PS “harron” Bashën. Turret ndaj Berishës

Partia Socialiste, pas zbulimit dhe publikimit të skandalit të grupit Habilaj, ku është akuzuar është edhe ish-ministrit Tahiri, selia rozë është hedhur në sulm kundër opozitës duke zgjedhur si tabelë qitje “kokat” e opozitës, kreun e PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.  Një pjesë e akuzave janë të vjetra prej disa vitesh. Akuzat e tjera janë rifreskuar nga disa media në Tiranë dhe të tjera në SHBA. Synimi i kësaj vale me thirrje për hetim nga prokuroria dhe deri dënim të përfaqësuesve të opozitës ka dy qëllime. I pari është për të krijuar paralele mes çështjes “Tahiri dhe akuzave ndaj Bashes dhe Berishës. Qëllimi i dytë është një diversion i pastër brenda vetë radhëve të partisë kryesore të opozitës.

Nëse ndjek sulmet publike të javëve të fundit bie në sy se stuhia e padive nisi me Lulzim Bashën dhe tashmë ka arritur kulmin kundër Sali Berishës. Kreu i PD-së akuzohet se ka paguar rreth 1 milionë dollarë për lobimin e Partisë Demokratike në SHBA. Lobimi nuk është shkelje ligjore, por mënyra sesi janë bërë pagesat dhe kush ka firmosur çekun me shumën e padeklaruar në KQZ është një problem jo i vogël. Pas disa thirrjeve të PS për hetim nga Prokuroria të Lulzim Bashës, sot kjo çështje duket e “vjetër”. Bateritë e sulmit të PS-së janë lëshuar nga dje mbi Sali Berishën. Ish-kryeministri akuzohet si përfitues i fondeve nga një koncesion mjaft i debatuar për skanimin e kontenierëve. Shumica e akuzave ndaj Berishës është një përsëritje e akuzave që janë bërë për 4 vjet rresht. Këtë herë ndryshon vetëm toni i akuzave dhe që kërcënimi i PS-së ka siguri se me kryeprokurorin e ri do të hapet hetim penal ndaj Berishës.

Këto ditë PS-ja ka “harruar” Bashën dhe po merret ekskluzivisht me Sali Berishën. Tre ditë më parë ishin deputetë të grupit parlamentar që i bënin thirrje prokurorisë për nisjen e hetimit. Ndërsa dje, numri  dy i PS, Sekretari i Përgjithshëm dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se ish-kryeministri duhet të hetohet për përfitimin e milona eurove. Në deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, veç Berishës ka dhe një akuzë për Prokurorinë aktuale, kur thotë se dosja nuk është hapur që nga viti 2013. Kjo lë të kuptohet se me kryeprokurorin e ri, që do të zgjidhet këto ditë nga Partia Socialiste, mazhoranca do të nis dhe betejën me kundërshtarët politikë. Sidomos me ish-kryeministrin Berisha.

Ajo që bie në sy është se veç betejës politike, mazhoranca kujdeset të bëjë dhe diversion brenda radhëve të Partisë Demokratike. Sulmet ndaj Bashës u frenuan që në momentin që Edi Rama i bëri ofertë për tu ulur së bashku dhe të zgjidhnin emrin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Kjo vjen pas udhëtimit të të dyve në Bruksel e ku u fol për një takim mes tyre, mbajtur larg syve të mëdias. Pas kësaj, Basha u “harrua”, sepse Kryeministri nuk mund të ftojë për negociata një kryetar partie që e kërcënon me burgosje. Mjeshtërisht sulmi është fokusuar kundër Berishës. Kjo lëvizje krijon dhe idenë se edhe brenda PD ka një koordinim për të bërë lojë politike kundër Sali Berishës. Një skenar të tillë e besojnë dhe politikanë të rëndësishëm në PD. Ish-drejtuesja e lartë e PD, Jozefina Topalli deklaroi dy ditë pare se mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ka marrëveshje të fshehtë prej shumë kohësh. Një marrëveshje që u shfaq në publik më 17 maj, por që vijon edhe më tej, përmes lidhjeve politike dhe financiare të dy kryetarëve.  Përveç qëndrimet të Jozefina Topallit janë dhe zëra të tjerë në PS që flasin për bashkëpunimin PS-PD. Mësohet nga burime brenda selisë rozë se kjo është një lojë politike për ta çuar ish-kryeministrin demokrat deri te buza e humnerës, edhe për t’ia lehtësuar Lulzim Bashës autoritetin dhe vendimmarrjen në PD, aq me tepër ku kryeministri Rama e do patjetër një marrëveshje të re me Bashën , ku të bashkëqeverisin të qetë. Ndërkohë PS-ja po mbledh fakte për t’ia dorëzuar Prokurorit të ri të Përgjithshëm, edhe të përkohshëm, që të fillojë hetimin kundrejt Sali Berishës.

Lufta politike dhe diversionet me arrestime dhe hetime po bëhen dhe më të ashpra tani që është në diskutim emri i Prokurorit të ri të Përgjithshëm.

Kryeministri Rama, pasi mori një notë pozitive nga BE dhe një përkrahje të habitshme për kryeprokurorin e përkohshëm prej ambasadorit Lu, nuk ndalon dhe nuk pyet njeri. Dje miratoi disa leje ndërtimi shumëkatshe në qendër të Tiranës dhe leje turistike për disa kompani, por që janë mbajtur të fshehta nga media.

Nesër me Kryeprokurorin e përkohshëm dhe futjen e gjykatave nën varësi politike, ai mund të arrestojë cilin të dojë e kur të dojë.

Kjo ndodhë pasi ka edhe një opozitë të dobët e cila në vend që ti drejtohet popullit, merret me shumë me shkrime në facebook.

Nuk rrëzohet një kryeministër me kaq pushtet e arrogancë, me facebook, aq me tepër që facebook-u është fushë e Ramës. Opozita akoma është e turbullt, e pa strukturuar dhe nuk ka një strategji të përbashkët se si mund të ndalojë kryeministrin si dhe të bind popullin për një altternëtivë të re për të ardhur në pushtet.

S.P.

SHKARKO APP