Protesta iku, por çfarë do të bëjë tani Opozita?
Data 27 janar iku dhe mbeti në memorie si një nga protestat më të mëdha të partive opozitare në historinë e këtyre 27 viteve pluralizëm. Nuk pati asnjë incident, përkundrazi manifestoi zemërim ndaj qeverisë dhe kulturë ndaj vendit për të mos djegur apo shkatërruar asgjë. Në të vertetë ishte paralajmëruar edhe nga liderët kryesorë të opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, se protesta do ishte manifestim i numrit të popullsisë së pakënaqur me kryeministrin Rama.
Dhe e realizoi protesta. Por njerëzit pyesin: Përherë do mblidhemi dhe do bërtasim kundër kryeministrit Rama apo edhe do veprojmë për ta bllokuar qeverisjen e tij arrogante dhe kriminale, siç shprehen Basha dhe Kryemadhi. Edi Rama për debat, fjalë apo humor ironik mbetet kampion. Nuk ia kalon as Saliu dhe të gjithë, sikur të mblidhen bashkë. Ai njeh forcën, ka frikë përballjen me popull. Përderisa opozita thekson se është qeveri krimi, duke treguar me gisht ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, miku më i ngushtë i Ramës; atëhere çfarë do bëjë opozita pas protestës se 27 janarit? Do festojë se numri i pjesëmarrsve ishte i madh apo do jetë me konkrete në protestën tjetër? Nëse protesta tjetër do jetë pa plan konkret përballje dhe rrëzimi të Edi Ramës, do jetë një protestë e cila do rezultojë më e vogël në numër, pra zhgënjim nga pushteti, por dhe zhgënjim nga opozita se nuk ka takat veprimi.
Ndaj liderët e opozitës nuk duhet të festojnë se 27 janari kishte shumë popull. Duhet veprim. Ndryshe nuk te vjen njeri më në Tiranë.
A ka plan konkret opozita për ta rrëzuar kryeministrin apo njëra pjesë brenda opozitës flirton me Edi Ramën dhe ngadalëson pjesën radikale të opozitës? Kjo do duket nëse opozita do vijojë të mos jetë konkrete dhe e vendosur për përballje finale.
Natyrisht që kryeministri Rama e di mjaft mirë se ç’ndodh brenda opozitës, pasi ka informatorët e tij.