Prokuroria kërcënon me arrest Ramën
Sot kryeministri Rama foli prerë se nuk do të votojmë për arrestimin e Saimir Tahirit, por tha që të hetohet i lirë. Edi Rama akuzoi prokurorinë si të paaftë dhe aludoi si e përdorur politikisht. Ky version i tij u kundërshtua ashpër nga prokuroria direkt pas fjalës së kryeministrit. Gjithashtu kryeministri si me marifet e përjashtoi de facto nga PS dhe nga grupi parlamentar, deputetin e akuzuar Saimir Tahiri. Diçka ka parandjerë kryeministri Rama. Kreu i qeverisë mund të ketë informacione sekrete nga shërbimet partnere ose ka frikë se mos ish-ministri Tahiri është i përzier në këtë histori të madhe trafiku ndërkombëtar droge. Realisht e përjashtoi dhe ua hodhi në gijotinën e prokurorisë.
Vendimi i kryeministrit sot mund të shikohet në dy variante. E para se ka informacione se do arrestohet më vonë, ndaj duhet larguar sa më shpejt nga vetja, politikisht. Ky variant lidhet me atë se nuk ka gisht Rama në këto lidhje kriminale për të cilat akuzohet ish-ministri. Dhe e dyta, prapë dyshon, se arrestimi do jetë i pandalshëm dhe mund të flasë ish-ministri se çka bërë kryeministri dhe qeveria. Pra varianti dy kompremton edhe Ramën. Ndaj tha se “nëse bindemi do votojmë arrestimin e tij”. Rama dëshiron ta heqë nga zverku i tij, por edhe nuk guxon se nuk i dihet se çka Tahiri nëpër sirtarët e tij, ku tregojnë në ministrinë e brendshme se ai ka bërë tre netë duke ngarkuar materiale, dvd, etj nga zyra e tij për në shtëpi. Tashmë i ka hequr edhe nga shtëpia nga frika e kontrollit të papritur të prokurorisë.
Frika që ka pushtuar një pjesë të ministrave, pas kësaj që po del përditë e më shumë dhe sidomos nga dosja italiane, të krijon idenë se “ku ka zë, nuk është pa gjë!”. Kësisoj ka dosje në hetim, edhe më lart se sa Saimiri. Ndërkohë po hetohet një dosje korrupsioni në prokurorinë e krimeve të rënda për një ish-ministër, por që fijet shkojnë te kryeministria. Po flitet për një “Don Angelo”, por akoma prokurorët nuk ia nxjerrin emrin e vertetë. Kështu thonë, nën zë, burime te kjo prokurori.
Ishin duke u marrë prej muajsh me këtë dosje, por u doli në rrugë dosja Tahiri. Përplasja kryeministër-prokurori po krijon bindje në organin e akuzës që të fillojnë për kërkesën zyrtare për të kërkuar arrestimin e shefit të Ilir Beqes në dosjen e ministrisë së shendetsisë, por pa harruar se deri ku do nxjerrë “peshq” dosja Tahiri. Një grup prokurorësh kanë muaj që po hetojnë për tenderimet qindra milionë euro nga qeveria në fushën e shendetsisë.
Ndaj sot në deklaratën e saj prokuroria e krimeve të rënda e lëshoi sinjalin, mes rreshtave të saj. Ja se si e ngul thikën prokuroria: Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika.
Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë.
Prokuroria për Krime të Rënda është e bindur se i gjithë faktori politik shqiptar, i mbështetur edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, hartuan Reformën në Drejtësi, duke pasur si guidë të suksesshme përvojën kroate e rumune, të cilat i ndihmuan për t’u integruar në Bashkimin Europian- e mbyll prokuroria deklaratën e saj
Pra dosja e cila po hetohej prej muajsh, që dje, paralel me dosjen Tahiri po merret me intensitet nga prokurorët e krimeve të rënda. Por Edi Rama nuk është ish-kryeministri kroat, të thonë në selinë e PS. Eshtë Saliu për arrest, shtojnë nga zyrat e kryeministrisë.
Prokuroria ia kujtoi për shantazh rastin kroat, zotit Rama, apo ka vërtet në tavolinë kërkesën gati për autorizim në Kuvend?