Prapë dru nga Lu !

Tryeza e vëzhguesve vendorë për reformën zgjedhore mblodhi dje në një tavolinë, për herë të parë, Kryeministrin, Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha. Zgjedhjet janë halli i të gjithëve, si në opozitë dhe në pushtet. Ndaj dhe takimi i djeshëm edhe pse nuk mund të flitet për marrëveshje ishte përcaktimi i qëndrimeve të palëve. Nisur nga përvoja e zgjedhjeve të fundit, ku problemet dhe akuzat për manipulime dhe parregullsi nuk munguan, reforma zgjedhore do të jetë sherri i radhës mes PS, LSI dhe PD, pas asaj reformës në drejtësi.

Në parim të gjithë kryetarët e partive ishin për caktimin e rregullave të ndershme për zhvillimin e tyre. U dënua ashpër vjedhja e votave, korrupsioni elektoral dhe manipulimi i listave, aq sa dukej sikur zgjedhjet e njollosura në Shqipëri nuk i zhvillojnë PS, PD edhe LSI, por parti të tjera. Këtë herë deklaruan se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do bëheshin me konsensus. Ndërkohë, edhe në vitin 2008 ndryshimet në Kodin Zgjedhor që sollën listat e mbyllura me konsensusin e PD dhe PS u realizuan, por tashmë të gjitha palët bien dakord se ishin gabim. Konsensusi jo gjithmonë ka sjellë zgjedhje më të mira, madje, kur marrëveshjet kanë qenë vetëm mes PS dhe PD kanë rezultuar fatale për zgjedhjet. Kanë qenë fatale për demokracinë e vendit, edhe pse gjithmonë në fund të tyre, ata që janë në pushtet, deklarohet se zgjedhjet e fundit ishin më të mirat.

Në takimin e djeshëm ai që ka qenë më i qartë se kryetarët e partive ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. Si gjithmonë i drejtpërdrejtë, i prerë, pa asnjë hezitim në deklarimet e tij ai tha se në zgjedhjet e fundit pati jo pak probleme.  Madje, foli për gangsterë që frikësonin votuesit. “Disa ambasadorë të BE-së dhe unë, pamë grupe gangsterësh të rinj në moshë jashtë qendrave të votimit, që dukshëm donin të frikësonin votuesit”,- u shpreh Ambasadori Lu. Diplomati amerikan foli shqip edhe për fenomenin e blerjes së votës, që sipas tij, u pa edhe në zgjedhjet e fundit lokale. Madje, nuk përmendi raste të veçantë, por tha se, “shumë njerëz na dhanë prova të blerjes së votës dhe të votimit në grup”.

Në skanerin e zgjedhjeve shqiptare nuk mund të mungojë dhe problemi i financimit të fushatave me miliona euro nga partitë. Deri më sot vetëm LSI-ja ka bërë publike financat e kandidatëve dhe shpenzimet e fushatës. Ndërkohë që, partitë e tjera, janë mjaftuar vetëm me raportet e pabesueshme që dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Edhe në këtë pikë, ambasadori amerikan nuk i ka kursyer kritikat duke kërkuar nga të gjitha partitë pasqyrimin real të shpenzimeve.

Zgjedhjet e fundit lokale detyruan Ambasadën Amerikane të verifikonte figurën e të gjithë kandidatëve, ku nuk munguan dhe persona me të shkuar kriminale. Edhe pse ligji i dekriminalizimit u miratua një muaj më parë, garancitë për largimit e të inkriminuar nga politika ende mungojnë. Ndaj ambasadori amerikan Donald Lu kërkoi dje zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. “Udhëheqësit duhet të bëjnë më shumë për të larguar politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale dhe mos t’i vendosin fare emrat e tyre në fletën e votimit. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit ishte hapi i parë i rëndësishëm dhe është po aq i rëndësishëm zbatimi i plotë i tij”,- tha Lu.

Deklaratat e ambasadorit amerikan ishin një “dush i ftohtë” për të gjithë pjesëmarrësit në takimin e djeshëm. Derisa diplomati kryesor në Shqipëri flet për gangsterë, blerje votash, financime të paligjshme dhe kriminelë që futen në lista nga partitë, është e kotë të flasësh për zgjedhje me standarde. Reforma zgjedhore duhet të nisë nga këto pika. Ndryshe zgjedhjet e radhës nuk do ndryshojnë nga ato të kaluarat.

Por Donald Lu nuk tërhiqet derisa të pastrohet politika shqiptare.

SHKARKO APP