Pse Ilir Meta mund të zgjidhet President Republike?

E para është paksa herët për kandidimin, ndonëse pas një viti duhet zgjedhur kreu i Shtetit, ose edhe më saktë diku nga maj-qershori 2017 vendi duhet të ketë emrin e ri të Presidentit. Mundet të jetë edhe Bujar Nishani, gjithçka është në lojë. Por gjasat duken me shumë kah Ilir Metës, i cili si me marifet e tha tek Ylli Rakipi se “edhe e kam menduar kandidimin për President!”. Pra e thënë me shkoqur Ilir Meta e vuri kandidaturën e tij për President Republike. Ai kurrë nuk thotë diçka para kohe apo në nxitim e sipër. E ka këtë veti të lindur, por edhe të kultivuar nga vitet e përplasjeve të mëdha në politikë. Ilir Meta e tha këtë si gjoja rastësisht, duke i kujtuar Edi Ramës, se ky post quhet tashmë i zënë, nëse do të jesh kryeministër. Por ka edhe një lojë tjetër, e cila duket se po zien nën rrogoz në mazhorancë;që Edi Rama nuk do Ilir Metën, bile as në qeveri, e synon të shkojë vetë në zgjedhje të parakohshme me shpresën se i fiton ato me mbi 71 vota deputetësh, çka nëse ndodh kështu, ai bëhet fuqiplotë në këtë vend. Emri që ka në kokë Edi Rama për President Republike është Lindita Nikolla ose Mimi Kodheli. Dhe më pas parashikohet Rama se si qeveris!

 Por nuk është gjithçka në dorën e Ramës.Ka aktorë politikë si Berisha e Basha, e natyrisht Meta, që rrijnë me “veshë në krahë” dhe që sëbashku bëjnë shifrën magjike 71 vota që zgjedh jo vetëm Presidentin e ri, por mundet edhe një kryeministër tjetër.

Ilir Meta nuk futet në betejë para kohe, asnjëherë. Ai  pret, të paralajmëron disa herë , të takon, të jep prapë kafe, të pyet që “mos u fut në sherr me mua se po më bie në qafë kot” dhe më pas vepron. Është politikan i regjur ndër këto 25 vite. Ndaj fakti që Edi Rama i bëri disa prapaskena edhe me CEZ-DIA, edhe me Tom Doshin e Dritan Priftin, edhe tani me John Kerry dhe duket se nuk ka më paqe, ndonëse rrijnë me “brekë çeliku” kur takohen tek vila 30 ! Ato prapë do takohen, edhe pas ikjes se John Kerry, sepse janë të dy aktorë të mëdhenjë, porse besimi është fikur përfundimisht me këtë manovrën e Ramës këto ditë, duke e spostuar nga takimi me John Kerry. U tha një fjalë nga DASH për mos takimin, ndonëse më mirë nuk duhej thënë se sa u tha, pasi pështjelloi gjithçka. Për hir të vertetës John Kerry është ministër i jashtëm dhe nuk ka pse takohet me kryetarin e parlamentit,  por  sikur ai të ishte kryetar i Kongresit Amerikan atëhere duhej vënë në dyshim të madh fakti pse nuk e takoi. Por prapë taktikisht është një gabim i madh që kanë bërë në këtë protokoll, pasi i kanë rritur kujdesin ndaj vetes Ilir Metës dhe “antenat” e kontrollit vetëm sa janë shtuar në LSI kundrejt Ramës. Pra thashethemet e medias, dhe përreth Ramës, se Byroja Kombëtare e Hetimit po bëhet nga Edi Rama vetëm kundër Ilir Metës dhe djalit të Berishës ka zgjuar reagimin e palëve nën shënjëstër politike. Dihet dëshira e kryeministrit për të mos patur aktorë të tjerë në fushën e së majtës, pra të LSI. Praktikisht Byroja Kombëtare e Hetimit nuk besohet se do të kalojë nën këto hile e prapaskena, të cilat dolën në skenë, pa dashje, me vizitën e pritshme të kryediplomatit amerikan. Do të jemi këtu e do shikojmë debatin dhe parlamentin se si do të reagojë për miratimin e reformës në drejtësi.Të paktën nuk miratohet drafti i servirur nga PS që të marrë në kontroll gjithçka.Praktikisht Adriatik Llalla nuk lëviz më pa mbaruar mandatin e tij kushtetues e jo siç donte kryeministri Rama ta hiqte për ta zëvëndësuar me një emër nga rrethi i tij i prokurorëve.

Nëse Edi Rama kërcënon me zgjedhje të parakohshme se gjoja “nuk miratohet reforma në drejtësi e Byroja” atëhere shumica parlamentare PD+LSI dhe disa parti krijojnë qeverinë teknike për të shkuar në zgjedhje ku do të votojë populli edhe për variantin e reformës në drejtësi. Por me kryeministër tjetër dhe gjasat duken se, për njëmijë e një arësye do të zgjedhin Ben Blushin. Dhe ku PD-ja nuk merr pjesë me ministra. Zv/kryeministër vjen fati për Shpëtim Idrizin dhe ku pesë deputetët e PS-së, të cilët do të jenë me Blushin do të jenë edhe ministra. Ndërsa LSI mban ato poste që ka sot me qeverinë Rama. Dhe zgjedhjet do të vendosin kush del parti e cila krijon qeverinë, porse përsëri duket se do të kemi qeveri koalicioni të detyrueshëm. Nëse Ben Blushi krijon grup kompakt deputetësh në PS rrit fuqinë dhe dobëson primatin e Ramës në selinë rozë,çka mund të përkthehet se prapë qeveria e re do të ketë blushistët në qeveri. Fakti që dje Rama shpërtheu hapur kundër Blushit me përdorimin e epitetit “qentë” në PS nuk do të ketë më qetësi. Do kemi një PS të dobësuar ose një PS të ndarë.

Presidenti i Republikës do të zgjidhet pas këtyre zgjedhjeve, ku prapë Meta e LSI, duke patur sot 270 mijë vota do ti shtojnë votat e deputetët, sepse kanë edhe plot njërëz nëpër bashkitë e reja. Përveç kësaj Ilir Meta mund të jetë i pari President që ka qenë deputet, ministër,zv/kryeministër, kryeministër, kryetar parlamenti, kryetar partie. Nuk është CV e vogël, kjo ! Vajtja e Metës në Presidencë do të krijonte një oaz qetesie për Edi Ramën, gjithnjë nëse ka mirëkuptim e sinqeritet këto muaj, por duket se fjala “sinqeritet” ka firuar mes tyre.

Tashmë emri i Ilir Metës doli në publik për President, ndonëse nuk i dihet kurrë lojës politike. Meta mund të rikthehet edhe kryeministër.

Këtë skemë pa dashje e kundër vetes e sajoi Edi Rama me veprimin e fundit. Tashmë nuk ka më paqe mes PS-LSI. Bëjnë si të “dashuruar”, meqënëse sot është dhe Dita e Dashuruarve, por janë përqafuar me thika ndër duar.

Alban Spiteni

Click here to Reply or Forward

SHKARKO APP