Presidenti Meta: Krenaria e alpeve shqiptare është Plava dhe Gucia

Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon këto ditë një vizitë në viset e banuara nga bashkëatdhetarët tanë në Mal të Zi, në Plavë e Guci.

Në kuadër të kësaj vizite Presidenti Meta mori pjesë dhe përshëndeti tubimin tradicional popullor “Mirë se vini në Alpet Shqiptare 2018”, që u zhvillua në Vuthaj të Plavës e Gucisë, në Mal të Zi, me një pjesëmarrje të shumtë të shqiptarëve të ardhur nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe trojet e tjera ballkanike të banuara nga bashkëkombasit tanë, shumë prej të cilëve kishin ardhur nga Diaspora, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europa, Kanadaja,  apo edhe nga Australia e Zelanda e Re.

Presidenti i Republikës u përshëndet përzemërsisht nga organizatorët si dhe nga qindra banorë të kësaj treve, të cilët e mikpritën vëllazërisht vizitën e kreut të shtetit shqiptar në Plavë dhe Guci, në kuadër edhe të Festivalit Folklorik Kombëtar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkoi”.

Gjatë Festivalit Folklorik Kombëtar dhe tubimit masiv popullor traditicional të përvitshëm në Alpet shqiptare, Presidenti Meta dhe të pranishmit ndoqën këngë e valle të intepretuara nga artistë të ndryshëm shqiptarë si dhe garat popullore e tradicionale të mundjes, tërheqjes së litarit, vrapimet me kuaj, hedhjes së gurëve, etj.

Presidenti Meta u nderua nga drejtuesit dhe organizatorët e Festivalit Folklorik Kombëtar si dhe nga Shoqata “Krenaria e Alpeve shqiptare” me titullin e veçantë vlerësues e simbolik “Mirënjohje” për “Demokratizimin dhe Integrimin e shqiptarëve në rajon”, që iu dorëzua kreut të shtetit shqiptar nga kryetari i Këshillit Organizator, Tahir Gjonbalaj.

Presidenti Meta, i emocionuar nga ky titull mirënjohje, nënvizoi se krenaria e alpeve shqiptare është Plava dhe Gucia. Në fjalën e tij në festën e këtij viti, Presidenti Meta duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi: “Plava dhe Gucia është një parajsë e vërtetë, e prekshme, njerëzore dhe natyrore. Është një parajsë, e cila mund t’i sigurojë një të ardhme shumë më të mirë këtij komuniteti jashtëzakonisht patriotik, i cili edhe në kushte të vështira ka ditur të mbijetojë, qëndrojë dhe të ruajë traditat më të mira kombëtare dhe njerëzore të kësaj treve.

Vizitova kullën 200-vjeçare të Çelajve dhe vërtetë jam shumë i kënaqur për këtë eksperiencë që përjetova atje sepse mu duk sikur vërtetë  vizitova dhe u ktheva në historinë e gjithë kësaj treve të lavdishme, aq të pasur me vende historike dhe me kaq shumë monumente natyrore.

Plava dhe Gucia ka një peizazh kaq të mrekullueshëm saqë vërtetë unë besoj që në pak vite një ndryshim edhe më i madh ekonomik e social do të vijë këtu për të gjithë komunitetin.

Jam i lumtur që më në fund edhe rruga nga Tirana në Plavë e Guci është më pak se tre orë. Këtë duhet t’ua themi të gjithëve në Shqipëri pasi me të drejtë shumë shqiptarë nga Shqipëria, të cilët i duan malet, turizmin malor shkojnë prej vitesh në Kolashin, Zhablak, Mavrovë. Absolutisht unë jam i sigurtë se kur ata të vijnë në Plavë e Guci do ta kenë të vështirë që të shkojnë në një vend tjetër.”

Në fjalën e mbajtur në Vuthaj të Plavës e Gucisë, Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu mirënjohjen për diasporën tonë, sidomos për bashkatdhetarët e Plavës dhe Gucisë, të gjithë shqiptarëve të Malit të Zi, në SHBA dhe Europë për atë dashuri të pakufijshme që ata kanë për këtë trevë, të parët e tyre, për ato investime të mëdha që ata kanë bërë, por edhe për të gjithë kontributin që ata kanë dhënë për çështjen shqiptare historikisht në të gjithë kohët dhe momentet më të vështira.

“Mirënjohje më të madhe edhe për të gjithë ata që kontribuan për këtë festival, dhe që kontribuojnë vazhdimisht, që ruajnë traditat tona, këngët tona, vallen dhe muzikën tonë, sepse duhet të jemi krenarë për këto vlera të trashëguara dhe duhet t’i ruajmë dhe t’i trashëgojmë brez pas brezi.

Rroftë populli i mrekullueshëm i Plavës dhe i Gucisë!

Rroftë diaspora jonë e jashtëzakonshme, së cilës i jemi mirënjohës të gjithë, dhe të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë!

Rroftë ky Vit Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut që të na bashkojë më shumë dhe të na forcojë akoma më tej identitetin tonë kombëtar!” – theksoi Presidenti Meta.

Kreu i shtetit Ilir Meta ndodhet këto ditë në alpet shqiptare. Pas ndalesës dje në Tamarë dhe Vermosh, Presidenti ka vizituar zonën shqiptare të Plavës dhe Gucisë, në Mal të Zi.

Paraditen e sotme ai ka qenë në fshatin Vuthaj, në kullën 200-vjeçare të Çelajve, një nga trashëgimitë historike më të rëndësishme të zonës. “Kënaqësi e veçantë të vizitoja sot kullën mbi 200-vjeçare të Çelajve në Vuthaj, që bart histori të lavdishme dhe ruan traditat më të çmuara kombëtare e njerëzore të kësaj treve. Mirënjohje të pakufishme për Ramokun, Bjeshkën, Arbëreshën, Antigonën, Asdrenin, Arditin e të gjithë Çelajt që përkujdesen me aq përkushtim e dashuri për këtë trashëgimi shqiptare“,- shkruan Presidenti Ilir Meta në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Vizita e turistike e Presidentit është një tur reklamues për bukuritë shqiptare të natyrës, e jo vetëm, por edhe për traditat patriotike dhe kulturore të zonave autoktone shqiptare në Mal të Zi.  Turi i tij mbart mesazhin se duhet që të vizitojmë dhe njihemi me pasuritë kulturore dhe turistike, pasi Shqipëria dhe zonat historike shqiptare ne Mal të Zi janë vend me bukuri të shumta natyrore.

VIDEO/Mesazhi i Presidenti nga Plava dhe Gucia

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/1861621343884130/

SHKARKO APP