Pse besoj te kryeministri Rama?
Nga Spiten Prulli
Edi Rama tashmë i mori të gjitha. Janë 74 deputetë të PS si dhe tre të PDIU që shkojnë te shifra 77 dhe PS-ja nuk ka më nevojë për askënd në qeverisje. Ndërsa në lidhje me reformat e mëdha kushtetuese apo me Kode dhe ligje që duan 84 vota mendoj se Edi Rama do ta gjejë udhën e mirëkuptimit, mes sherrit, me PD ose LSI. Ose edhe me të dyja, pasi të dy partitë e opozitës janë për reforma. Megjithëse akoma ka dyshime të forta se PD-ja do jetë pjesë e qeverisë ose si “bashkëjetesë” pa dëshmitarë. Në të gjitha variantet Edi Rama do ta gjejë mënyrën edhe për shifrën 84.
Edhe Presidenti Ilir Meta do betohet dhe me 24 korrik do jetë në zyrën e Presidentit të Republikës. Qoftë edhe sikur një deputet të shkojë në sallë, formaliteti nuk e pengon Ilir Metën të jetë president kushtetues. Por nisur nga sa shkruajnë apo thonë nëpër kafene disa deputetë të PS-së se kemi urdhër nga Gramoz Ruçi të mos paraqitemi me datën 24 korrik në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të thirrur nga Presidenti Nishani për betimin e Ilir Metës; lindin disa probleme.
Së pari, Ilir Meta është president i zgjedhur dhe i votuar nga 87 deputetë. Së dyti, nuk besohet se Gramoz Ruçi, si kryetar i ardhshëm i parlamentit, një burrë me një barrë mend e eksperiencë politike dhe shtetrore, të jetë shprehur se “nuk do të marrim pjesë në seancën e jashtëzakonshme”. Ai e njeh shtetin, siç njeh edhe luftën politike, por mbi të gjitha mbetet akoma “shtylla kurrizore e PS”. Nuk bën Ruçi gabime të tilla, të nisur nga shprehja popullore që “për inat të vjehrrës, shkoj e fle me mullixhiuan” (jo Saliun!).
Së treti, Edi Rama është prapë kryeministër. Pra siç thamë i ka të gjitha në dorë, ndaj pse i duhet të krijojë probleme që në fillim të mandatit me një Presidenti të cilin e ka votuar vetë?! Dhe nuk do jetë president si gjithë presidentët paraardhës! Mbajeni mend dhe do shikoni! Edi Rama nëse nuk shkon, humbet kthjelltësinë dhe garancinë e të qënit kryeministër i gjithë shqiptarëve, siç ka qejf ta thotë kudo. Humbet te ndërkombëtarët besimin dhe garancinë se do të respektojë, gjatë mandatit 2017-2022, ligjet dhe institucionet kushtetuese. Por humbet edhe një shans që i ka ardhur rastësisht dhe fatmirësisht në dorë për ti dhënë dorën në sallën e Kuvendit, Presidentit të betuar. Është sfidë, por gjithsesi ka mundësi që mund të fitojë me shumë pikë Edi Rama, nëse shkon dhe jep dorën një presidenti kushtetues, pavarësisht se “miqësia e dashuria” ka mbaruar mes tyre. Dhe nëse nuk e shikojnë do me sy njeri-tjetrin, prapë se prapë janë dy ish-bashkëdrejtues të së majtës, të cilët pas datës 24 korrik do jenë dy numrat “një” të këtij shteti. Natyrisht presidenti mbetet Kryetar Shteti.
Sali Berisha ka thënë publikisht se do të shkojë në ceremoninë e betimit të Presidentit Meta. Sfidë e hapur ndaj Edi Ramës. Ish-kryeministri Berisha do dal në publik si politikan që respekton me shumë se kryeministri ( që e ka votuar Metën), Kushtetutën e vendit.
Si përfundim, ndonëse hedhin shashka disa deputetë të PS-së, salla e seancave plenare të Kuvendit në datën 24 korrik do të jetë plot. Edhe lozhat, edhe ambasadorët.
Në fund të fundit, Ilir Meta është President.