Prapë PD-PS në pikën zero!
Orët e fundit janë vendimtare për fatin e zgjedhjeve dhe shmangien e kolapsit total politik në vend. Skadimi i afateve ligjore dhe teknike për zgjedhjet e ka vendosur klasën politike nën presionin e faktorit ndërkombëtar. Me këtë presion dje ka qenë Partia Demokratike dhe kreu i saj, Lulzim Basha. Pas SHBA-ve, dje edhe ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Susanne Schutz tha në mënyrë të qartë se zgjedhjet do të njihen edhe nëse Partia Demokratike nuk merr pjesë. Në situatën, kur zyrtarisht PD nuk ka asnjë mbështetje për rrugën e bojkotit dhe kur politikanë të rëndësishëm si Jozefina Topalli, Majlinda Bregu dhe Eduard Selami kërkojnë hyrjen në zgjedhje, pritej që mbrëmë grupi parlamentar i PD-së të gjente një shteg kompromisi.
Partia Demokratike zhvilloi një mbledhje urgjente me grupin parlamentar për të diskutuar qëndrimet zyrtare që do të mbajnë për krizën politike. Ndryshe nga herët e tjera, mbledhja e deputetëve ka nisur me komunikime online me video të dy personaliteteve të BE, Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn dhe Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Joseph Dol. Të dy përfaqësuesit e institucioneve të rëndësishme në BE kanë kërkuar nga Partia Demokratike pjesëmarrjen në zgjedhje. Kreu i PPE ka mirëkuptuar disa nga çështjet e ngritura nga PD për drogën dhe garanci për zgjedhjet, por ka theksuar se bojkoti i zgjedhjeve ishte rruga më e gabuar që ka zgjedhur Partia Demokratike. Ajo çfarë kanë deklaruar në grupin e PD-së, drejtuesit e PPE, ka qenë mesazhi se zgjedhjet do të njiheshin edhe nëse opozita bojkotonte.
Varianti më i mirë për Partinë Demokratike është pranimi i ofertës së bërë nga Zv/Presidenti i Partive Popullore Europiane, David McAllister. Platforma që u refuzua një javë më parë nga Lulzim Basha duket si oferta më e mirë e mundshme për futjen e opozitës në zgjedhje. Në të gjitha rastet, varianti i qeverisë teknike dhe dorëheqjes së Ramës nuk është mbështetur asnjëherë prej ndërkombëtarëve. Ndërkohë, dje Presidenti Bujar Nishani bëri ftesën publike për Kryeministrin dhe kreun e PD-së për takim në zyrën e presidencës. Edi Rama dhe Lulzim Basha pranuan të shkojnë në bisedime. Por deri vonë vazhdoi mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, i cili pritej të hapte një shteg komunikimi me maxhorancën, por Lulzim Basha doli pas mbledhjes së grupit në ora 22:40 dhe tha atë që e mbyll portën e Presidencës për Kryeministrin, ende pa u nisur nga Kryeministria për takim. Basha tha se, prapë kërkojmë qeveri teknike dhe largimin e Kryeministrit Rama. Pra rikthim në pikën zero! Ndaj edhe takimi në Presidencë mes Bashës dhe Ramës në prani të Presidentit në detyrë Nishani, edhe nëse bëhet, prapë nuk do të prodhojë kompromis dhe stabilitet. Përkundrazi, vendimi i grupit parlamentar të PD-së ishte vendim lufte frontale ndaj Ramës, gjë që nuk çon opozitën në zgjedhje.
“Foshnja politike” mes tyre ka lindur që mbrëmë i vdekur, pasi Edi Rama nuk pranon të japë dorëheqjen, kurse Lulzim Basha nuk pranon Ramën Kryeministër.
Përfundimi i asaj që do të ndodhë sot në Presidencë, gjithnjë nëse Rama shkon pas asaj deklarate të mbrëmshme të liderit të opozitës, do jetë asgjë! PD do shkojë në Kavajë për të thyer kutitë e votimit këtë të diel, kurse PS vazhdon udhën drejt 18 qershorit për të rimarrë pushtetin pa opozitën në zgjedhje dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme brenda një viti.
Asgjë të re nuk prodhoi PD, edhe mbrëmë. Asgjë nuk do të sjellë PS, edhe sot.
Qamil Xhani