Presim lajme të këqija
Nga Frrok Çupi
Pak nga pak, jeta po mbyllet si në një zarf dhe po shkon për pushime. Më shumë se për pushime, më duket se jeta po mblidhet në zarfin e vet për të krijuar lajme që të na i sjellë në vjeshtë.
Janë dy shtresa që po i bëjnë gati lajmet:
Shtresa e parë, shtresa shumë e pasur, e cila krijon veç lajme "të lumtura". Kjo është shtresa e udhëheqësve, d.m.th e qeveritarëve. Në shoqëri dhe sisteme kaq të dobët sa ky yni, ka qëlluar që qeveritari është edhe më i pasuri… Pra kur udhëheqësit nuk mund t'i krijojnë popullit të vet lajme për jetë reale të lumtur, edhe atëherë krijojnë lajm. Ose e gjejnë lajmin ku të jetë e të mos jetë dhe ia servirin popullit.
Nuk e patë çfarë ndodhi katër a pesë ditë më parë?
Dy udhëheqësit më të lartë dhe përgjegjës kryesorë si për të mirën edhe për të keqen e popullit, në një moment, u ndodhen pa lajm. Atëherë çfarë bënë? Kryeministri i Republikës mori rrugën për pushime në Itali ku vërtet bëhet jetë e lumtur turizmi. Me këtë rast krijoji lajmin. U paraqit në dyert e televizionit italian RAI 3 dhe lëshoi një intervistë. Mediat dhe njerëzit këtu u kënaqen tri ditë.
Udhëheqësi i dytë, kryetari i Kuvendit. Ky u ndje më në boshllëk. Atëherë gjeti rastin që gazetarë të një agjencie lajmesh në Arabi na qenkëshin nëpër Tiranë, dhe i mblodhi në zyrë. Intervistë e madhe e kryetarit të kuvendit!…. Kështu bëri lajm edhe udhëheqësi i dytë.
Të dyja u pritën si lajme lumturie.
Shtresat e pasura, gjithnjë, tërë jetën, krijojnë lajme të lumtur.
Papa Francis i Vatikanit, i quajtur edhe "Para i të varfërve", sapo tha gjatë vizitës në Bolivi se tashmë Europa duhet të ndryshojë sistemin, i cili sot për sot është "i patolerueshëm". Sidomos raporti mes të pasurve dhe të varfërve është tragjik. Të pasurit kanë në dorë që të bëjnë edhe lajme të lumtura, e kjo është më tragjike.
Shtresa e dytë, që është tërhequr "për pushime", d.m.th., për të krijuar lajmin e vet, është shtresa shumë e varfër.
Ajo, jo vetëm që nuk ka asnjë mundësi për të bërë pushime, as për të trokitur në dyer mediash (është jashtë mendjes), por nuk ka as aq lekë për një copë letër ku shkruhet lajmi. Maria Sholla, një vajzë 13 vjeçe nga Ardenica e Lushnjës, dhe prindërit e saj, nuk kishin as aq lekë sa për të blerë pasaportën. Nuk kishin as aq mundësi sa të rrisnin dy djemtë e vegjël e prandaj i kishin dërguar në Manastir.
Maria guxoi të ishte shumë më lart se shtresa e të pasurve që bëjnë lajme kur të duan. Maria kishte një shpresë dhe vullnet që të bëhej poete, të shkonte në Gjermani dhe të jetonte me dinjitet. Para tre ditësh u nis më këmbë, bashkë me prindërit, për të kaluar kufirin me Greqinë e pastaj në Gjemani. Kur pa lumin e parë, Maria u gëzua sa edhe babai, babai edhe më shumë se fëmija. Do të laheshin pas tri ditë rrugë në temperatura 40 gradë Celsius… Por Maria e shkretë u mbyt në pikën e parë të ujit, sapo hyri në lumë…
Kështu, vetëm kështu, Maria mundi të bëjë lajm.
Të varfërit ndodh që as me vdekjen e tyre nuk bëjnë dot lajm, por Maria ia arriti, të paktën kësaj.
… E shikoni, po bëhen gati "zarfet" me dy lloj lajmesh. Do t'i kemi në vjeshtë.
Por më duket se të dyja palët do të jenë lajme të këqij.
Si të pasurit, edhe të varfërit, nga dy porta të ndryshme, po i sulen Europës. Të varfërit për të shpëtuar nga varfëria; ndërsa të pasurit për të garantuar më shumë pasuri. Të pasuruarit me anë të pushtetit, tashmë, bëjë si bëjnë dhe hedhin spirancat në kancaleritë e larta të Perëndimit me qëllim që të fitojnë përsëri pushtet këtu në vendin e tyre të varfër.
Nuk e patë spektaklin e kryeministrit shqiptar në pritjen e kancelares Merkel? Kryeministri i vendit më të varfër, ofroi, për Gjermaninë, luksin më të lartë. Si për të thënë se këtu nuk ka varfëri, ose "mos i shikoni të varfërit, lërini aty ku janë". Çfarë ofroi qeveria? Seli të rinovuar, e shkruar sipas një stili ekstravagant; një veshje speciale kryeministrore që ua kalon gjithë kancelarëve gjermanë, përfshi edhe Hitlerin. Një këpurdhë në oborrin e selisë ku dëshmohet dyshimi për nesër: Mbarësi apo Helm?! Dy ngjyrat e politikës në këpurdhë: Kuq e Blu, por e kuqja e qeverisë e mbyt blunë e opozitës…
Presidenti bolivian Morales, guxoi t'i dhurojë Papës Krishtin e gdhendur mbi simbolin komunist: Drapër e çekan! Po ndryshon sistemi? Po si? Për nga e kaluara më e keqe se sot?
Vendet e varfra të Europës po guxojnë të agresojnë unionin e krijuar prej kancelarit gjerman Konrad Adenauer dhe Jean Monnet, arkitekti kyç i Bashkimit Europian. Njëkohësisht, shtetet e varfër, të futur si "për mëshirë" po tentojnë të prishin sistemin. Të dobëtit kanë gjetur dobësinë dhe tentojnë të bëjnë vend brenda saj. Njësoj si dobësia e lypsarit bandit që bën krimin pasi strehohet. Pak nga pak, duke hyrë në BE, vende si Spanja, Portugalia e Greqia dhe disa shtete ish- komuniste të Europës Qëndrore, tani po kërkojnë biletën për statusin e "botës së parë".
Shqipëria si dhe disa vende aspirante, guxojnë të kërcënojnë: "O na pranoni, o ne ju rrezikojmë". Shqipëria mund të rrezikojë me eksport terrorizmi, sipas qeverisë.
Guximi i të keqes vjen prej "zarfit të lajmeve" që po mbledhin të pasurit (nga njëra anë) dhe të varëfrit (nga ana tjetër). Hendeku i madh mes të pasurve dhe të varfërve ka krijuar idenë e ndryshimit të sistemit.
Kush fiton nga ndryshimi? Kjo është çështja…
Për të varfrit po kërkohet minimumi bazik. Papa Francis tha se tri "L" i duhen garantuar njeriut: "Land, lodging and labor" (Tokë, banesë dhe punë). Kjo verë i ka gjetur miliona e miliona edhe pa tre "L" që vetë zoti ua ka falur qysh prej fillimit. Tre "L" që janë të drejta të shenjta. Tashmë Demokracia ka shkuar pas edhe prej Demokracisë së Athinës…
Çfarë do të ndodhë kësaj vere teksa mbillet lajmi i keq për në vjeshtë?
Të pasurit do të jenë duke bërë lajm për pasurinë, të varfërit- për varfërinë. Bota po tronditet nga hendeku mes tyre. Paraja po mallkohet, në vend që të mallkohet oligarkia e krijuar prej djersës së shumicës. "Paraja, kjo bajgë e djallit!', tha Francis. "Arkitektët" duan të shpëtojnë Unionin e krijuar dekada më parë, ndërsa tentojnë të krijojnë ura.
Nuk e vutë re?
Tre më të mëdhenjtë e botës iu drejtuan njëherësh shtresës më të shtypur të botës. Papa Francis, Presidenti Obama dhe kancelarja Merkel. Të tre iu drejtuan burgjeve dhe kampeve të refugjatëve. Francis me të burgosurit në Santa Cruz, Obama me të burgosurit në Filadelfia dhe Merkel me refugjatë palestinez në Gjermani… Si asnjëherë tjetër më parë.
Pyetja vjen prej poshtë, atje ku jetojnë shtresat e varfra:
Çfarë do të ndodhë? A do të tolerohet sistemi, apo do të ndryshojë? Për të varfrit është i patolerueshëm; për punëtorët është i patolerueshëm, për fermerët- i patolerueshëm, për komunitetet dhe për popujt- po kështu.
Pyetjet, më së forti shtrohen në Perëndim. Këtej nga Lindja ish- komuniste "lajmi" lexohet ndryshe. Të paktën këtu në Tiranë lexohet sikur "prishim sistemin dhe kthejmë drapër e çekan".
Atëherë, askush nuk do të ishte mirë; as ata që e duan "ndryshimin".
Sidoqoftë, presim vjeshtën. Të dy kategoritë do të kthehen me lajme të këqij: të varfrit më të varfër dhe të pasurit më të pasur.