PS, të gjithë me frikë e ankth
Në oborrin e PS ka lëvizje. Ministra, ish-ministra, kandidatë për ministra dhe fantazistë për ministra, por që kryeministri Rama as që i ka në listë, gumëzhijnë gjithë ditën aty, në oborr. Hanë qofte aty afër selisë nga frika se mos iu ikën ndonjë lajm nga burimet pranë Ramës.
-A di gjë, a jam unë në qeveri?- pyet kandidati për ministër që është akoma ministër.
-Nuk besoj! Unë jam!- përgjigjet kandidati tjetër për ministër- Ma tha vetë ai, i gjati!- thotë kandidati, që realisht nuk do t’i ofrohet dot asnjë dere ministrie.
E kështu sejcili pyet, flet, endërron dhe tenton të marrë vesh të vertetën për qeverinë e re të PS.
Sapo kalojnë Engjëll Agaçi dhe Endri Fuga turrën të marrin vesh ndonjë gje, pasi janë njërëzit e besuar të kryeministrit. Ata, të dy, vetëm u buzëqeshin të gjithëve, por asnjë mimikë me shumë. Kandidatët-ministra në oborrin e PS-së lumturohen, sejcili, dhe e përkthejnë buzëqeshjen e Agaçit dhe Fugës si një “po”, pra që do jenë ministra.
Agaci dhe Fuga sapo iu ikin kesaj shpure qe don e vdesin per ministra thone me njeri tjetrin:
Po pse kaq shume paska ne PS nga keta!?- dhe shkojne te kryeministri, i cili englediset dhe shkrihet se qeshuri nga keto histori. Ashtu tallej edhe me ministrat e Fatos Nanos kur ishte kryetar bashkie.
Në të vertetë kjo javë është vendimtare për karrierën e shumë politikanëve në Partinë Socialiste. Pas fitores së thellë në 25 qershor, kryeministri Edi Rama do të prezantojë kabinetin e ri qeveritar që do të drejtojë vendin gjatë 4 viteve të ardhme. Timoni dhe tepsia është vetëm në duart e Ramës. Thuajse gjithë grupi parlamentar, bashkëpunëtorët e Ramës, njerëz me kontribute të reja dhe të vjetra në PS presin telefonatën e kryeministrit për të qenë pjesë e kabinetit. Ethet kanë nisur që pas zgjedhjeve, por Edi Rama e largoi debatin për emrat duke nisur fushatën e takimit me qytetarët, pas fushatës elektorale.
Ndërkohë si për t’u prerë shpresat një pjese të njerëzve në PS që kishin nisur të ëndërronin poste ministrore, kryeministri deklaroi se do të ketë shkurtime të disa ministrive. Pra do të ketë më pak poste ministrash dhe automatikisht më pak emra që presin në oborr. Dje “Top Channel” raporton nga burime shumë afër kryeministrit se pritet të shkurtohen të paktën 4 ministri nga 20 që ka aktualisht kabineti qeveritar. Pritet që ministria e Bujqësisë të bashkohet me ministrinë e Mjedisin, Turizmi me Kulturën dhe Sportin, Ekonomia me Energjinë dhe ministria e Zhvillimi Urban me Pushtetin Vendor. Ndërkohë që një pjesë e ministrive ekzistuese do të reformohen në mënyrë të thellë, duke u hequr apo duke u shtuar drejtori. Nga ana tjetër, qarkullon edhe ideja e krijimit të dy ministrive të tjera, siç është ajo e Thesarit dhe ministria e Gruas dhe Rinisë.
Data më e mundshme e prezantimit të kabinetit të ri është dita e dielë, kur do të mblidhet dhe Asambleja Kombëtare e PS. Deri në fundjavë, të gjithë në PS janë në pritje për të mësuar emrat e preferuar të Kryeministrit. Përveç Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafës, që kanë ofertë dhe premtim publik nga Rama për të drejtuar, i pari Parlamentin dhe i dyti Ministrinë e Brendshme, të tjerët janë në ankth nëse do t’i përfshijë në qeveri. Në vitin 2013 deputetët apo ministrat pretendentë të PS dilnin në media, jepnin deklarata dhe bëheshin protagonistë të zhvillimeve politike për të rënë në sy. Këtë herë askush nuk bën “zë” në publik, ndërsa debatet mes grupimeve dhe lobeve në PS ziejnë larg publikut.
Ata shkojnë përditë në oborrin e PS-së, takohen, përqafohen dhe thonë me vete se “ ishalla nuk është ky ministër”, ndërkohë sa për sy e faqe thonë për njeri tjetrin.
-Ty të mos fusë ministër?! Është turp për PS-në!- thonë dhe prapë me vete pëshpërisin se “ishalla nuk është ky ministër”! Dhe punojnë se si ti bëjnë gropën, tjetrit.
Edi Rama luan, mjeshtërisht, lojën duke testuar dhe provokuar ambiciet dhe qëndrimet e deputetëve, ministrave aktualë, apo ish-ministrave. Herë pas here në media kanë dalë emra të veçantë që lakohen si ministra të ardhshëm. Një pjesë e tyre kanë dalë nga stafi i afërt i Ramës. Kanë qenë testime të reagimeve të opinionit, por edhe qëndrimeve brenda grupeve në PS. Publikimi i tyre më shumë i ka shërbyer Ramës për të kuptuar se çfarë ndodh afër tij, sepse një pjesë prej tyre, as që i ka llogaritur si ministra.
Këto ditë në PS po vendoset modeli i qeverisjes së mandatit të dytë, por edhe fati politik i shumë socialistëve të rinj dhe të vjetër. Kabineti i ri pritet të ketë surpriza. Nëse Rama nuk arrin të gërshetojë përvojën në PS me prurjet e reja që ka sjellë vetë në parti, mund të sjellë destabilitet në grupin parlamentar.
Por Edi Rama shquhet për surpriza, ndaj ka mundësi që ndryshe nga sa janë përgatitur te oborri i PS-së, të dalin emra të panjohur si ministra. Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë. Rama joshet dhe kenaqet nga kjo loje qe iu ben karaktereve te dobeta ne PS.
Shumë prej tyre nuk flenë fare këto ditë ose edhe nëse flenë shikojnë enderra si ministra.
Kështu është kur një njeri ka vetë edhe timonin, edhe tepsinë!
Qamil Xhani