Presidenti Meta nuk është garant kryeministror, por garant i Kushtetutës

-Kreu i shtetit: Nuk mund të bëjmë eksperimente në politikën e jashtme. Idetë për ndryshimin e kufijve janë të rrezikshme dhe antikombëtare. Presidenti mbetet mbrojtës i Kushtetutës dhe jo i pushtetit të radhës. 

Presidenti Ilir Meta iu është përgjigjur dje të gjitha akuzave të kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e dekretimit të ministrit të Jashtëm. Në emisionin e gazetarit Ylli Rakipit, “Të Paekspozuarit”, kreu i shtetit ndryshe nga Edi Rama nuk është marrë me sulme personale. Ai ka shpjeguar gjithë qëndrimet e tij për dekretet. Presidentit ka sqaruar për Kryeministrin dhe për qytetarët shqiptarë se mos dekretimi i kandidatit për ministër të Jashtëm, Gent Cakaj nuk është bërë në shkelje të ligjit themelor të shtetit, por në zbatim të tij në frymë, edhe në germë. Duke u ndalur në akuzat e kreut të qeverisë lidhur me shkeljet ligjore që sipas Ramës ka bërë kreu i shtetit, Presidenti Meta deklaroi në mënyrë të qartë se është zgjedhur në krye të shtetit për të qenë garant i Kushtetutës dhe jo i Edi Ramës apo pushtetëve të radhës.

Presidenti renditi gjithë argumentet që i japin kreut të shtetit jo vetëm të drejtën ligjore për cilësinë e njerëzve që përfaqësojnë politikën e Jashtme të Shqipërisë, por edhe për mbrojtjen e interesave kombëtare duke mos lejuar eksperimente të rrezikshme për vendin. Kreu i shtetit shpjegoi se një njeri që ka vetëm një vit që ka marrë shtetësinë shqiptare, sado libra të ketë lexuar, nuk ka përvojën për përfaqësuar Shqipërinë në organizatat ndërkombëtare dhe për të folur në emër të shtetit shqiptar për çështje të rëndësishme. Aq me tepër se ai ka bërë deklarata jo korrekte me politikën e jashtme të Shtetit.

Kreu i shtetit ka folur dje dhe për arsyet se përse nuk ka dekretuar shkarkimin e ministrit në detyrë, Ditmir Bushati. Presidentit argumentoi se në fazën kur Shqipëria pret të marrë Presidencën e OSBE, në Ministrinë e Jashtme duhet një person që të ketë informacionet e duhura për të përfaqësuar Shqipërinë. “Rastin e Bushatit, nuk e kam dekretuar se ministri ka përgjegjësi kushtetuese. Nuk mund ta lë ministrinë në dorë të një zv/ministri. Nuk mund të japë një përgjigje një njeri që nuk ka asnjë përgjegjësi kushtetuese”,- tha Presidenti duke ju referuar vakancës që krijohet në ministrinë e Jashtme me largimin e ministrit nga funksionet dhe kalimin e përgjegjësive të zëvendësministri. Veç argumenteve protokollarë, kreu i shtetit la të kuptohet se arsyet e shkarkimit të ministrit Bushatit nga Edi Rama lidhen direkt me qëndrimin e tij për mos copëtimin e Kosovës, deklarata të bëra nga ministri Bushati. Pra la të kuptohej se ministri Bushati ka qenë korrekt dhe kushtetues në qëndrimet për Kosovën.

Edhe pse kreu i shtetit e mori si shembull këtë motiv, jemi para një situate skandaloze ku praktikisht Edi Rama ka shkarkuar Bushatin se ishte kundër ndarjes së trojeve shqiptare. Duke u ndalur në idenë e ndarjes së kufijve, apo copëtimit të Kosovës, Presidentit Meta u shpreh në mënyrë të qartë se një projekt i tillë është anti kombëtar dhe u shërben interesave të vendeve që duan të dëmtojnë shqiptarët.

Lidhur me debatin e fundit për emërimin e kryeministrit Edi Rama edhe si ministër i Jashtëm, kreu i shtetit se ditën e sotme mund të ketë një vendim të tij për këtë çështje. Presidentit theksoi se Kushtetuta nuk e ka përcaktuar qartë nëse Kryeministri mund të mbajë dhe detyrën e ministrit, por pas konsultimit me juristët do të merret një vendim të qartë.

Presidenti foli edhe për çështje të tjera të rëndësishme, por qëndrimi i tij ishte se ai njeh vetëm Kushtetutën dhe nuk pranon ta shkelë atë, edhe sikur Edi Rama të lëshojë krejt urdinë e taborrëve kundër tij. /Qamil Xhani/

 

 

SHKARKO APP