Protestë e keqpërdorur për Parkun

Prej disa ditësh Partia Demokratike dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë nisur një betejë kundër një projekti të Bashkisë së Tiranës në Parkun e Kodrave të Liqenit. Për protestuesit që shkatërrojnë punimet e nisura në park do të ndërtohet një projekt që dëmton mjedisin. Për Bashkinë e Tiranës, projekti është një kënd lojërash për fëmijë, i ideuar nga një arkitekt gjerman dhe që do të sjellë një argëtim më shumë për banorët e Tiranës. Në Bashki këmbëngulin se projekti nuk dëmton mjedisin dhe nuk pret asnjë pemë nga ato ekzistueset. Por për protestuesit pas projektit fshihen biznese të tjera që mund të dëmtojnë parkun e vetëm të kryeqytetit.

Mënyra sesi po zhvillohet protesta disaditore ngre jo pak probleme për vetë kauzën e protestuesve. Kërkesat e PD-së dhe shoqërisë civile janë një, por qëllimet, të cilat i bashkojnë janë të ndryshme. Partia Demokratike e ka parë këtë projekt si një arsye më shumë për të sulmuar kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Janë të njëjtët këshilltarë të PD-së në Këshillin Bashkiak që dikur firmosnin edhe leje për ndërtime pallatesh në qendër të parkut. Janë po ata këshilltarë të PD-së që nuk shqetësoheshin edhe kur priheshin pemë për dru zjarri nga Parku dhe që sot janë hedhur në një sulm të ashpër. Sjelljet e PD-së në pushtet, kur kanë vepruar shumë më keq me pronën publike e vë në pikëpyetje gjithë aksionin e këtyre ditëve. Përballë zhurmës së PD-së, shoqëria civile duket si një seksion i selisë blu dhe nuk kuptohet se cilat janë kërkesat e saj. Sepse duke u bashkuar me PD-në kauza e tyre po keqpërdoret.

Nga ana tjetër, mënyra si protestohet është një problem më vete. Gjatë ditëve të fundit janë shkaktuar jo pak dëme në vetë Parkun e Liqenit. Dje, ironia ishte se teksa protestonin për pemët, disa protestues u fotografuan duke shkulur vetë disa pemë. Në këtë kuptim, cili është qëllimi i vërtetë i protestës, të mbrojë Parkun apo vetëm të dëmtojnë një projekt të Veliajt? Ashtu si çdo protestë tjetër edhe dje gjërat kaluan në tepri. Një pjesë e protestuesve dëmtuan disa makina të firmave private që ka marrë bashkia për ndërtimin. Janë pajisje që kushtojnë miliona lekë dhe kostoja e riparimit të tyre do të paguhet po nga qytetarët. Ashtu siç ishte e pakuptimtë që sulmi të bëhej ndaj godinës së Bashkisë së Tiranës apo ndaj punonjësve të policisë. Sulme të tilla nuk e ndalojnë pushtetin vendor të zbatojë projektin, vetëm sa shtojnë kostot në xhepat e qytetarëve.

Në këtë rrëmujë dhe dhunë, prishje objektesh, protestues dhe deklarata të Bashkisë është pak e vështirë të kuptosh se kush ka të drejtë. Por përballë pretendimeve të protestueseve kemi disa dokumente dhe qëndrime të Bashkisë. Drejtuesit e Bashkisë thonë se projekti nuk dëmton mjedisin, por sjell një hapësirë më shumë për fëmijët. Dje, arkitekti gjerman që ka ideuar Parkun e Lojërave tha se nuk kishte asnjë ndërtim, por vetëm ambiente shplodhëse. Nëse një sqarim  i tillë do të ishte bërë më parë, numri i atyre që sulmuan gardhin do ishte shumë herë më i pakët. E vetmja kritikë që duhet bërë për Bashkinë e Tiranës në këtë rast është mënyra sesi u paraqit projekti. Nëse drejtuesit e Bashkisë dhe zbatuesit e projektit do të kishin dalë më parë për të sqaruar gjithçka sot nuk do të ishim në këtë pikë. Do ishte më mirë që në nisje të punimeve, bashkia të kishte bërë transparencë. Ata që thonë se përfaqësojnë shoqërinë civile mund të ishin ftuar në një takim publik, të njiheshin me detajet dhe më pas do të ishte më e lehtë edhe për ata për të bindur njerëzit. Kjo do të shmangte dhe imazhin e keq të dhunës së policisë ndaj protestuesve ditën e diel. Nga ana tjetër edhe opinioni do të ishte më i qartë nëse drejtuesit e Bashkisë do të kishin mbrojtur që në fillim me argumente bindëse projektin e ri. Bashkia thotë se është një park lojërash për fëmijë dhe nuk ka asnjë qytetar të Tiranës që të jetë kundër një projekti të tillë. Përkundrazi, ide të tilla duhen mbështetur dhe Bashkia duhet të bëjë më tepër.

Por Bashkia ka nevojë që të jetë më e hapur për vetë transparencën e saj, pasi do të ishte më qytetare nëse do të kishin shpallur apo harxhuar lekë për të bërë debate apo reklama për projektin dhe në fund qytetarët krijonin një ide më të qartë se ç’po ndodh në Parkun e qytetit.

SHKARKO APP