Protestë e vakët,por Rama antimiting

Ata që nuk kanë një adresë në Facebook dhe rrjetet e tjera sociale ka mundësi që të mos e kanë marrë vesh realisht që dje u zhvillua një protestë kundër ligjit për importin e mbetjeve në vend. Në të njëjtën orë kur Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) dhe shoqatat e tjera nisën protestën, Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama hapën punimet e Asamblesë Kombëtare. Edhe pse shoqatat kishin më shumë se një javë që njoftuan mbajtjen e protestës, zhvillimi i saj u pasqyrua pak, ose aspak në media. Televizionet kryesore që transmetojnë direkt, zgjodhën që të pasqyronin fjalimin e gjatë prej 1 orë e 30 minutash të Kryeministrit në Asamblenë partiake të PS-së. Me pak përjashtime mediat vendosën vetëm disa sekuenca nga protesta. Ose u zgjodh modeli i ndarjes së ekranit në dy pjesë, një për protestën dhe një për Kryeministrin. Vetëm se të drejtën e fjalës e kishte vetëm Kryeministri. Sikur të mos mjaftonte Kryeministri edhe Federata Shqiptare e Futbollit kërkoi hapësiren e saj mediatike me një konferecë direke të tranjerit të kombëtares së futbollit Xhani De Biazi, pikërisht në orarin e fillimit të protestës. Një dalje në media e trajnerit të kombëtares sikur dukej e mirëmenaxhuar nga FSHF-Kryeministri. Tamam për të spostuar vëmëndjen nga protesta.

E gjitha kjo nuk ishte rastësi. Siç nuk ishte rastësi që mbledhja e Asamblesë së PS-së u vendos vetëm pasi shoqëria civile publikoi datën dhe orën e protestës. Nuk ishte rastësi që Asambleja nuk u hap nga Kryetari i saj, Gramoz Ruçi, por fjalimi i Ramës nisi në të njëjtën orë kur protestuesit ishin para godinës së Kryeministrisë. Nuk ishte rastësi as fjalimi i Ramës për reformat e qeverisë u mbyll fiks në të njëjtin moment kur dhe protestuesit u shpërndanë. Strategjia e marketingut politik, që e zhvendosi vëmendjen e mediave nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, te restoranti në Xibrakë ku fliste Rama bëri efekt. Rama më të drejtë mund të krenohet që ua vodhi protestën shoqatave duke bërë një “antimiting” me mediat vasale. Mediat nga ana tjetër, nuk kanë asgjë për t’u krenuar në këtë rast. Dëshmuan edhe njëherë se janë shtojca të partive dhe Kryeministrit të radhës. Pas këtij antimitingu, në fund të protestës Kryeministri u kthye në Facebook duke theksuar dhe një herë nevojën e miratimit të ligjit, dhe duke deklaruar në mënyrë sfiduese se qytetarët mund të protestojnë sa të duan, ligji nuk anulohet. Nëse u hedh një sy shumicës së mediave gjatë edicioneve të ditës së djeshme, më përjashtime të vogla, me shumë del se ka folur Edi Rama për ligjin e plehrave, sesa ata që protestonin. Gjithçka e dirigjuar nga Kryeministria: Mediat, Asambleja dhe FSHF.

Por nuk është vetëm faji i Ramës përdorimi nga ana e tij e mediave që protesta e djeshme nuk arriti qëllimin që kishte. Nga pikëpamja numerike, tubimi i shoqërisë civile ishte i vakët. Pak mijëra njerëz, pas një fushate dy javore thirrje publike, nuk mund të quhet sukses. Dita e djeshme u reklamua nga organizatorët si nisja e një beteje finale për kthimin e ligjit të plehrave. Në fakt, pjesëmarrja e qytetarëve nuk justifikonte këtë objektiv. Organizimi i protestës, me figura të panjohura publike, me fjalime patetike duket se nuk frymëzonte. Më e pakta, fjalimet duhet të ishin orientuar në rrezikun që u sjellë qytetarëve miratimi i ligjit të importit të mbetjeve. Nenet që kanë probleme,etj. Mbetjet dhe plehrat që do të sillen, si dhe shumë pasaktësi, paqartësi që ka ky ligj. Në vend të tyre dëgjuam fjalime kundër Edi Ramaës dhe thirrje folklorike, si dhe dëshirën e disa aktivistëve për protagonizëm dhe jo produkt real në protestë. Një çështje si kjo e plehrave dhe rreziku që i kanoset shoqërisë nuk zgjidhet me një protestë. Por nëse organizatat jo qeveritare kanë vendosur të janë një zë i fortë në mbrojtje të interesave të qytetarëve, reagimet nuk bëhen vetëm një javë në Facebook. Facebook është mjet nxitës dhe komunikues, por nuk është zjarri që lind një protestë kur ka të drejtë në një çështje madhore.

Protesta e djeshme tregoi se shoqëria civile, ajo që ka mbetur e pavarur, është shumë pak në vend. Ndërsa mitingu i vakët jo vetëm nuk e bëri Ramën të tërhiqej, por edhe pak më shumë të sigurt, teksa tha: “Protestoni sa të doni!”. Me protesta si kjo, Kryeministri e di që mund të qeverisë pa problem dhe të miratojë edhe ligje më të diskutueshme sesa ky i plehrave.

Në fund të fundit dje doli se Kryeministri Rama është i fortë, zotëron 90 përqind të mediave në vend ndërthurur me interesa të pronarëve të tyre tek qeveria, shoqeria civile e pa organizuar dhe e hallakatur si dhe një opozitë ende jo e besueshme.

Dje Edi Rama doli me i fortë se të gjithë. Por thonë se kur fillon forca vjen rënia në humnerë, nga pak e përditë. A do të stopojë kryeministri në blerjen e gjithçkaje me vlerë në një shoqeri demokratike, si media, shoqëria civile etj apo do të turret me me vrap mbetet të shikojmë.

Por siç duket zgjedhjet e ardhshme do të fitohen prapë nga dyshja Rama-Meta për të shkuar në një humneërë pas vitit 2017, nga pasioni i tyre për uzurpuar çdo gjë në Shqipëri.

Spiten Prulli

SHKARKO APP