PS: Të nisin arrestimet!
-Nga slogani i dikurshëm “Investime dhe arrestime”, kryeministri Rama e ka shndërruar në “Arrestime, arrestime dhe pak investime!”
Drejtuesit dhe deputetët e Partisë Socialiste, pas marrjes së timonit qeverisës, kanë vendosur të kryejnë edhe rolin e prokurorit, edhe gjyqtarit popullor duke bërë thirrje për arrestime të zyrtarëve. Deputeti socialist i qarkut të Fierit, Erion Braçe në një status në Facebook kërkoi dje publikisht ndalimin e Kryebashkiakut të Rrogozhinës, Beqir Nuredini. Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit të lidhë (arrestojë) përfaqësuesin e pushtetit vendor, i cili është zgjedhur nën siglën e PDIU. Arsyeja për këtë kërkesë të deputetit të PS ka të bëjë me djegien e plehrave të qytetit të Rrogozhinës, të cilat shkaktojnë ndotje dhe për banorët e disa fshatrave të qarkut të Fierit, ku Braçe është zgjedhur deputet.
“A do ta lidhë kush këtë Kryetarin e Bashkisë në Rrogozhinë?! Atë personalisht, kërkënd tjetër!! Shihni ç’krim po bën!! Çdo natë ju vë zjarrin plehrave dhe, Çermat duke nisur nga e Cerma e Sipërme, Thanasaj etj, fshatra aty pranë, ndoten masivisht nga gazrat që çlirohen prej djegies!! Unë nuk kam kujt i them më! Tani po i apeloj publikisht Inspektoriatit te Mjedisit, Policisë së Shtetit gjithashtu. Rrogozhina po kthehet në ferr për Çermat këto 20 vitet e fundit! Në fillim derdhnin plehrat në lum, tani i janë turrur lumit dhe po e gërryejnë e shkatërrojnë për inerte, gazrat prej djegies janë shumë fare!”,- shkruan Erion Braçe në Facebook.
Shqetësimi i deputetit socialist për ndotjen, qëndron. Por duke dashur të tregojë se po mbron interesat e banorëve, Braçe ka bërë një thirrje që tejkalon kompetencat e një deputeti. Arrestimet nuk bëhen me urdhra politikë. E njëjta situata është dhe me plehrat në Durrës dhe në periferitë e shumë qyteteve të tjera të vendit. Nëse do ndiqnim logjikën e arrestimeve, përse bëhet thirrje politike për arrestimin e një kryebashkiaku dhe lihen të lirë kryebashkiakët e tjerë. Apo me që Rrogozhina drejtohet nga një kryebashkiak i PDIU dhe që Shpëtim Idrizi nuk i duhet më PS-së, socialistët edhe mund të bëjnë presion me pranga.
Qëndrimi i Erion Braçes do të ishte një rast i izoluar, po të mos merret parasysh një klimë revanshi antiligjor që ka mbërthyer gjithë drejtuesit e partisë që fitoi zgjedhjet. Kryeministri Rama dhe PS janë hedhur në një sulm frontal ndaj ish-aleatëve që e mbajtën qeverinë në katër vitet e kaluara, por edhe mdonjë drejtori të PS dhe gjithë administratës që sipas tyre nuk është efiçente. Edi Rama ka një muaj që flet për shkarkime masive, dorëheqje “vullnetare” të drejtorëve dhe publikon fletërrufe me emra zyrtarësh që duhen përjashtuar nga administrata. Nuk mungojnë dhe kërcënimet e drejtorëve për t’i çuar në burg apo ndëshkime ekzemplare me arrestime. Në këtë mënyrë kanë nisur dhe gjyqet publike në gjithë vendin, ku zyrtarët diskreditohen para popullit nga kryeministri dhe deputetë të PS-së. Një nismë e tillë thuhet se ka qëllim ndëshkimin e të paaftëve, por pas kësaj lëvizje është qëllimi për spastrimin e administratës nga zyrtarët e LSI, PDIU.
Në të vertetë ka nevojë për ndëshkime, por jo me synimin e PS-së për pastrimin e administratës nga ish-aleatët, ndaj thirrjet për arrestime janë edhe më të rrezikshme. Sigurisht që ka drejtorë dhe zyrtarë që duhen shkarkuar dhe çuar për ndjekje penale, për paaftësi, vjedhje dhe korrupsion masiv. Në një vend ku secili institucion e respekton ligjin, arrestimet bëhen nga Prokuroria dhe Policia, jo nga vullneti politik i deputetëve dhe Kryeministrit. Problemi është se këto muaj po flitet vetëm për arrestime dhe për asgjë tjetër. Kryeministri dhe deputetët e tij nuk po flasin se çfarë do bëjnë me pushtetin dhe si do e menaxhojnë ekonominë dhe qindra problemet që ka Shqipëria. Në vend të projekteve, e vetmja shfaqje që po u jepet shqiptarëve është premtimi për prangosjen e zyrtarëve dhe shoë i gjyqeve popullore ndaj drejtorëve. Sms, facebook, takime populiste sikur poi u marrin mendimin, tallje dhe në fund të ditës i fusin edhe të bërtitura në PS se “duam arrestime”.
Dikur përdorej slogani “investime dhe arrestime”, si një model qeverisje që nënkuptonte përdorimin efikas të taksave për zhvillim ekonomik, por edhe dënimin e ashpër të korrupsionit me paratë e shqiptarëve. Sot Edi Rama e ka ndryshuar këtë slogan, duke përdorur vetëm sloganin“arrestime – arrestime dhe pak investime”.
Nëse arrestimet do ti bënte policia dhe prokuroria fillimisht te pushtetarët e PS-së; ministra, ish-ministra, zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të administratës së saj, atëhere do ta duartrosnim edhe sloganin “arrestime-arrestime”.
Nuk keni parë gjë Akoma!- ka thënë, Edi Rama. Dhe vertetë nuk kemi parë gjë akoma!
Q.Xh.