PS-ja e re antiRama shkrihet në mesnatë. Zihen për Kryetarin

 

 

Ka lëvizje të re politike brenda PS-së. Të pakënaqur me qeverisjen e Edi Ramës dhe me reformat antipopullore, sipas tyre, një grupim jo i vogël brenda Asamblesë së PS-së, deputetë të grupit parlamentar socialist dhe disa ish-kryetarë e kryetarë të degëve të PS-së në rrethe po krijojnë një PS tjetër, ndryshe nga ajo e Ramës. Kështu tregojnë burime të besueshme brenda këtij grupimi të majtë. Kanë skicuar emrat kryesorë që do të jenë në krye të partisë së re, zyrat në 61 bashkitë e vendit si dhe platformën e majtë, krejt ndryshe nga e kryeministrit Rama. Ata thonë se Rama po e shkatërron të majtën dhe se PS-ja e sotme nuk është PS-ja që duhet e që ka qenë në traditë.

Në janar 2016 pritet të shpallin Partinë e re dhe mendojnë, sipas tyre, që në zgjedhjet parlamentare të marrin diku tek 200 mijë vota, çka sipas tyre nuk mund ta bëjë PS-në e Ramës që të krijojë qeverinë e re, pa votat e tyre. Grupimi i tyre i mbledhur dje, diku në Tiranë, kanë vendosur të dalin hapur si fillim në Asamblenë e PS-së dhe më pas, do të fillojnë në parlament me pesë deputetët që do të deklarohen hapur pro forcës së tyre politike, e cila do të jetë në luftë të hapur kundër Berishës e së djathtës, por nuk do të bëjnë asnjë aleancë me PS-në e Edi Ramës para zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve, nuk janë për Edi Ramën kryeministër. Këtë pohuan dy prej emrave kryesor të kësaj force politike. Pjesa më e madhe e tyre që janë për krijimin e një tjetër partie të majtë janë deputetë dhe anëtarë të forumeve socialiste, të cilët në këto dy vjet nuk janë përfshirë në qeverisje. Ndarja e pushtetit që bëri Rama pas fitores në vitin 2013 la jashtë vendimmarrjes figura që kanë jo pak ndikim në elektoratin e selisë rozë. Ndryshimet e vonuara në qeveri si dhe fakti që dikasteret kryesore të qeverisjes së PS-së drejtohen nga emra që kanë ardhur në selinë rozë vetëm gjatë viteve të fundit, ka krijuar pakënaqësi të hapura. Por pakënaqësitë nuk lidhen vetëm me ndarjen e pushtetit, sesa me rrugën ku po shkon Partia Socialiste. Prej dy vitesh, kryetari i saj nuk është rizgjedhur. Listat e kandidatëve për deputetë dhe ata të Bashkive vendosen vetëm nga Kryeministri dhe një rreth i ngushtë njerëzish, çka ka bërë që vendimmarrja tek partia më e madhe të jetë në vetëm pak duar. Forumet kryesore të partisë më të madhe në këto dy vite janë kthyer vetëm në shtojca të Qeverisë. Ndërsa ministrat, edhe pse kanë detyrë ekzekutive për të qeverisur, në jo pak raste kanë marrë në dorë drejtimin e partisë në rrethe ku vendosin për kryetarët, kandidatët në zgjedhje, punësimet dhe për pranimin ose jo në parti të socialistëve. Ky fakt u konfirmua me kandidatët për zgjedhjet vendore, ku në jo pak raste nuk u shpallën emrat e dërguar nga baza, por vetëm ata që njiheshin si miqtë e ministrave.

Në këtë situatë, ideja për një fraksion të ri brenda Partisë Socialiste që duket se nuk bien dakord për shumë gjëra me Ramën dhe gupin e mbështetësve të tij, është më afër se kurrë. Madje, burime nga grupi i nismëtarëve thonë se janë bërë gati dhe strukturat që do të përdoren për partinë në bazë. Kanë gjetur edhe financimet për zyra, makina etj që të fillojnë në janar në bazën e së majtës për t'i bindur se nuk qeveriset kështu e majta, por duhen politika më të majta e popullore dhe jo duke e shkatërruar vendin, por edhe vetë të majtën.

Në muajin dhjetor, Partia Socialiste pritet të mbledhë kongresin e saj. Mes shumë çështjeve që diskutohen është dhe ajo e zgjedhjes së Kryetarit të Partisë, pasi formalisht mandati i kreut aktual ka përfunduar prej dy vitesh. Gjatë këtyre muajve, strukturat e PS-së kanë zhvilluar analizat në degët e saj si dhe ka nisur procesi i përzgjedhjes së delegatëve që do të miratojnë disa ndryshime në statutin e Partisë. Por pavarësisht se PS-ja është në qeverisje, problemet me strukturat e saj nuk mungojnë. Zgjedhjet e fundit edhe pse me rezultat pozitiv për koalicionin e majtë, treguan se baza e Partisë Socialiste ishte e pakënaqur me realizimin e premtimeve. Shumë prej socialistëve që mundësuan fushatën e vitit 2013, ishin më pak aktivë duke shprehur hapur pakënaqësinë. Në dy vite qeverisje, zërat e pakënaqur janë shtuar edhe më tepër jo vetëm për mungesën e përfshirjes së socialistëve që janë angazhuar më shumë në këtë parti, por edhe për shkak të reformave dhe modelit të qeverisjes. Deri më sot, pakënaqësitë nuk kanë dalë në sipërfaqe, kjo edhe për faktin se dy vitet e para ishin të mjaftueshme për të parë modelin qeverisës.

Kjo është diskutuar gjatë ditës dje, deri në darkë vonë, nga grupimi i socialistëve antiRama.

A.Prulli

 

Shënim i redaksisë

Shkrimi ishte përgatitur mbrëmë në darkë pas takimit dhe prononcimeve të drejtuesve kryesor të forcës së re politike. Por, fatkeqisht edhe ky grupim u shkri ende pa dalë në skenë pasi janë zënë mbrëmë rreth orës 23.50 se kush do të jetë kryetari provizor i partisë së re socialiste.Nuk kanë rënë dakort, janë zënë edhe me grushta (tregojnë burimet) dhe u shpërndanë në mesnatë  duke mos rënë dakort për partinë e re. Ikën sejcili ku ishte duke mos folur për "KJ" nga frika se mos i "shkrin" kryeministri Rama, pasi njeri prej organizatorëve ka  biznese, paksa edhe të dyshimta.

Kësaj i thonë të zihesh për "bythet" e Kim Kardashian!

 

 

 

SHKARKO APP