të tjera, që dyshohet se janë përdorur indirekt nga gjyqtari për të pastruar paratë e fituara në mënyrë të paligjshme duke abuzuar me postin që mban. Burime nga hetimi nuk dhanë detaje për emrin e gjyqtarit, por thanë se bëhet fjalë për një person që bën pjesë në gjykatat kryesore në vend, bile shumë i rëndësishëm. Shkeljet e bëra nga ky gjyqtar, sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, janë të tilla që mund të kërkohet procedimi penal i menjëhershëm dhe vendosja para drejtësisë, duke e arrestuar.
Ndërkohë që ky nuk është rasti i vetëm i hetimeve për gjyqtarët. Pak ditë më parë, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço kërkoi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë shkarkimin nga detyra të 10 gjyqtarëve të ndryshëm në Gjykatat e Apelit në vend. Këta gjyqtarë ushtrojnë detyrën në gjykatat e shkallës së parë në Fier, Elbasan, Durrës dhe Shkodër. Kërkesa e ministrit Naço u bë pas denoncimeve të shumta që kanë ardhur nga qytetarët e këtyre rretheve. Dosjet e 10 gjyqtarëve përfshijnë pjesëmarrjen e tyre në afera korruptive, vendime të njëanshme, korrupsion aktiv falsifikim apo ndërhyrje të njëanshme në proceset gjyqësore, për të cilat kanë pasur detyrë dhënien e drejtësisë. Për secilin rast, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të vendosë nëse do të merren masa administrative, largim nga puna, apo dhe hetime të mëtejshme. Por gjasat janë se do të jetë vjeshtë e madhe në arreste gjyqtarësh.
Pavarësisht detajeve të bëra publike nga Ministria e Drejtësisë këta nuk janë gjyqtarët e vetëm që kanë abuzuar me detyrën e tyre. Të gjitha sondazhet dhe raportet e ndërkombëtarëve për Shqipërinë vënë në dukje se problemi kryesor i vendit është korrupsioni i lartë në sistemin e drejtësisë. Ambasada Amerikane dhe ambasadori Donald Lu kanë theksuar se vetëm një reformim i thellë i sistemit të drejtësisë do të mund të sjellë largimin e gjyqtarëve të korruptuar në gjithë vendin. Drafti aktual i reformës në drejtësi, veç ndryshimit të kritereve për përzgjedhjen dhe promovimin e njerëzve të drejtësisë, parashikon edhe krijimin e institucioneve të veçanta për hetimin dhe kontrollin e tyre. Projekti i reformës në drejtësi parashikon ngritjen e një Komisioni të Pavarur Kualifikimi i cili do të verifikojë çdo gjyqtar dhe prokuror. Verifikimi parashikon kontrollin e pasurisë, lidhjeve apo çështjet që kanë gjykuar ose ndjekur. Ekspertët e këtij komisioni ku do të marrë pjesë dhe përfaqësues ndërkombëtarë do të kenë të drejtë të njihen me dosjet personale të personave të vlerësuar, të dhënat statistikore, dosjet e përzgjedhura për vlerësim, vetë-vlerësimet, opinionet e eprorëve, të dhënat për trajnimet dhe ankesat, verifikimet e ankesave, vendimet disiplinore ndaj personit të vlerësuar, regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme, llogaritë bankare, zyrat tatimore, bazat e të dhënave për regjistrimin e pronësisë së makinave, dokumentimin e kontrollit kufitar, si dhe çdo dokument tjetër përkatës.
Por duket se Adriatik Llalla do ta fillojë arrestimin me një gjyqtar të nivelit të lartë, të cilit ia kanë bërë gati edhe qelinë VIP, si një gjyqtar VIP që është.