Pse Kokëdhima kundër Ramës?
-“PS-ja nuk duhet të eci me idenë se do t’i “kaparosim” dy-tre deputetë besëthyer nga grupi i opozitës”
–“Reformën në drejtësi, ne nuk mund ta miratojmë në parlament jashtë konsensusit me opozitën, apo duke menduar për të rekrutuar deputetë të saj”
Në kulmin e debatit për miratimin e reformës në drejtësi, kur deputetët “rebelë” pritet të dalin nga ana e PD-së për të dhënë votat në Kuvend, socialisti Koço Kokëdhima ka dalë kundër qëndrimit zyrtar të partisë së tij. E habitshme! Ndryshe nga Kryeministri Edi Rama, që deklaron se reforma do të votohet edhe me vota të PD-së, kundërshton ish-deputeti Kokëdhima duke u shprehur se mazhoranca nuk duhet të gabojë me blerje votash. Në një koment në Facebook, ish-deputeti socialist, thotë se një reformë pa konsensus nuk do të jetë produktive për vendin.
“Reformën në drejtësi, ne nuk mund ta miratojmë në parlament jashtë konsensusit me opozitën, apo duke menduar për të rekrutuar deputetë të saj. Qeveria dhe opozita duhet të merren vesh me njëra-tjetrën. Është e pashëndetshme dhe e papërshtatshme për Shqipërinë, që shumica jonë parlamentare ta çojë reformën për drejtësi në Parlament, me idenë se do t’i “kaparosim” dy-tre deputetë besëthyer nga grupi i opozitës”,- shprehet Kokëdhima.
Ky qëndrim koçokokëdhimas është i papritur në Partinë Socialiste. Kokëdhima nuk është më deputet pas heqjes së mandatit nga Gjykata Kushtetuese. Por në selinë rozë ai mban postin e Sekretarit për Reformën Strukturore dhe Emigracionin. Veç postit partiak, Kokëdhima cilësohet si njeriu më i afërt i Kryeministrit Edi Rama. Për shkak të miqësisë shumëvjeçare dhe lirisë në vendimmarrje që i ka lënë Edi Rama, Kokëdhima shihet de fakto si numri dy i Partisë Socialiste. Që pas vitit 2013 kur ai hyri zyrtarisht në selinë rozë, rezulton se më shumë është bërë siç ka thënë Kokëdhima, dhe jo siç ka vendosur Kryesia, apo deputetë të tjerë me peshë historike në parti.
Për shkak të këtij ndikimi koçist mbi kryeministrin deklaratat e djeshme e tij ka gjetur të papërgatitur jo pak socialistët që prej një muaji thonë se nuk ka më vend për konsensus dhe Reforma duhet të kalojë në Kuvend. Deklarata e djeshme nxjerr Kokëdhimën si një politikan të moderuar që shqetësohet për konsensusin dhe për të drejtat e opozitës. Një qëndrim i tillë zor se besohet, pasi ish-deputeti i Vlorës është ndër politikanët më të ashpër këto vite kundër Berishës dhe kundër Partisë Demokratike. Aq më pak nuk është shqetësuar ndonjëherë që të marrë mendimin e PD për reformat e tjera që kanë kaluar këto vite. Ndaj varianti i politikanit babaxhan dhe konsensual në këtë pikë nuk zë vend.
Variani i dytë që duket se ka gjasa të jetë i vërtetë është një hakmarrje e pastër e Kokëdhimës për heqjen e mandatit të deputetit. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kokëdhima në mënyrë të hapur hodhi dyshime se kolegët e tij në PS nuk e kishin mbrojtur. Madje sipas tij, një pjesë e tyre e kishin tradhtuar dhe shitur, duke futur në rendin e ditës së Kuvendit me urgjencë dërgimin e mandatit të tij në Gjykatën Kushtetuese. Njeriu i parë ndaj të cilit drejtoi gishtin Kokëdhima ishte deputeti Fatmir Xhafaj, njëherësh dhe kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësisë. Xhafa është politikani më i përfshirë në çështjen e reformës dhe kur Kokëdhima kritikon PS për mungesën e konsensusit, duket se personalisht inatin e ka me Fatmir Xhafaj. Nga ana tjetër, kjo dalje hapur kundër linjës zyrtare të Partisë Socialiste duket edhe si një hakmarrje ndaj gjithë socialistëve dhe partisë që në momentin e fundit e braktisën. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që ish-deputeti socialist nuk kursen bashkë me socialistët edhe ndërkombëtarët. “Nevoja ulëritëse për një drejtësi funksionale dhe të besueshme, nuk duhet t’u shërbejë si alibi palëve të përfshira, vendase dhe të huaja qofshin, për të bërë secila interesat e veta dhe për t’i imponuar vendit gabime të reja, po aq të rënda sa ato që janë bërë në të shkuarën”,- shprehet ai në mesazhin publik. Në fakt duket se ish-deputeti e ka edhe me ambasadorin amerikan Lu, i cili thuhet se ka qenë i prerë që Kushtetuesja të zbatoj ligjin me mikun e Kryeministrit. Nuk është pa informacion Koço.
Qëndrimi i djeshëm i Kokëdhmës mund të jetë dhe një lojë fine për të flirtuar me kundërshtarin. Dje armiku më i madh i Berishës, i ka dhënë të drejtë në kërkesën që ka për miratimin e reformës në konsensus. Parimisht Kokëdhima mbështet konsensusin, po praktikisht ka çuar ujë në mullirin e PD dhe Sali Berishës. Kjo lëvizje mund të jetë dhe një mesazh që Kokëdhima i ka çuar ish-kryetarit të PD-së për të hapur rrugën e bashkëpunimit apo edhe flirtimit. Dhe këtë lojë Kokëdhima e njeh mirë. E ka nisur dikur me Berishën kundër Fatos Nanos. Dhe disa kohë prapë me Berishën kundër Ramës kur ishte kryetar bashkie.
Pavarësisht qëllimeve të Kokëdhimës, Partia Socialiste tani ka një problem jo të vogël moral. Kryeministri Rama del çdo ditë në konferenca shtypi dhe thotë se reforma do kalojë edhe pa konsensus. Tashmë nuk duhet të bind vetëm demokratët që do e votojnë, por edhe njeriun e tij më të afërt në PS, Koço Kokëdhima, të cilit i ka dhënë mandat politik duke e futur në votim si anëtar të Ansamblesë duke shkelur çdo statut të PS-së.
Ka edhe një variant tjetër se Kokëdhima mund të jetë pjesë e hetimeve nga Byroja Kombëtare e Hetimeve (BKH) për pronat e tij apo informacione të besueshme nga “Rruga e Elbasanit”, prandaj kërkon sinkronizimin me PD që neni 88 të zbatohet duke gjetur shtigje bashkëpunimi për të qenë i paprekur edhe pas Reformës.
Pas Reformës ka informacione të besueshme nga “Rruga e Elbasanit” se do të ketë arrestime VIP dhe nuk do të ndalojnë sirenat e policisë me pranga politikanësh në 6 mujorin para zgjedhjeve parlamentare.
Parimisht Kokëdhima ngre një çështje të drejtë të mos blerjes apo siç e thotë bukur të mos “kaparosjes” së deputetëve të opozitës. Por mbetet pikëpyetje e madhe se pse doli Koço kundër Edi Ramës.
Pse? Për parime? Vështirë të besohet në këtë pikë ish-deputeti.
Diçka po ndodh në PS, kur miku më i ngushtë dhe më ndikuesi në vendimet politike të Edi Ramës, doli kundër. A do të ketë mbledhje Kryesie të PS-së për ta dënuar këtë deklaratë politike të një sekretari të rëndësishëm të saj, e cila shkatërroi krejt fushatën e PS-së dhe të Kryeministrit? Nëse nuk e bën Edi Rama atëhere do të quhet se e ka futur ai Koçon për të mos votuar Reformën.
Por Donald Lu po mban shënime ! BKH ( e cila është diku në një sirtar ambasade) po bën gati listën për sirenat e prokurorisë…