Prapë nuk ka “tym të bardhë”!

 

Sot pritet reagimi amerikan dhe i faktorit ndërkombëtar. “Topi” ka mbetur në fushën e Kryeministrit

Kur dukej se marrëveshja mes PS dhe PD ishte gati për t’u firmosur, situata ka ndryshuar krejtësisht. Në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme u dhanë sinjalet e para për dështimin e negociatave për hyrjen e opozitës në zgjedhje. Të dyja palët kanë dhënë dje, në mënyrë jo zyrtare, arsyet që kanë sjellë bllokimin e konsensusit.

Në një takim me aleatët kreu i PD-së, Lulzim Basha ka informuar se nuk ka marrëveshje me Kryeministrin Edi Rama. Sipas Partisë Demokratike shkak i prishjes së marrëveshjes është Kryeministri Edi Rama. Kreu i PD-së ka deklaruar se Kryeministri nuk ka pranuar paketën “McAllister”. Opozita deklaroi se e voton Vetingun pa asnjë kusht. Pika kryesore, ku palët nuk kanë rënë dakord, sipas PD-së, është data e zgjedhjeve. Kryeministri ka deklaruar se nuk mund të shtyhen zgjedhjet përtej 18 qershorit. Ndërkohë që, opozita kërkon shtyrjen e tyre deri në vjeshtë. Sipas PD-së, Rama është tërhequr edhe nga pikat e paketës që flisnin për 4 ministra dhe një zëvendëskryeministër, të cilët do të propozoheshin nga Partia Demokratike. Por pika që i ka ndarë më shumë palët është ajo e datës së zgjedhjeve. Ky është qëndrimi i mbajtur dje nga Partia Demokratike, gjë që ka sjellë dhe dështimin e negociatave.

Ndërkohë, Partia Socialiste ka një tjetër variant për dështimin e negociatave të fundit. Sipas PS-së, nuk ka asnjë tërheqje të Ramës nga data e zgjedhjeve, pasi asnjëherë, sipas PS-së, nuk është diskutuar mbajtja e zgjedhjeve në vjeshtë. “Paketa McAllister, nuk parashikonte në asnjë vend, shtyrjen e zgjedhjeve deri në vjeshtë. Pra, Rama nuk ka bërë asnjë tërheqje, pasi nuk ka thënë kurrë se do të pranojë shtyrjen e zgjedhjeve deri në shtator. Ai ka deklaruar se është gati të negociojë për paketën McAllister, por nuk mund të shkelë afatet kushtetuese për zgjedhjet. Ky është edhe qëndrimi zyrtar i PS”,- thanë dje burime nga Partia Socialiste për dështimin e negociatave.

Të dyja palët kanë pasur argumentet e tyre lidhur me dështimin e negociatave. Secila prej tyre e sheh fajtorin tek kundërshtari politik. Duket se më shumë se fati i negociatave, Lulzim Bashës dhe Edi Ramës i intereson aktualisht se kush do marrë koston e dështimit. Pavarësisht taktikave politike, fakti është se palët dje janë kthyer në pikën “Zero”.  PS dhe PD kanë djegur, të paktën deri tani, të gjitha shanset që u kanë dhënë ndërkombëtarët për të arritur një marrëveshje. Por djegia e shansit të djeshëm është dhe më seriozja dhe me kosto për vendin. Basha dhe Rama kanë refuzuar jo thjeshtë mundësinë për t’u treguar politikanë normalë, por kanë refuzuar apelin e diplomatit më të lartë të SHBA-ve për rajonin, Hoyt Brian Yee. Është ende e paqartë se cila palë këtë herë nuk tregoi gatishmërinë për të lëshuar. Këtë presim ta thonë sot ndërkombëtarët dhe pala amerikane. Sigurisht që, opozita ka pjesën kryesore të fajit në ngërçin politik, pasi një muaj më parë refuzoi paketën McAllister, e cila i jepte më shumë të drejta edhe sesa ajo kishte kërkuar, përveç largimit të Kryeministrit.

Si rrallë herë negociatat e djeshme janë zhvilluar në një terr të plotë informativ. Drejtuesit e dy kampeve politike në asnjë moment nuk kanë folur hapur për çfarë po diskutohet, por kanë përdorur burime mediatike për të dhënë qëndrime. Shpesh herë ka qenë e paqartë se kush është realisht qëndrimi i Lulzim Bashës dhe i Edi Ramës. Kjo sjellje ndaj opinionit publik tregon një mungesë serioziteti të vetë forcave kryesore, pasi po diskutohen gjëra që lidhen me stabilitetin e vendit dhe më e pakta, dy partitë duhet të flasin hapur se kush po i dështon realisht negociatat.

Nëse edhe gjatë ditës së sotme Basha dhe Rama nuk tentojnë për marrëveshje dhe konsensus, pritet që SHBA-të të mbajnë një qëndrim të ashpër duke etiketuar nominalisht liderin apo politikanët që u bënë pengesë për arritjen e marrëveshjes politike. Sepse palët po tregojnë se janë të aftë të tallen me qytetarët shqiptarë dhe me të drejtën për të votuar të shqiptarëve, por nuk mund të tallen me aleatët strategjikë dhe diplomatët ndërkombëtarë.

Sot pritet që ndërkombëtarët të përcaktojnë ose zgjidhjen ose fajtorin final. Publiku duhet ta dijë kush po bllokon në këtë moment gjetjen e zgjidhjes.

Qamil Xhani

SHKARKO APP