Pse kaq frikë të dorëzoni pushtetin?
Nga Herion Mesi-
Rilindja dhe kryeministri si lider i këtij sekti që mori PS-në prej 15 vitëve kanë kaq shumë frikë për ta dorëzuar pushtetin në prill 2021. Kjo ndjehet në makinacionet e pështira dhe antidemokratike që po bën kryeministri dhe shpura e tij. Natyrisht që çdo lider i një force të madhe politike, aq më tepër pushtembajtëse punon që të rifitojë mandatin, por jo duke manipuluar, jo duke prekur Kushtetutën, jo duke thirrur në skenë krimin, jo duke ofruar pazare “ti kryeministër dhe unë President”.
Nëse do të mbash pushtetin duhet të bësh një analizë të saktë të premtimëve, si janë realizuar dhe pse nuk janë kryer, nëse ka dështime. Dhe punon që ti realizosh çfarë ka mbetur pa u bërë realitet. Dhe natyrisht ofron një program për elektoratin që të të besoj prapë. Por frika e madhe e mosmbajtjes së premtimëve, kthimi i pushtetit si lopë që milet nga oligarkët, kur ke dhënë gjithçka me koncensione, kur pensionistëve nuk iu ke rritur pensionet, kur papunësia është rritur frikshëm, kur krimi bën ligjin sepse bashkëpunon me pushtetin, patjetër që do të kesh frikë të madhe se nuk ta japin votën, edhe nëse tenton të blesh, prapë revolta është kaq e madhe sa nuk kanë besim si Rilindje se fitojnë prapë pushtetin.
Duke parë sondazhet, kryeministri ka vendosur të mos merret me analizën e mosmbajtjes së premtimëve, apo që ti mobilizojë në këto muaj, por ka vendosur ti rikthehet pjesës jo të ndershme të krijimin të skemave se si mund të vidhet. Gjithë makineria shtetrore nuk është në punë për të rritur punësime, shtuar mirëqënien e qytetarëve. Rilindja mendon gjithë natën për të prekur Kushtetutën. Prekja e saj bëhet vetëm në situata të qeta, dhe jo në vit elektoral. Kushtetuta kërkon parlament legjitim dhe të gjithëpërfaqësuar. Më pas vendos populli në Referendum.
Në vitin 1998 populli e vendosi me Referendum Kushtetutën e re dhe ajo ishte më e mira e mundshme në këto 30 vite. Por në vitin 2008, Berisha dhe Rama e preken për interesa personale dhe e bënë çorap shtetin. Ajo prekje e vitit 2008 po sjellë destabilitet politik dhe shtetformues edhe sot pas 12 vitëve. Dhe për dreq prapë duan ta prekin këtë vit elektoral. Nëse në vitin 2008 u futën duart në ligjin themeltar të shtetit nga PS dhe PD, tani kryeministri Rama do ta ndryshojë vetëm me PS-në. Pa konsensus me Opozitën reale, por ka zgjedhur disa sharlatanë nga radhët e opozitës parlamentare që të bëjnë votat. E gjoja bëjnë sikur merakosen për listat e hapura. Synimi mbetet heqja e koalicionëve parazgjedhore sepse fitorja e opozitës sëbashku është mbi 80 deputetë.
Edi Rama po luan fort, egër dhe pisët. Sepse e shikon se humbja është e pandalshme, por po mundohet të krijojë lloj-lloj artificash që t’ja pamundësojë opozitës marrjen e pushtetit. Ndaj kryeministri po bën të gjitha makinacionet.
Nëse Kryeministri do ishte i qetë se pushteti i tij nuk ka vjedhur, se ka rritur mirëqënien, se ka rritur pensionet, se nuk ka dhënë PPP, se nuk ka bërë namin me koncensione, dhe se nuk ka bashkëpunuar me krimin, atëhere do futej në zgjedhje pa prekur Kushtetutën. Por gjynahet e Rilindjes janë shumë të mëdha. Prandaj kanë frikë, se SPAK-u do ti grijë pasi të humbasin pushtetin.