Prokuroria po përgatit kërkesën për arrestimin e deputetit të PD

Gentian Osmani, zv.drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda ka firmosur urdhër arrestin për autorin që pretendoi se kishte audio-përgjimin e vëllait të ministrit të brendshëm. Sipas prokurorisë ky është mashtrim.

Konkretisht mbi Albert Veliun, i cili u cilësua dëshmitari “X” apo “Babalja” rëndon akuza e kallëzimit të rremë. Veliu akuzohet dhe për kalim të paligjshëm të kufirit, pasi pas publikimit të audio-përgjimit u largua nga Shqipëria drejt Kosovës.

Akuza e kallzimit të rremë rëndon dhe mbi kunatin e Fredi Alizotit, njeriu që dyshohet se dubloi zërin e Agron Xhafajt në përgjimin e sajuar, sipas prokurorisë. Gjithashtu prokuroria ka dhënë masën detyrim paraqitje për gazetarin Olldashi, që intervistoi “Babalen”. Edhe ndaj gazetarit mësohet se rëndon akuza për kallëzim të rremë.

Prokuroria mori në pyetje një ditë më parë edhe deputetin e PD, Edvin Saliani. Deputeti  ishte ai që nxori nga selia e PD-së dosjen në fjalë duke akuzuar se gjithçka ishte e vertetë dhe një skandal shtetor. Por tashmë prokuroria ka firmosur urdhër-arrestet se gjithçka është manipuluar nga këto persona, duke bërë gati edhe një kërkesë për Kuvendin e Shqipërisë, ku do të kërkoj autorizim për arrestimin e deputetit Saliani. Nuk dihet nëse autorizimi do të depozitohet javën që vjen në protokollin e Kryesisë së Kuvendit apo do të presin se mos PD-ja do ta radikalizojë situatën me protesta popullore për rrëzimin e qeverisë.

Sipas burimit nga prokuroria derisa të gjithë janë penalizuar për rastin në fjalë si manipulues dhe fallsifikues, edhe deputeti ka patur dijeni se gjithçka ishte një sajesë politike. Ndërsa vetë deputeti Saliani ka thënë ndër të tjera, pas thirrjes në prokurori, se “Është e provuar se sa herë kapet në krim, Edi Rama arreston denoncuesit dhe jo kriminelët, duke përdorur çdo shantazh në favor të skenarit të tij kriminal”.

 

SHKARKO APP