Prokuroria dhe Policia duel për Xhuvanin
Mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë janë shkëmbyer dje deklarata “sqaruese” për opinionin, por që më shumë ngjanin si akuza të ndërsjella. Çështja ka të bëjë me një ngjarje që ka ndodhur gjatë këtij viti dhe që lidhet me autorin e vrasjes së 4 personave. Një incident i ndodhur në Gjirokastër, sipas policisë, ka pasur për autor pikërisht Konstandin Xhuvanin. Në bazë të dëshmive që ka marrë policia, Xhuvani ka kërcënuar më armë një person në Gjirokastër dhe ka qëlluar disa herë në ajër. Për këtë vepër penale, të ndodhur në 24 prill të këtij viti, policia ka bërë shpalljen në kërkim të Xhuvanit. Nëse Xhuvani do të ishte arrestuar dhe do të kishte nisur procedimi penal, 26-vjeçari do të ishte pas hekurave dhe jetët e katër personave pardje mund të kishin shpëtuar. Pra nuk do të kishim katër të vrarë. Por edhe për vetë djalin e deputetes nuk do të kishte një derë qelie burgu afatgjatë, ku mund të kalojë gjithë jetën e tij. Diçka e tillë nuk ka ndodhur. Xhuvani ka qenë i lirë gjatë gjithë këtyre muajve. Sipas policisë, mos arrestimi i tij lidhet me faktin se Prokuroria nuk ka kërkuar masën e arrestit dhe sipas procedurave, nëse nuk ka kërkesë nga Prokuroria shpallja në kërkim nuk vlen më. Një kërkesë e tillë duhej bërë nga Prokuroria e Gjirokastrës ku ndodhi ngjarja e muajit prill. Dje, kjo Prokurori ka nisur një deklaratë ku i përgjigjej policisë lidhur me faktin se përse nuk kërkoi arrestimin e Xhuvanit. Sipas Prokurorisë së Gjirokastrës, personi i cili dyshohej për ngjarjen në qendër të qytetit nuk ka qenë Konstandin Xhuvani. Kjo argumentohet me faktin se në të njëjtën ditë kur ka ndodhur ngjarja Xhuvani ndodhej në Elbasan, i shtruar në spitalin psikiatrik. Jo për shkak të problemeve me shëndetin psikologjik, por për shkak të konsumimit të alkoolit. Kjo është alibia që ka dhënë Xhuvani për ngjarjen në fjalë, duke nxjerrë në rregull me ligjin Prokurorinë dhe Policinë, për këtë rast, por nuk largon hamendjet dhe dyshimet për rastet e tjera të këtij autori. Dyshimet mbeten se këtu ka spekulime për shtrimin në spitalin psikiatrik. Por nëse çështja e Spitalit Psikiatrik mund të dalë gjatë procesit të gjykimit, si një alibi tjetër për të lehtësuar pozicionin e autorit, kjo do të ishte diçka e që do ngrinte dyshime të tjera edhe më të rënda lidhur me procesin. Nëse kjo është një lojë fine, për ta shpëtuar nga dënimi në rastin e vrasjes së katër personave pardje mbetet për tu ndjekur hap pas hapi.
Emri i Xhuvanit është përmendur dhe në rezistencën me armë që ju bë policisë në Lazarat dhe në Kurvelesh, gjatë operacioneve anti-kanabis. Në këtë rast, dyshimet u hodhën poshtë nga ish-deputetja e Partisë Socialiste, Luiza Xhuvani, duke e sjellë djalin e saj para Parlamentit dhe para gjithë kamerave duke përgënjeshtruar deklaratat e vet policisë dhe disa deputetëve të opozitës. Derisa alibitë për institucionet qëndrojnë, askush nuk ka mundësi të thotë të kundërtën, megjithatë pas gjithë këtyre akuzave dhe dyshimeve institucionet mund të kishin vepruar ndryshe. Derisa emri i Xhuvanit lakohet në jo pak raste që janë bërë publike për shkelje të rënda të ligjit, si ka mundësi nuk është vendosur nën vëzhgim nga policia? Ajo që e bën dhe më serioze ngjarjen është fakti se një person me precedentë të tillë kriminalë lëvizte sërish i armatosur. Si ka mundësi që ai nuk survejohej nga policia e kryeqytetit, ndërkohë që njihej si person problematik? A nuk do të ishte më mirë edhe për atë vetë, edhe për familjen e tij të nderuar, edhe për jetët e katër vetave që u vranë pardje, nëse ai do të survejuar ose edhe më saktë arrestuar për çka dyshohej se kishte bërë?
Askush nuk vë në dyshim reagimin profesional të policisë gjatë ditës së ngjarjes, arrestimin e autorit të dyshuar dhe marrjen e masave të mëpasshme. Por e gjithë ngjarja duket si kronikë e një vrasje të paralajmëruar, ku Policia, Prokuroria dhe sidomos Gjykatat janë zbutur përballë rreptësisë më të cilën duhet të zbatonin ligjin.
Tashmë loja për të justifikuar secili institucion vetveten për rastin Xhuvani nuk ka asnjë kuptim, ndërkohë që kemi katër të vdekur e një djalë 26 vjeçar që rrezikon burgim të përjetshëm, nëse vërtetohet se ai është vrasësi, siç edhe akuzon prokuroria.