Publikohet dokumenti. Rama u njoftua më 5 gusht për bllokimin në kufi. Meta: Kryeministri po pushonte për shtatë palë qejfe

Presidenti Ilir Meta ka publikuar në Facebook dokumentin e Ambasadës Shqiptare në Athinë, e cila informonte Ministrinë e Jashtme në Tiranë për rregullat e reja të shtetit grek. Dokumenti që mban datën 5 gusht, i është dërguar ministrisë që drejtohet nga Edi Rama me shpjegimet e palës greke për bllokimin e mundshëm të lëvizjeve në pikën kufitare të Kakavijës.

Që nga data 5 gusht qeveria “Rama” nuk mori asnjë masë për informimin e qytetarëve dhe lejoi që në Kakavijë të krijohej një krizë e rëndë humanitare.

Presidenti shprehet se Ambasada në Tiranë dhe autoritetet e shtetit grek kanë qenë korrekte në informimin e institucioneve për situatën në kufi, por kryeministri Edi Rama ka qenë me pushime dhe nuk e ka prishur terezinë.

“Falënderoj Ambasadën e Shqipërisë në Greqi, që ka kryer me korrektësi shembullore paralajmërimin e menjëhershëm të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, ende në detyrë, z.Rama.

Edhe njëherë NDJESË TË GJITHË BASHKËQYTETARËVE TANË, të cilët hoqën vuajtje çnjerëzore sepse Ministri ynë i Jashtëm, i cili është edhe Kryeministër, po pushon për shtatë palë qejfe!”,- shkruan kreu i shtetit në mesazhin e tij në Facebook.

SHKARKO APP