Meta takim për zgjedhjet. Opozita: Jo data, por krimi i Qeverisë rrezikon votimet

Drejtuesit e grupeve parlamenare kryesore në vend kanë nisur takimet me kreun e shtetit për të përcaktuar datën e zgjedhjeve vendore. Ndërkohë kriza politike ka mundësi që të sjellë edhe zgjedhjet parlamentare të parakohshme. Megjithatë Ilir Meta vazhdon takimet për datën e pritshme të zgjedhjeve vendore.

Kreu i deputetëve të PS, Taulant Balla tha se me kreun e shtetit ka disktuar për datën e mundëshme. Sipas tij, zgjedhjet duhet të zhvillohen në dy të dielat e fundit të qershorit 2019, praktikisht në 23 ose 30 qershor.

Duke falenderuar Presidentin e Republikës për vijimësinë e një tradite shumëvjeçare për konsultimin me partitë kryesore politike lidhur me dekretimin e datës së zgjedhjeve vendore të qershorit të 2019, zhvilluam një bisedë me Presidentin. Kodi zgjedhor është i qartë, qoftë në mandatin e përfundimit të të zgjedhurve vendorë, qoftë edhe për përcaktimin e sezonit zgjedhor prill-maj qershor, që është zhvilluar dy të dielat e fundit të qershorit. Këto janë dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore”, tha Balla.

Ndërkohë pas takimit, zv/kryetari i LSI-së Luan Rama deklaroi se për politikën shqiptare nuk duhet të ketë rëndësi se kur do të vendoset data e zgjedhjeve vendore, por pastrimi i këtij procesi nga krimi. “Unë ndava me Presidentin shqetësimin e LSI se problemi i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është data, por pastrimi i zgjedhjeve nga interferenca dhe lobimi nga grupet kriminale. Problem ka qenë blerja e zgjedhjeve. Një pushtet që buron nga veprimtaria kriminale do i kthejë reston grupeve kriminale. Për sa kohë nuk ka vëmendje, vlerësim dhe angazhim të qeverisë për të pastruar ajo e para veten dhe zgjedhjet nga krimi, gjithçka është formale. Jam këtu për qëndrimin e LSI dhe atë çfarë unë i kam thënë zotit Meta dhe s’mund të bëhem zëdhënës i Presidentit. Ky vend i mbytur nga informaliteti nuk ka nevojë për zgjedhje formale, por për zgjedhje reale që të shprehin vullnetin qytetar dhe jo kriminal. Publiku po e sheh vet se çfarë ndodh me qeverisjen dhe çfarë ndodh kur qeveria duhet t’i kthejë reston krimit”, tha Luan Rama.

Procedura e vendosjes së datës është parashikuar sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, ndërkohë që në situatën aktuale, më shumë se data e zgjedhjeve ka rëndësi çfarë procesi elektoral do të zhvillojnë palët.

Opozita deklaron se zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017 ishin të manipuluara dhe rezultati u ndryshua nga blerja e votës prej grupëve kriminale të suportuara nga qeveria. Edhe skandalet e fundit të opozitës tregojnë se në Durrës dhe në Lezhë, zyrtarë të lartë të PS kanë ndërhyrë në rezultat duke manipuluar votat dhe duke bashkëpunuar me bandat.

Caktimi i datës është një element dytësor edhe për faktin se ende palët nuk kanë rënë dakord për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Por çfarë është më e rëndësishme, data e zgjedhjeve vendore është një procedurë formale, për sa kohë që kreu i PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar se mund të kemi zgjedhje parlamentare bashkë me zgjedhjet vendore.

Në varësi të krizës politike do të jetë edhe caktimi në një ditë i zgjedhjeve parlamentare të parakohshme me ato vendore, por presidenti po zbaton Kushtetutën, ndaj janë marrja e mendimeve nga partitë politike parlamentare.

SHKARKO APP