Pse Edi Rama po merr ish-luftëtarët e ISIS në Tiranë?

Nga Mili Xhani –

Qeveria shqiptare ka planifikuar ndërtimin e një qendre rajonale për koordinimin e ish-luftëtarëve të ISIS në Rajonin e Ballkanit. Projekti për institucionet shqiptare njihet me emrin e gjatë Qendra Rajonale e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, në fakt është një “pikë grumbullimi” e gjithë ish-terroristëve që u bënë pjesë e luftës së përgjakshme në Siri, si pjesë e Shtetit Islamik. Në vitin 2015 qeveria “Rama” vendosi zbatimin e këtij projekti vetëm për shtetasit shqiptarët që ishin bërë pjesë e kësaj lufte dhe strukturave terroriste. Ndërsa së fundi mësohet se qendra do të jetë një projekt rajonal për disa shtete. Lajmi për ngritjen e kësaj qendre është dhënë jo nga Edi Rama, por nga kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, në kuadër të takimit kundër ekstremizmit të dhunshëm. Një nismë e tillë është përkrahur nga shtetet e rajonit dhe ka mbështetje dhe të organizatave të tjera, sepse e largojnë nga shteti i tyre. Parimisht duket si një projekt i rëndësishëm kur prezantohet në forume rajonale, por qytetarëve u duhet shpjeguar se çfarë është ky program? Dhe mbi të gjitha a është gati Shqipëria të bëhet pjesë e një projekti të tillë, kur ka probleme me krimin e organizuar dhe mafien e drogës?

Sido që të prezantohet një strategji e tillë për sigurinë e rajonit, faktet janë këto. Diku në një vend të Shqipërisë do të ngrihet një kamp i ri që do të mbledh brenda tij gjithë ish-terroristët, ish-luftëtarët apo ish-predikuesit e terrorit që u bënë pjesë e ISIS në këto vite. E thënë ndryshe, gjithë vrasësit që kanë marrë pjesë me dëshirë në masakrat më çnjerëzore që janë bërë në emër të fesë në Siri, Irak, e gjetkë do të vijnë në Shqipëri. Ky kontingjent i vlerësuar nga gjithë shtetet e botës si rreziku numër një për sigurinë, do të mblidhet në Shqipëri vetëm që shtetet e BE të japin votën për statusin për në Bruksel. Sigurisht një pjesë e tyre janë penduar për luftën ku kanë marrë pjesë apo janë mashtruar. Por a është gati Shqipëria dhe i ka kapacitetet të rikthejë në normalitet njerëz që në gjithë botën kanë damkën e terroristëve dhe vrasësve më të pamëshirshëm?

Arsyet se përse Shqipëria është zgjedhur për këtë projekt nuk janë bërë të ditura nga qeveria shqiptare. Një variant është se për shkak të shumicës myslimane të popullsisë rehabilitimi i ish-luftëtarëve do të jetë më i lehtë. Por fakti është se Shqipëria, madje dhe Kosova, nuk kanë numrin më të lartë të njerëzve që u bënë pjesë e ISIS. Shifrat e vitit 2015 tregojnë se nga Shqipëria dhe Kosova, pjesë e çmendurisë së ISIS u bënë jo më shumë se 200 shqiptarë. Ndërkohë në gjithë Ballkanin llogariten më shumë se 1 mijë. Sfida kryesore për njerëzit që kthehen nga luftëra të tilla nuk është vetëm rehabilitimi, por edhe frenimi i përhapjes së ideve radikale. Dhe këtu flasim për terrorizëm dhe cënim të sigurisë kombëtare dhe jo ide apo pikëpamje mbi besimet fetare.

Argumentet se përse qeveria Rama e ka pranuar një projekt të tillë nuk janë bërë publike deri më sot. Kthimi i vendit në një kamp për ish-terroristët u shtohet zellit të qeverisë “Rama” dhe asaj të mëparshme “Berisha” për të pranuar çfarëdo projekti që ka të bëjë me ekstremizmin. Edhe pse nuk janë raste të ngjashme, me një vendim të tillë në Shqipëri u pranuan dhe muxhahedinët iranianë. Sigurisht muxhahedinët dhe ish-terroristët e ISIS nuk janë njëlloj, por indirekt qeveria shqiptare me këto vendime shton rreziqet për sigurinë kombëtare. Në një shtet që ka probleme me krimin, trafiqet dhe zbatimin e ligjit, të vetofrohesh për tu bërë kamp ish-terroristët është njëlloj si t’i ekspozohesh rrezikut. Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm është një sfidë për shtete shumë më të fuqishme dhe me më shumë kapacitete sesa Shqipëria.

Në gjithë këtë zell të qeverisë për të hapur portat për kasapët e ISIS ajo që nuk na është thënë deri tani është çfarë fiton Shqipëria? Kush do e financojë këtë projekt? Kush do e monitorojë dhe si do përballohen kostot? Kush do të na garantojë që nga vend edukimi Shqipërinë nuk do ta kthejnë në vend sulmi?

Mesa duket qeveria ka menduar vetëm për fitimet e saj afatshkurtra. Një projekt i tillë nuk ka si të mos mbështetet nga vendet e rajonit dhe organizatat ndërkombëtare, pasi u heq atyre jo pak telashe. Qeveria “Rama” me këtë rast merr lëvdatat dhe nuk u lë vend për kritika që kanë të bëjnë me qeverisjen dhe problemet që ka Shqipëria.

E pse të mos e lavdërojnë kryeministrin Rama, shtetet e Rajonit dhe në BE?! I largojnë nga vetja ish-terroristët dhe na i rrasin ne si Shqipëri.

SHKARKO APP