PS përjashton deputetët që shkruajnë libra dhe afron ata që mbajnë armë

 
EDITORIAL
Ngjarja në Laç shkaktoi habi dhe reagime në opinionin publik. Ngjan gati e pabesueshme. Një deputet i zgjedhur për dy mandate, merr pistoletën dhe qëllon disa qytetarë me armë. Ata që i përkasin të njëjtit subjekt politik ku bën pjesë dhe deputeti, nxituan të thonë se qëlloi jashtë komisariatit. Apo edhe se e bëri për vetëmbrojte! Brenda apo jashtë komisariatit, është një detaj që mund t’u vlejë ekspertëve kriminalistikë, avokatëve dhe policisë. Ndërsa për njerëzit normalë të këtij vendi nuk ka rëndësi nëse ngjarja ndodhi dy hapa afër, apo dy hapa larg policisë. Vetë fakti që qëlloi afër një komisariati, e bën edhe më të tmerrshme ngjarjen. Sepse një deputet, nga këta që ka sot në Palament, jo vetëm mund të vjedhë taksat, jo vetëm mund të ushtrojë presion mbi forcat e rendit, jo vetëm mund të të rrahë në pronën tënde, por pa iu dridhur dora mund të vrasë edhe para syve të policisë. Është e tmerrshme që një ligjvënës, madje dhe anëtar i Komisionit të Sigurisë, merr armën dhe bën kaubojin në rrugët e qytetit.

Mediat, rrjet sociale dhe gazetarë të njohur dhe politikanë të së majtës e së djathtës reaguan me histeri. A thua, deri në mbrëmjen e së premtes jetonin në një situatë normale dhe papritur zbuluan se një deputet u “çmend”. Pse çuditeni?  Ngjarja nuk ndodhi të premten. Kishte më shumë se 5 muaj që incidenti në fjalë përgatitej, madje edhe me një vendim qeverie që i jepte pronën për të cilën u bë sherri vëllait të deputetit. Në dy vjet qeverisje, Partia Socialiste ka tre deputetë të arrestuar dhe pesë të tjerë të thirrur në prokurori. Akuzohen për vrasje, plagosje, prostitucion, rrahje dhe mashtrim. Në asnjë legjislaturë tjetër, nuk ka kaq ligjvënës të arrestuar dhe nën hetim. Madje me humor të hidhur, prokurorët tashmë thonë se po arrestojnë më shumë deputetë në Kuvend sesa në rrjetet kriminale. Bile shtojnë se mjafton të shkojmë në sallën e parlamentit dhe realizojmë planin e arrestimeve për pesë vjet!

Nëse ka një krim të paralajmëruar është ngjarja e djeshme. Deputetët që kanë probleme nuk erdhën rastësisht në politikë. Sado të ankohen sot njerëzit, ka një të vërtetë të hidhur që nuk i shmangen, politika jo se jo, por edhe as vetë votuesit. Vetë ne i kemi votuar. Vetë kryetari i Partisë Socialiste i futi në lista ata që sot kanë marrë armët. I serviri si njerëz me integritet, madje dhe i promovoi në zonat përkatëse. Sot ata po bëjnë atë që kanë bërë gjithë jetën. Sepse nga ajo pjesë se shoqërisë e lidhur me nëntokën e krimit, vijnë. Po bëjnë atë që dinë të bëjnë të mirë; të vjedhin, të rrahin, madje dhe të vrasin.

Por ky nuk është një problem i shoqërisë. Mbi të gjitha, ky është një problem i politikës, Partisë Socialiste dhe personalisht i kryetarit Edi Rama. Në Partinë Socialiste, prej 8 vjetësh intelektualët po shihen si njerëz që hapin probleme. Në foltoret dhe forumet e PS-së nuk ka më vend për ata që luftojnë me ide. Vendin e tyre e zunë ata që mbajnë pistoleta në brez, që argumentet më bindëse kanë grushtet në Kuvend dhe që problemet kanë nisur t’i zgjidhin me armë. Në PS, prej vitesh kanë nisur të kenë alergji nga ata që shkruajnë libra. Merrni rastin e Ben Blushit, prej dy vitesh sulmohet sikur të jetë ai problemi më i madh që ka Partia Socialiste. E akuzojnë për tradhti, “lojë të Saliut”, madje kanë arritur ta quajnë të metën më të madhe të tij faktin që shkruan libra! Dhe sot, PS bën sikur shokohet se përse çdo tre muaj i arrestohet një deputet! Mos u çudisni, kjo ndodh kur Rama largon ata që shkruajnë libra dhe afron ata që mbajnë armë.

Qamil Xhani

SHKARKO APP