PS-LSI, lufta finale

Retorika politike, sulmet, konfliktet, bile në përplasjet fizike dhe dhuna mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka arritur kulmin dje. Në javët e fundit janë me dhjetëra incidente mes militantëve të PS dhe LSI. Në Lezhë, Berat, Fier mbështetës dhe drejtues të lokalë të PS-së kanë sulmuar dhe dhunuar mbështetës së LSI-së. Dhe si përherë policia gjen një formulë të gatshme se “nuk ka prapavijë politike”! Ndërkohë që klima e konfliktit mes dy forcave politike ndjehet në gjithë vendin, incidentet në terren pasqyrojnë luftën e ashpër politike mes drejtuesve të partive në qendër. LSI thotë se e gjithë kjo lukuni horrash të PS-së drejtohet direkt nga kryeministri.

Vetëm dje, Kryeministri Edi Rama dhe deputetë të PS sulmuan hapur përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke nisur që nga Presidenti i zgjedhur Ilir Meta dhe deri të drejtuesit e kësaj force politike. Akuzat e PS-së ndaj LSI-së kanë nisur që në fillim të fushatës. Ishte Kryeministri Edi Rama që i fryu erës së përçarjes tek e majta duke u distancuar nga aleati kryesor LSI-së në mënyrë të pabesë, siç kishte bërë edhe para dy viteve me sulmet ndaj Ilir Metës në çështjen CEZ-DIA. Nga njëra anë e donte LSI për votat dhe mbajtjen e qeverisë, kurse nga ana tjetër thurte plane për sakatimin e saj. Kujtojmë se gjatë 4 viteve Rama e cilësonte LSI-në dhe Ilir Metën si partnerin kryesor strategjik të reformave. Ndërsa gjatë fushatës së tanishme Edi Rama e sheh problemin e qeverisjes jo të vetja dhe PS-ja, por te LSI-ja. Sulmet e Ramës u pasuan nga Saimir Tahiri, Gramoz Ruçi të cilën e panë këtë si një sinjal për të “larë” hesapet me LSI-në. Kjo klimë konflikti e frymëzuar nga Edi Rama solli dhe incidentet flagrante në Berat, Fier, Lezhë ku militantët e LSI-së po rrihen dhe po kërcënohen me armë. Ndërkohë që këtë konflikt PS-LSI e ka shfrytëzuar dhe PD-ja, e cila në një marrëveshje PS-PD ka sulmuar pa limit LSI-në. Por ka tre ditë që selia blu është tërhequr nga sulmet, pasi shikon se do ti duhen votat e LSI për të bërë qeverinë e re.

Nga selia e PS-së burojnë urdhëra për sulme dhe denigrim të LSI, duke e nxjerrë atë për fajin e saj nuk punuar qeveria, pavarësisht se pakkush e beson.

Përballë kësaj situatë, LSI-ja është detyruar të reagojë. Në një konflikt që po shkon si betejë e hapur, LSI ka kërkuar reagimin e institucioneve të Policisë së Shtetit. Por në jo pak raste është vënë re se struktura të veçanta të policisë jo vetëm nuk kanë ndërhyrë për të shmangur incidentet, por as nuk i kanë raportuar. Kjo neglizhencë e qëllimshme ka bërë që LSI-ja të bëjë akuza të forta duke kërkuar edhe ndërhyrjen ndërkombëtare. Jo rastësisht, Ilir Meta dje në Lezhë foli për reagim qytetar nëse Policia e Shtetit nuk kap kriminelët që po dhunojnë njerëzit dhe po bëjnë pis zgjedhjet. Deklarata e dy ditëve më parë e Edi Ramës, kur tha se Policia e Shtetit duhet të bëhet pjesë e fushatës ngriti edhe më shumë pikëpyetje për rolin që po luan qeveria në garantimin e standardeve të zgjedhjeve.

Ndërkohë, struktura të tjera të shtetit, të krijuara në bazë të marrëveshjes PS-PD kanë orientuar sulmet edhe te zyrtarët e LSI-së. Ministritë teknikë dhe task-forca e administratës për fushatë elektorale rezulton se ka dëmtuar vetëm zyrtarë të LSI-së dhe shumë pak ose aspak të PS-së. Rasti më konkret ishte ai i Shkodrës dje dhe Beratit disa ditë më parë, ku me prova jo ligjore po synohet të ndiqen penalisht kandidatët e LSI-së.

Ky zhvillim i ngjarjeve kuptohet që është i koordinuar me qëllim dëmtimin e LSI-së. Pesha kryesore e përgjegjësisë bie mbi Kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të Partisë Socialiste në Qarqe. Jo vetëm që po bëjnë akuza dhe sulme të pabaza, por kanë hyrë në një luftë të pandershme politike. Këto sulme dhe kjo situatë konfliktuale ka bërë që LSI-ja të shpërthejë në akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si përgjegjësin kryesor të gjithë kësaj lufte politike. Dje në Gjirokastër, Petrit Vasili tha se “për 4 vite jemi qeverisur nga një çmendur, ndaj më 25 qershor duhet t’i tregojmë vendin”. Kjo është akuzë shumë e rëndë, realisht.

Të gjitha reagimet e kësaj fushatë tregojnë se marrëdhënia PS-LSI ka marrë fund. Sulmet ndaj tyre janë më të ashpra edhe nga ato që ka bërë dikur PD-ja ndaj PS-së apo anasjelltas. Edhe këtë herë, ashtu si dhe pas vitit 2007, është Edi Rama ai që i preu urat e komunikimit dhe hapi luftën. Por ajo çfarë nuk është e ndershme lidhet me faktin se gjithë dështimet e 4 viteve të qeverisë, Edi Rama mundohet t’ia faturojë LSI-së. Ndërkohë që Kryeministër ishte Edi Rama dhe jo aleati i tij. Marrëdhëniet mes dy forcave kanë njohur ulje dhe ngritje të shpeshta. Por kjo fushatë duket si lufta finale mes PS dhe LSI. Historia tregon se sa herë që e majta ka shkuar e përçarë në zgjedhje, Partia Socialiste e ka humbur pushtetin.

Edhe këtë radhë nuk bën përjashtim. E majta është më e përçarë se kurrë në historinë e këtyre 27 viteve.

SHKARKO APP