Protesta e madhe e Opozitës para Kryeministrisë. Pritet përplasje si në Paris
-Sot do përballen dy frontet politike se cila palë mbledhë me shumë njerëz. Në qytetin bregdetar do shkojnë me qindra autobuzë me militantët e PS-së dhe administratës shtetore, me urdhër dhe te shoqëruar me polici, ndërkohë që në kryeqytet qytetarët do mbërrijnë për të rrëzuar Edi Ramën me çdo mjet e formë. Parisi, thonë disa protestues, do duket lule përballë Tiranës sot.
-Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi: O sot o kurrë do ta rrëzojmë Edi Ramën si kryetar të një bande qeveritare, si një kryeministër që punon për një grup biznesmenësh shqiptarë, si një drejtues e bashkëpunëtor të bandave të krimit të organizuar, si një politikan që punon kundër Kombit. Në ora 10.00 fillon përballja para Kryeministrisë. Plani mbetet të rrethojnë kryeministrinë deri sa të jap dorëheqje nga kryeministër, Edi Rama.
E shtuna e sotme pritet të jetë një ditë jo e zakonshme për Shqipërinë. Analistët thonë se do mbetet në memorie të gjatë historike. Opozita e bashkuar e drejtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbajnë në orën 10:00 një nga protestat më të madha të viteve të demokracisë shqiptare. Drejtuesit e Frontit Opozitar e kanë përcaktuar 16 shkurtin si një nisjen e një betejë që do të ketë vetëm një fund; largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie transitore që do të sigurojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Por edhe integrimin e vendit në BE. Tubimi opozitar nuk pritet të jetë i zakonshëm. Atë që nuk e thonë drejtuesit e opozitës për mënyrën e zhvillimit të protestës, e thonë qytetarët e revoltuar, të cilat nuk përjashtojnë asnjë skenar duke përshirë dhe përplasjet e dhunshme. Një tip modeli francez në Tiranë. Zyrtarisht opozita ka kërkuar leje për tre zona përreth Kryeministrisë. Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin përballë Piramidës dhe në rrugën përballë hyrjes lindore të Kryeministrisë. Praktikisht bëhet fjalë për një ‘rrethim’ të godinës së qeverisë nga qindra mijëra qytetarë që pritet të jenë në shesh, me një protestë që nis sot dhe nuk dihet se kur do të përfundojë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha paralajmëroi dje se të shtunën (sot) “qytetarët do ta vendosin përpara dy alternativave, përpara drejtësisë ose në azil politik t’i bashkohet Gruevskit”.
Opozita i ka publikuar qëllimet e saj të protestës dhe tashmë, pritet përgjigja zyrtare e Edi Ramës ndaj kërkesave të opozitës. Shenjat që ka dhënë deri më sot qeveria, Edi Rama dhe gjithë PS, flasin për një përplasje dhe betejë finale. Protestës së pritshme të opozitës që kërkon largimin nga karrigia e kreut të qeverisë, Edi Rama i është përgjigjur me një provokim të pastër politik. Në të njëjtën orë që opozita do të jetë në shesh para Kryeministrisë, Edi Rama ka thirrur një takim në dukje rutinë me socialistët në Vlorë. Në qytetin që e ka zgjedhur deputet dhe që njihet si bastion i së majtës, Edi Rama është shpërngulur me gjithë kabinetin qeveritarë dhe truprojat e gardës. Ky takim, që u servir si dialog me socialistët për “Bashkinë që duam” në fakt është një antimiting klasik. Krahasimi me këtë gjest të Edi Ramës mund të gjendet vetëm në vitet ’90, kur në sheshet e Tiranës rrëzohej busti i Enver Hoxhës, ndërsa nëpër fshatra dhe rrethe komunistët mblidhnin firma dhe protestonin me “Vullnetarët e Enverit” për të ruajtur sistemin komunist. Në ato vite lëvizjet e fundit të burokratëve të sistemit dukeshin qesharake, ndërsa sot zhvillimi i antimitingjeve është hap i rrezikshëm që i hedh edhe më shumë benzinë zjarrit të protestave opozitare. Për antimitingun e Ramës sot në Vlorë janë vënë në lëvizje gjithë socialistët nëpër rrethe. Deputetët e PS kërkojnë pjesëmarrje masive dhe madje kanë kërcënuar nëpunësit shtetërore se nëse nuk shkojnë në takim do të pushohen nga puna.
Qëllimi i PS dhe Ramës është që pjesëmarrja në Vlorë të jetë aq e madhe sa të krahasohet me pjesëmarrjen e opozitës në Tiranë. Më pas, kreu i qeverisë do të dijë të luajë lojën e propagandës te ndërkombëtarët duke thënë se shqiptarët e duan dhe ishin më shumë me atë në Vlorë sesa me opozitën në Tiranë. Në fakt, sado nëpunës të jenë marrë me dhunë nga administrata nesër në Vlorë dhe çfarëdo mesazhi të jap Edi Rama nga Sheshi i Flamurit, për opozitën dhe ndërkombëtarët sinjali i qartë është dhënë që sot. Kreu i qeverisë nuk ka ndërmend të ikë dhe për hir të karriges kryeministrore është gati të provokojë dhe përplasje të rrezikshme me antimitingje dhe diversione gjatë protestës së opozitës. Qindra autobuzë dhe mikrobuzë janë vënë në dispozicion të antimitingut në Vlorë. Policia hap udhën për antimitingun e Vlorës dhe bllokon protestuesit të arrijnë në Tiranë për para kryeministrisë. Në kulmin e protestës opozitare dhe qytetare, të zhvillosh mitingje partiake në të njëjtën orë dhe të njëjtën ditë është jo vetëm papërgjegjshmëri politike, por edhe ftesë për konflikt me palën tjetër. Dhe me qëndrimet që ka mbajtur Qeveria, Policia e Shtetit dhe antimitingun e Vlorës, Edi Rama jo vetëm po nxit konfliktin, por po e krijon vetë atë. Nëse do të ketë përpalasje, qeveria dhe PS nuk mund të tregojnë me gisht opozitën, por duhet të kërkojnë përgjegjësitë edhe brenda tyre.
Sot përballja është e paevitueshme. Protestuesit do rrethojnë me çdo mjet e formë godinën e kryeministrisë. Nga ana e saj policia ka marrë udhër të përdorin dhunën nëse tentohet një plan i tillë. Por burime nga selitë PD dhe LSI thonë se mund të hyjnë dhe në katin e parë të kryeministrisë, pa thyerje apo djegie, por vetëm duke e pushtuar derisa Edi Rama të jap dorëheqjen nga kryeministër.
Sot Tirana vendos, kurse Vlora prej kryeministrit vetëm sa i ka fryrë zjarrit./Qamil Xhani/