PS:Basha lidhje ruse. PD:Sallatë ruse edviniste
Paratë e përdorura nga Lulzim Basha për lobimin në SHBA janë kthyer në sebepin e sherrit të radhës mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Duke ju referuar artikullit të revistës amerikane “Mother Jones”, nënkryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Elisa Spiropali kërkoi dje sqarime nga kryedemokrati Lulzim Basha. Deputetja e PS-së, Elisa Spiropali akuzoi Partinë Demokratike se me burime financiare nga oligarkët rusë ka zhvilluar takime në SHBA kundër integrimit të Shqipërisë. Partia Socialiste thotë se me pagesat që ka bërë Lulzim Basha ka kryer një krim duke shkelur ligjet e Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Por ndërsa akuzon Bashën për krim, PS-ja thotë se për momentin nuk mund të deklarojë nëse paratë që ka përdorur Lulzim Basha vijnë direkt nga Rusia. Me një gjuhë të kujdesshme, Elisa Spiropali deklaron se nuk është PS-ja, por media amerikane ajo që “insinuon drejtpërdrejt për një përzierje direkte të Kremlinit në politikën shqiptare, përmes Lulzim Bashës dhe PD”. Ndërsa për raportet me Rusinë shtonë se PS-ja, “nuk do të dëshironim asnjëherë një konflikt të kësaj natyre me Kremlinin për faktin e thjeshtë se, pavarësisht se Rusia nuk hyn ndër partnerët tanë strategjikë e as përbën një pikë referimi në politikën tonë të jashtme, ne kemi dëshiruar e dëshirojmë marrëdhënie pozitive tregtare e kulturore me atë shtet. Pra, të paktën për momentin, me kaq të dhëna sa kemi, nuk duam e as mundet të themi se prapa këtij zullumi të zi e të trashë të Lulzim Bashës është Kremlini. Koha do të na tregojë më shumë e do të kemi kohë të riflasim për këtë”. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla duke përdorur të njëjtat argumente për akuza kërkoi nisjen e hetimit për burimin e parave të Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës.
Deklaratës së selisë rozë për lidhjet ruse i është përgjigjur dje Partia Demokratike me anë të zëdhënëse së saj Ina Zhupa. Sipas PD, historia pas së cilës mazhoranca ka nisur sulmin ndaj kreut të opozitës bazohet në një shkrim të financuar nga kryeministri Edi Rama. Po sipas PD-së gjithë zhurma e këtyre ditëve ka si synim anashkalimin e çështjes së kokainës dhe kanabisit në Shqipëri. Ndërsa lidhur me akuzat konkrete ndaj Bashës, zëdhënësja e PD tha se kjo është një sallatë ruse e Edi Ramës. “Akuzat me rusë të artikullit janë thellësisht qesharake, por për t’i bërë edhe më qesharake, sot ato i ripërcolli Elisa Spiropali. Elisa, e cila nga puna në doganë duket se ka krijuar një njohje të veçantë për oligarkët, ka bërë sot një sallatë ruse me oligarkë dhe Kremlin”,- deklaroi Ina Zhupa.
Çështja e së njëjtës pagesë është hapur nga Partia Socialiste edhe një vit më parë. Akuzave këtë herë u është shtuar dhe shkrimi i revistës amerikane për lidhjen e kompanive që bënë pagesat me shtetas rusë. Këtë histori lobingjesh dhe pagesash PS-ja po e përdor mjeshtërisht për të izoluar në arenën ndërkombëtare Partinë Demokratike, por edhe për të larguar vëmendjen nga kokaina e kapur në Durrës.
PS-ja të mos rrijë vetëm në lojë politike, por nëse ka fakte dhe e ka seriozisht le të bëjë padi në Prokurorinë e Përgjithshme, aq më tepër që prokurorinë e kanë futur në dorë.