Presidenti i PPE: Blerja e votave, papranueshme. Të respektohen të drejtat e opozitës në Shqipëri
Joseph Daul, President i Partive Popullore Europiane, në një deklaratë për zhvillimet në Shqipëri ka shprehur shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet demokracia në vend.
Kreu i partive të djathta europiane, thekson se e drejta e opozitës në Parlament duhet të respektohet, ndërsa shton se të gjitha zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të lira e të ndershme, blerja e votave është e papranueshme.
“Jam i shqetësuar për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Të gjitha zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të lira e të ndershme, blerja e votave është e papranueshme. Të drejtat e opozitës në parlament duhet të respektohen. Nevojiten më shumë përpjekje në luftën krimit dhe korrupsionit, përfshirë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit“,- shprehet Daul në deklaratën e tij.
Në qëndrimin e politikanit të njohur të së djathtës europiane ku bëjnë pjesë të gjitha partitë kryesore të Parlamentit Europian, bie në sy se për herë të parë flitet për zgjedhje dhe denoncohet në mënyrë të qartë blerja e votave dhe manipulimi i zgjedhjeve të kaluara.
I am concerned about the state of #Albania's democracy. Any future #elections must be free & fair, buying votes is unacceptable. Rights of opposition must be respected in parliament. More efforts needed to fight crime & corruption, including implementing the decriminalisation law
— Joseph Daul (@JosephDaul) February 14, 2019