Projekti i Arsimit, pedagogu si lypsar dhe universiteti si konservë

Nuk mund të thuash që brenda atij teksti nuk ka edhe gjëra racionale. Do të isha nihilist po ta thosha këtë, kurse unë dua të ndërtoj, jo të mohoj.

Por, më ka tronditur, habitur, çuditur sesi u kalua nga një ide për reforma që bazohej te tregu, ekstremisht te tregu, te një model tjetër që bazohet ekstremisht te kontrolli dhe organizimi shtetëror i arsimit të lartë.

Si lëkundet kështu reforma nga tregu tek shteti… brenda pak muajsh nga njera anë te tjetra.

Mirë për atë reformën e parë që s'u bë fare, reformisto-tarifistët na thoshin se kemi marrë modelin anglez (çelësin anglez), por për këtë modelin shtetist cilin model kanë marrë??? Më duket si model rus ose serb, gjithsesi sllav… Sllavët kanë këto modele lindore.

Krahas anëve të mira, thashë, ka edhe disa aspekte që nuk shkojnë fare. Mbi të gjitha nuk bind se do e nxjerrë arsimin universitar kombëtar, majën e kulturës kombëtare, nga degjenerimi dhe nga rënia ku e kanë katandisur zinxhirët e politikës dhe burokracisë. Nuk zgjidh problemin e bërjes të tij të dobishëm. Nuk zgjidh problemin e fallcitetit dhe zhvlefësimin e diplomave, nuk zgjidh papunësinë e të rinjve.

Me një fjalë vendos rregulla, por nuk arrin qëllime. Këtu është puna. Është si një tren qe pretendohet se ka gjithçka duhet për të ecur, por nuk vetëm një gjë nuk ka stacion.

E para, ndërton një burokraci shtetërore vertikale që kontrollon universitetet që si çdo burokraci e hedh në erë sistemin dhe e kthen në kazermë. Me dhjetra e dhjetra milionë lekë do t'i marrin buxhetit të shkollave të larta për të ushqyer këta nëpunës, gati pesë agjenci a gjashtë, plot me nëpunës, për kontroll. Secila një ministri më vete, çfarë do të bëjë dikasteri??? Sa ministrira do të kemi. Na morrën shpirtin dhe frymën me burokracira. Organizim vertikal që nuk sjell asnjë të mirë.

E dyta, kontrollin e cilësisë do ta bëjë shteti. Shteti? Nëpunësi??? Nepunësi do të kontrollojë cilësinë e punës të pedagogut? Mirë do të ishte por nuk e bën dot. E si do të vlerësohet veç cilësia e kërkimit shtetëror dhe veç cilësia e mësimit, kur s'ka mësimdhënie pa kërkim shkencor dhe anasjelltas. E bukur sikur një universitet të marrë dekoratë se ka bërë shkencë dhe të skualifikohet se nuk ka cilësi në mësim. Me këto norma edhe mund të ndodhi një absurditet i tillë.

E treta, projekt-ligji na jep një model klasik universitar si ai i viteve '50. Shumë klasik. Me dekanate, rektorate, me fakultete të ndara e veç e veç si kuti konservash, me lëndë e grupe lëndësh, ndërkohë që jetojmë në epokën e ndërdisiplinaritetit, e diplomave të dyfishta e trefishta, e dijeve të kryqëzuara e mësimit nëpërmjet stazheve, e programeve ‘’Erazmus’’ të mobilitetit. Jemi apo nuk jemi më në hapësirën e Kartës së Bolonjës! Me një hierarki profesionale të ngrirë. Vendin qendror duhet ta zerë profesori, jo nëpunësi, piramida duhet përmbysur e jo të jetë si ajo e një ushtrie në gjendje luftimi. Kush do e vlerësojë kualifikimin e profesoratit? Një komision prej tetë vetash në senat. Ku e kanë gjetur këtë model aman se po qe se e gjejnë diku jam gati të përulem deri në shtrirje në tokë (prosternim) për të kërkuar falje. Kjo është thëmbra e Akilit.

E katërta, nuk zhvillon veçse shumë shkarrazi liritë dhe të drejtat universitare, nuk përmend si duhet kompetencat financiare decentralizuese në arsim. Pedagogu duket si një lypsar me dorën e shtrirë drejt agjencive me nëpunës për të marrë ndonjë lek. Lëre sikurse është tani që jepen lekë për të ngrënë ndonjë drekë pjesëmarrësit, mish e oriz, e ndonjë bërxollë derri, shoqëruar me tollumba a me kadaif, por asnjë lek për autorët e kumtesave. Hani, mo, mos mendoni! Gjithkush vendoset në gjendje pasiviteti dhe nuk duhet të mendojë veçse si deritani, të botojë për veten e tij, të marrë grada, tê hajë mish e oriz, ai dhe fëmijët e tij, studentët le të ngopen me llafe boshe.

E pesta, rrënohen të drejtat studentore. Studenti në qendër të procesit mësimor, të marrë pjesë në administrimin e universiteteve, në ndërtimin e kurrikulës, me anë të lëndëve me zgjedhje, me të drejta për të vazhduar studime të kryqëzuara, të ndërprera, etj. Edhe shkolla doktorale është gati shprishur sepse hiqen të gjitha kompetencat për të ndërtuar bashkësi doktorantësh të organizuar. Pa bashkësi kërkuesish nuk ka shkencë as kërkim shkencor. Hajde merre vesh përse një lloj masteri është i nivelit të dytë, kurse një lloj tjetër masteri është i nivelit të tretë.

E gjashta, shumë pak rregulla dhe norma për universitetet private, a thua se shteti do të merret vetëm me universitetet shtetërore, sepse për natyrën publike të tyre, as bëhet fjalë, sa kohë edhe në borde do të vijnë nëpunës që do të kontrollojnë shumicën e vendimeve kryesore, edhe nga bashkitë do të vijnë (imagjinoni sikur bashkia e Korçës të ketë edhe kontrollin mbi universitetin e Korçës, a thua se është i saji, kushedi se çfarë mund t'i pjelli mendja), kurse privati është lënë i lirë të bëjë gati çfarë të dojë, si tigri në pyll, pa rregulla të brendshme dhe pa përgjegjësi sociale. Vetëm se shteti do të ketë në dorë ta shuajë apo ta ndezë … Sus !

Kam dëshirë të shoh se çfarë do të bëjnë reformistët – tarifistë, pasi mbështetën shkollën liberale, si ndërmarrje domatesh, a do të mbështesin edhe modelin shtetist, si kazermë ? E bëjnë disa prej tyre sepse si servila që janë, ajo pjesë, nuk ka rëndësi përmbajtja e reformës, rëndësi ka vetëm të jesh në anën e qeverisë, se atëhere ha mish e oriz. Oriz ore, oriz. Pavarësisht se kjo nuk është as detyra e as nderi i intelektualit që ndërton me pozivitet, por në mënyrë kritike, e nuk bën kompromis për idealet dhe mendimet e tij.

Por, reformisto-tarifistët janë "çil" e "mbyll", rëndësi ka që të duken me pushtet, çfarë rëndësi që një herë në gjashtë muaj ndryshojnë si balonë tauke pozicionin e tyre!

SHKARKO APP