Protestë dhe amerikani që vjen me porosi nga Uashingtoni
Sot pritet të jetë një nga ditët më të tensionuara të krizës politike në vend. Afatet ligjore për zgjedhje normale kanë skaduar. Tashmë PD-ja do tregojë muskujt me protestën e sotme aq me tepër që ditën e hënë pritet të zhvillohen bisedime me zv/ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit zoti Hoyt Brian Yee, i cili vjen direkt nga Uashington për të gjetur një zgjidhje finale të krizës. Vizita e diplomatit amerikan që njihet për qëndrimet e prera dhe të forta, pritet ti jap fund dilemave të opozitës, por edhe qëndrimit të mazhorancës. Hoyt Brian Yee rri përhërë buzagaz, por pas asaj fshihet një vendosmëri amerikane, e cila nuk pranon kurrsesi të dështojë.
Por para mbërritjes në Tiranë të diplomatit të SHBA, vendi do të kalojë një sfidë force të Partisë Demokraitike. Protesta e sotme është cilësuar e tillë nga vetë PD-së, një demonstrim i forcës së opozitës me pjesëmarrjen masive në tubim dhe pa dhunë. Demokratët kanë marrë masat që sot Tiranë të ketë në shesh më shumë njerëz se në çdo miting tjetër të zhvilluar më parë nga selia blu. Ish-kryeministri Sali Berisha foli dje për rreth 500 mijë protestues, ndonëse duket e hipërbolizuar. Edhe pse kjo shifër është disi e ekzagjeruar, burime nga PD flasin se pjesëmarrja do të jetë rreth 200 mijë vetë. Pas 85 dite protestë në çadër, PD ka menduar që të demonstrojë mbështetjen popullore me një tubim masiv kundër Edi Ramës. Edhe pse ka pasur shumë deklarata dhe thirrje për dhunë, dje drejtues të lartë të PD-së kanë zbutur në maksimum tonet. Kreu i PD-së dhe deputetë të tjerë të opozitës kanë përsëritur se do të jetë një tubim paqësor dhe pa asnjë incident. Si garanci për këtë normalitet deputetët e PD-së kanë deklaruar se do të jenë në mitig së bashku me fëmijët dhe bashkëshortët e tyre. Ajo që deklarojnë demokratët është se shenja e forcës do të jetë vetëm me numrin e pjesëmarrësve në tubim. Shpresohet të mbetet kështu, nëse nuk ka skalione që do ta destabilizojnë.
Nga ana tjetër policia ka marrë masat si asnjë herë më parë për tubimet e zhvilluara në Tiranë. Janë të paktën 3500 forca policie që nesër do të jenë në terren për tubimin e opozitës. Të gjitha shërbimet policore, forcat speciale, anti-terrori, RENEA dhe gjithë struktura e sigurisë së vendit ka kaluar në gatishmëri të plotë. Edhe reparte të veçanta të ushtrisë kanë marrë urdhërin të jenë në gatishmëri, në rast se do të ketë cenim të rendit dhe institucioneve të sigurisë së veçantë. Forcat e ushtrisë nuk do rrijnë afër kryeministrisë. Demokratët thonë se në asnjë rast nuk do ushtrojnë dhunë, ndërkohë që u druhen provokimeve nga ana e Policisë së Shtetit, sipas selisë blu. Në gjitha protestat e zhvilluara policia ka qenë korrekte duke mos tejkaluar kompetencat. Mbetet të shihet nëse të dyja palët do të respektojnë ligjin dhe do tregojnë se u intereson normaliteti apo destabiliteti. Sepse një gabim i vogël nga secili kamp mund të kthehet në një situatë shpërthyese të imagjinueshme. Mjafton një shkëndijë e vogël dhune dhe nuk dihet përfundimi. Nga selia blu thanë mbrëmë për “Koha Jone” se i druhen infiltrimeve të policisë së Ramës të future civilë mes protestuesve për të provokuar policinë dhe më pas nuk dihet fundi i përballjes
Në krizën politike aktuale nuk është më e rëndësishme protesta, sesa ajo që do të ndodhë pas protestës së sotme. Drejtuesit e PD-së sot do jenë në shesh, por mendjen duket se do e kenë në takimin e ditës së henë më të dërguarin e Uashingtonit në Tiranë. Vizita e zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee do të vendos dhe se cili është qëndrimi përfundimtar i SHBA lidhur me krizën politike në Tiranë.
Burime shumë të besuara tregojnë se zv/ndihmëssekretari amerikan i Shteti të hënën do të takohet me gjithë drejtuesit kryesor politikë në vend; me Presidentin e zgjedhur zotin Ilir Meta, me Edi Rama dhe Lulzim Basha. Përveç se do të dëgjoj qëndrimet e palëve, diplomati amerikan i cili është njohur me detajet e krizës edhe nga vizita e kongresmenëve disa ditëve më parë, pritet të jap dhe propozime konkrete për daljen nga kriza. Basha dhe Rama pritet të kenë në tavolinë, gjatë takimit me diplomatin e SHBA, propozimet e fundit të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës. Për shkak të dështimit të gjithë negociatorëve të tjerë, vizita e zyrtarit të SHBA dhe propozimet e tij pritet të jenë shansi i fundit. Një shans që Lulzim Basha dhe Edi Rama nuk mund ta kundërshtojnë. Nga ajo që flitet në dy kampet, propozimi i SHBA pritet të jetë një gërshetim i kushteve të reja me paketën e negociatorit të PEE, David Mekallister.
Janë të paktën pesë pika të cilat mund të jenë në tavolinë; shtyrja e zgjedhjeve deri në muajin korrik, zbatim i paketës “Mekallister”, futja e PD në zgjedhje, monitorim amerikan i zgjedhjeve dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor duke parashikuar masa të rrepta për shitblerjen e votës, apo manipulimin e zgjedhjeve.
Ndaj protesta e sotme do të jetë një tubim i madh i PD-së, por fati i aksionit të Lulzim Bashës dhe zgjedhjeve normale vendoset të hënën. Diplomati Hoyt Brian Yee cilësohet si dorë e fortë e diplomacisë amerikane dhe “mjeshtër” i negociatave të vështira. Palët duhet të kuptojnë se këtë herë nuk mund “luajnë” si me negociatat me PPE. Nëse refuzohet diplomati i SHBA, praktikisht Basha apo Rama zënë radhën për të hyrë në listën e zezë të Shtëpisë se Bardhë.
Të hënën, nëse sot nuk ka rrëmujë apo shkarje në destabilitet nga protesta, Lulzim Basha dhe Edi Rama nuk mund të bëjnë shaka me zyrtarin amerikan që mbërrin vetëm për këtë krizë politike.
Nëse sot degjeneron protesta nuk dihet se si do vijë e hëna!