Pse nuk i heq kazinotë Rama?
Në tetor të vitit 2013, qeveria e re e nisi një nga aksionet më të mëdha kundër lojërave të fatit. Operacioni me emrin “Fundi i Marrëzisë” kishte si qëllim mbylljen e lojërave të fatit që operonin në treg pa licencat e duhura, eliminimin e një pjesë të tyre që ndodhen në zonat e banuara dhe disiplinimin e një biznesi që qarkullon miliarda lekë në pak muaj. Gati dy vite nga nisja e këtij operacioni situata është po aq e rënduar sa dy vite më parë. Në mos më keq. U premtua ndëshkimi i kompanive që kanë shkelur ligjin. Ndaj administratorëve të tyre u vendosën disa gjoba modeste. Pas pagesës së gjobave bizneset e kumarit kanë nisur të lulëzojnë sërish. A paguan ato nën dorë dikujt në Qeveri apo më poshtë se Qeveria këtë është e vështirë ta thuash, porse diku kanë paguar. Një pjesë e administratorëve kanë zgjedhur një formë tjetër të vazhdimit të biznesit. Për të shmangur përplasjet me drejtuesit e rinj të lojërave të fatit, kanë ndryshuar emrat duke përzgjedhur njerëz që njihen për lidhje të afërta me deputetë dhe njerëz me pushtet pranë së majtës. Bile ka informacione se edhe Qeverinë kjo pjesë e deputetëve të PS-së po e bllokon .
Një tjetër premtim ishte dhe largimi i kazinove e lojërave të tjera të fatit nga zonat e banuara, apo institucionet shtetërore. Që diçka e tillë nuk ka ndodhur, mjafton të shohësh vetëm pak rrugë në Tiranë. Jo vetëm kazinotë nuk janë larguar, por janë hapur të tjera afër pallateve, apo edhe ngjitur me to. Nuk mungojnë dhe rastet kur kazinotë ndodhen thuajse afër shkollave, gjimnazeve, si dhe godina të tjera që u bëjnë karshillëk institucioneve shtetërore para shkallëve të tyre. As që e çajnë kokën për Qeverinë.
Biznesi i kumarit është një nga më fitimprurësit për buxhetin e shtetit. Hezitimi i qeverisë mund të lidhet dhe me mbledhjen e taksave. Por nga të dhënat e buxhetit nuk rezulton se të ardhurat nga kumari, pas kontrolleve të reja të jenë rritur në mënyrë bindëse. Nga ana tjetër, teksa flitet për kufizimin e këtij fenomeni si një problem social, paradoksalisht vihet re rritje e sallave të basteve. Nga vitit 2013 deri në vitin 2013 sallat e lojërave të fatit të basteve sportive janë rritur me 300 njësi të reja. Në total llogariten rreth 2500 salla bastesh sportive dhe rreth 130 kazino. Këto u përkasin kompanive të licencuara dhe klasifikohen si të dhëna zyrtare. Por në tregun qindra milionësh të bixhozit dihet shumë mirë se ekzistojnë edhe kompani që veprojnë në ilegalitet. Apo kompani të tjera që operojnë vetëm me anë të internetit. Pas bujës që bëri ditët e para “Fundi i Marrëzisë”, prej muajsh operacioni është lënë në heshtje. Nga Policia e Shtetit, jepen njoftime për bllokimin e pikave të basteve që kanë 1 apo dy makina elektronike. Këto bllokime ndodhin në zona si Burrel apo Përmet, kur në fakt dihet se qendrat më të mëdha të kumarit ku luhen miliarda lekë janë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier. Por në këto qytete nuk ka më operacione. Pse nuk guxon Qeveria ti kontrollojë apo ti heqë nga Tirana ? Ka frikë apo ka marrë para për fushatë?
Në këtë situatë nuk mund të flitet më për operacion, por për një mision të dyshuar të mazhorancës aktuale. Ndërsa operacioni i Lazaratit, ndërtimeve pa leje dhe ai energjisë ishin ndër nismat më të suksesshme të Kryeministrit Rama , ndërsa “Fundi i Marrëzisë” po rezulton të jetë vetëm një marrëzi e qeverisë. Ka deklarata publike të drejtueses së Njësisë së Lojërave të Fatit, Luneda Sufali dhe ish-nënkryetarit të Kuvendit, Edmond Spaho që pranojnë se shumica e politikanëve dhe deputetëve janë të përfshirë në biznesin e lojërave të fatit. Në këtë situatë, ose kryeministri të deklarojë se ka dështuar me rregullimin e këtij tregu ose të tregojë se kush prej deputetëve është i përfshirë. Problemi nuk është vetëm se një pjesë e tyre kanë biznese në lojërat e fatit, por siç duken gjasat janë të aftë dhe t’i bëjnë presion institucioneve dhe të shantazhojnë qeverinë. Fakti që prej dy vitesh institucionet e linjës nuk kanë hedhur asnjë hap për normalizimin e situatës tregon se këta politikanë kanë arritur të blejnë heshtjen e tyre, në mos dhe kanë kërcënuar përfaqësuesit e mazhorancës.
Në dështimin total të një aksioni, formalisht duhet të kishte një sqarim nga ana e institucioneve. Në të kundërt, rezulton se ose kanë frikë, ose edhe ata janë bërë pjesë e një biznesi prej miliarda lekësh. E ku pastrohen edhe lekët! Mafia më e madhe në këto lojëra pastron paratë.
Këtu Kryeministri Rama ka dështuar plotësisht. Nuk ka patur mundësi,kohë apo dëshirë në këtë drejtim kjo nuk kuptohet për momentin. E saktë mbetet se ka marrë dështimin e parë më të madh Kryeministri.