Pse Rama nuk shkarkon Petrit Ahmetaj? Ndonjë pazar?! Po Ylli Qabiri çfarë do?

 

 

Diçka po luhet në kupolën e PS-së. Akoma vazhdon historia e CEZ dhe kompanive të saj në mbledhjen e borxheve. Edi Rama duhet të kishte shkarkuar Petrit Ahmetaj që të çlirohej  nga akuzat se po luan me çështjen CEZ. Ka informacione se ish-kryeministri Vilson Ahmetaj, vëllai i Petrit Ahmetaj , kryetar i ERE, janë parë të darkojnë këto ditë në një lokal në periferi të Tiranës me Ylli Qabirin, ish-ministër dhe një prej ekonomistëve më të mirë shqiptarë, që mbetet mik i Kryeministrit Rama. Çpo ndodh apo punohet që të mbahet në detyrë Petrit Ahmetaj? Mos ka pazare edhe PS-ja si vetë Berisha, dikur? Apo ka ndonjë kompani që mblidhte borxhet e CEZ e që sot është miliardier dhe ka ndërhyrë tek kryeministri  për të mos shkarkuar kreun e ERE?

Sa më shumë e mban Edi Rama pa shkarkuar kreun e ERE kur po dalin skandale të tij e konflikt i hapur interesi, aq më shumë do të thuhet se kryeministri ka interesa në këtë aferë. Nuk mund të themi se ka interesa direkt kryeministri, porse ndonjë ministër i tij edhe mund të ketë marrë "thelën" e vjeshtës nga grupi Ahmetaj. Ky dyshim të shtohet kur dëgjon se Rama shkarkon edhe  shefin e një sektori në ndonjë rreth nëse ka akuza për korrupsion e nuk heq barrën që i vjen nga kreu i ERE Ahmetaj. Mos harroni se kryetari i ERE është "ujk" i vjetër profesionist dhe xhiron bukur edhe kur është nën akuzë si në këtë rast.

Kryetari aktual i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmetaj, rezulton të ketë qenë konsulenti kryesor i veprimtarisë së kompanisë DIA të Kastriot Ismailaj, që është nën hetim dhe bashkëortak me të në një biznes tjetër, po në këtë fushë. Sipas dëshmive të siguruar nga hetimi i kompanisë DIA, rezulton se Petrit Ahmetaj, në cilësinë e këshilltarit zyrtar të ish­ kryetarit të ERE, ka sugjeruar dhe më pas ka hartuar një konsulencë për studimin e tregut të energjisë në Shqipëri, të cilin CEZ ia ka faturuar me një vlerë 1.5 milionë euro dhe që dyshohet se është përdorur për korruptimin e ERE, e cila uli në mënyrë të frikshme çmimin e blerjes së energjisë për ÇEZ nga KESH. Në media është botuar dokumenti ku provohet se ish­ ministri i Financave, Ridvan Bode, ka miratuar sipas një dokumenti zyrtar, uljen në 2.2 lekë për Kw/h, për furnizimin e ÇEZ nga KESH, nga 2,83 që ishte në fuqi ndërkohë, si dhe njohjen e borxhit të keq në masën 16.8 për qind të kësaj kompanie, që buronte nga kontrata e shitjes. Nga procesi gjyqësor në pikën 20 të dëshmisë rreth “Pasut&Partenrs”, thuhet se zoti Ismaili dhe zoti Ahmetaj, në atë kohë ndihmës i Bordit të Komisionereve të ERE, përgatitën një studim tregu mbi borxhin e OSHE. Dëshmitari E.M në deponimin e tij për aferën CEZ-­DIA thotë se “Kastriot Ismailaj, që në mars – prill 2011 më ka shprehur që çdo gjë e kam rregulluar në Pragë dhe besoj se në vjeshtë do të fillojmë kontratën për mbledhjen e borxheve të CEZ. Më tregoi një dokument prezantimi për DIA, të cilën e kishte prezantuar në Pragë. Ky dokument kishte në faqen e parë kompaninë austriake “Passut & Partners” si autore të studimit…Kur e pyeta Ismailajn për emrin e kompanisë austriake ai më tha se emri është austriak, por prezantimin e kanë bërë dy persona që ishin shtetasit S.H dhe Petrit Ahmetaj, si persona që njohin mirë sistemin energjetik në Shqipëri. Di që pas këtij prezantimi, u firmos kontrata e shërbimit në 1 shtator 2010” . Për këtë çështje është pyetur edhe shtetasi S.H, një ndër personat që ka bërë prezantimin me Petrit Ismailajn, në emër të kompanisë austriake, vetëm për të përfituar kontratën e mbledhjes së borxheve. “Këtë dokument unë e kam përgatitur së bashku me shtetasin Petrit Ahmetaj, të cilin e ka thirrur për këtë punë, vetë Kastrioti. Eksperienca e Petritit ishte e madhe sepse ai kishte punuar për një kohë të gjatë në sistemin energjetik. Dokumenti është përgatitur për një kohë prej rreth dy javësh dhe i është dorëzuar Kastriotit, i cili pasi mbaroi, tha se ky dokument do të shkonte në Pragë te ÇEZ Praga, në funksion të marrjes së një pune. Gjatë verës së vitit 2010 Kastrioti më ka kërkuar që ta shoqëroja dhe së bashku me të dhe një mikun tonë të përbashkët B.S, kemi shkuar në Pragë në Çeki” deponon S.H. Po ashtu, Ahmetaj dyshohet se ka devijuar tek një kompani e vëllait të tij, ish­ kryeministri Vilson Ahmetaj, një pagesë prej 170 milion lek të vjetra, e cila buron nga pagesa për konsulencë dhe që mund të jetë përfitimi që ai ka marrë për lobimin pro CEZ në uljen e çmimit të blerjes së energjisë nga KESH. Në një dokument hartuar nga Drejtoria e Tatimeve të Tiranës ndaj firmës DIA (Debt International Advisory), flitet qartë për shumat e dhëna të parave, për punime të pakryera. Kompania A.I.C ku është pronar edhe ish­ kryeministri Vilson Ahmeti, ka përfituar nga DIA plot 16.916.667 lekë (pra gati 170 milionë lekë) dhe sipas dokumentit dhe provave, për punime të pakryera për llogari të CEZ. “Për punët e kryera nga kjo shoqëri inxhinierit të degës nuk iu vendosën dokumentacionin në dispozicion që të vërtetonte kryerjen e këtyre punimeve. Fatura e lëshuar nga kompania Nereida sh.p.k ka përshkrimin “Mbështetje dhe asistencë logjistike për arkëtim të detyrimeve” nuk ka asnjë dokument shoqërues që të vërtetojnë kryerjen e këtyre shërbimeve” shkruhet në raportin e tatimeve.

Të gjitha këto prova tregojnë se kryetari aktual i ERE është në një konflikt të pastër interesi në këtë debat dhe nëse bëhet fjalë për minimumin e seriozitetit në hetim, ai duhet të dorëhiqet për të dëshmuar se socialistët nuk po e përdorin këtë debat për politikë, por për transparencë. Ndryshe ata do t’i krijojnë alibi Berishës, për këtë vjedhje monstruoze, e cila është kryer edhe me ndihmën e njeriut që sot drejton ERE, në emër të socialistëve. Është po ashtu interesant fakti që PD nuk kërkon dorëheqje të këtij personi kyç në pushtetin e socialistëve, por dorëheqje të Ilir Metës, meqë ky i fundit ka pas njohur ortakun e Ahmetaj, i cili është sot në një post kyç që garanton kapjen e shtetit nga CEZ dhe ngre dyshime reale dhe për mënyrën se si u negociua largimi i CEZ nga vendi.

Mendohet se kryeministri Rama nëse nuk i kërkon dorëheqjen deri në fund të javës që vjen do të ketë sulme nga LSI ndaj kreut të Ekzekutivit sepse duket se ka një lojë të orkestruar nga Berisha me dorën e Ramës. Por pyetja publike është se pse kryeministri nuk e shkarkon kreun e ERE, Petrit Ahmetaj ndërkohë që ka shkarkuar edhe për gjëra më të vogla zyrtarë të periferisë?

Ose Rama e lë kreun e ERE në detyrë që sa më shumë i bien atij do të dalë pluhur për ortakun e tij bashkëqeverisës Meta dhe kështu ai mendon se po i bën dëm LSI. Por deri tani nuk po gjendet ndonjë dokument, fakt apo incizim që të përziejë kreun e parlamentit në këtë histori përvecse Berishën, Boden, Petrit Ahmetaj dhe atë që është në burg.

SHKARKO APP