Protestë e madhe, por vetëm paqësore

Opozita po përgatitet që të shtunën, me 27 janar, të zhvillojë një nga protestat më të mëdha në vend. Pjesëmarrja në këtë tubim, sipas partive opozitare, pritet të jetë më masivja e viteve të fundit. Ndërkohë që një pjesë e mazhorancës thirrjet për të protestuar i kanë interpretuar si paralajmërime të akteve të dhunshme që mund të ndodhin gjatë tubimit. Burime nga dy forcat kryesore politike të opozitës bëjnë me dije se protesta do jetë shumë e madhe, por vetëm paqësore. Asnjë prej strukturave të partive që do jenë pjesë e tubimit nuk ka marrë orientime për të kryer akte dhune, apo përplasje me forcat e rendit.

Tubimi do të nis në orën 12:00 para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombimit”. Drejtuesit e partive kanë angazhuar struktura të posaçme që protestuesit të mbahen nën kontroll dhe të mos ketë incidente, sepse më pas po filloj përplasja nuk ndalon më. Ajo që nuk parashikohet është çfarë do të ndodhë nëse protestuesit provokohen, por synimi i opozitës është që tubimi të jetë paqësorë. Sipas PD dhe LSI mesazhi i kësaj proteste nuk është dhuna, por pjesëmarrja. Një pjesëmarrje masive e shqiptarëve është përgjigja më e mirë për problemet e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Është një mesazh për ndërkombëtarët se populli nuk e do qeverinë e zotit Rama.

Prej më shumë se një muaji, dy partitë që kanë peshën kryesore në opozitë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, por dje edhe PR e Fatmir Mediut, kanë zhvilluar takime në qytetet kryesore të vendit ku kanë sqaruar motivet e protestës. Kryedemokrati Lulzim Basha ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama për lidhjet me drogën dhe keqqeverisjen e vendit. Kreu i PD-së deklaroi dje në Shkodër se në 27 janar shqiptarët do t’i thonë Edi Ramës se koha e tij ka mbaruar. Në këto takime, Basha ka shprehur hapur ambicien e tij për të marrë drejtimin e qeverisë, por ka qetësuar dhe ndërkombëtarët kur ka deklaruar se do të bëhet Kryeministër me vota dhe jo me dhunë. Për kreun e PD, 27 janari është vetëm nisja e rrugëtimit të protestave për të detyruar Edi Ramën të largohet.

Mjaft e ashpër në qëndrimet e saj ka qenë dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Në takimet me elektoratin e LSI-së dhe qytetarët, Monika Kryemadhi ka bërë një fushatë që shkon përtej LSI-së dhe partive. Ndryshe nga Basha që u drejtohet demokratëve dhe opozitarëve, Kryemadhi ka zgjedhur t’u drejtohet shqiptarëve. Për kryetaren e LSI, protesta e 27 janarit nuk është tubimi i demokratëve dhe LSI, por tubimi i qytetarëve dhe të rinjve që duan të ndryshojnë vendin. Sipas saj, nëse qytetarët nuk dalin në shesh të shprehin pakënaqësinë ndaj Ramës, vendi do të qeveriset edhe më keq. Dje në takimin me strukturat e LSI në Njësinë Nr. 8 në Tiranë, Kryemadhi u shpreh se dikur shqiptarët u larguan nga diktatura komuniste, ndërsa sot po ikin nga vendi për shkak të diktaturës së krimit. Ajo tha se shqiptarët po ikin emigrantë dhe azilantë edhe në vitin 2018 dhe kjo është arsyeja se përse qytetarët duhet të protestojnë.

Sipas selisë blu mendohet se ditën e shtunë do jenë mbi 100 mijë protestues para kryeministrisë. Ndërkohë policia ka marrë urdhër të prerë nga ministri Fatmir Xhafaj se në asnjë mënyrë nuk duhet që policia të provokojë, por të respektojë ligjin. Megjithatë ka informacione se akoma ka elementë policorë të kohës së ish-ministrit Tahiri, të cilët mund të provokojnë që të plasin incidentet dhe fatura politike ti shkojë ministrit Xhafaj.

Të shtunën do shikohet sa forcë ka opozita me njerëz dhe sa korrekte do jetë policia e shtetit.

Q.Xh.

SHKARKO APP