Qeveritarët e dalë nga “Koha Jone”: Rama, Blushi, Gjoni dhe Denaj
Të punosh në media, para se të marrësh udhën në një karrierë politike apo shtetrore, është një gjë brilante. Puna në gazetë apo televizion të jep mundësi të njohësh botën ku jeton më mirë se sa një qytetar tjetër që mbart aftësi apo ambicje për të ecur në jetë. Të jep përballjen me pushtetin e radhës, të krijon një ndjesi të çuditshme ku adranalina mbetet pjesë e profesionit, si dhe të jep mundësi të njohësh më mirë shoqërinë, politikën, shtetin.
Natyrisht të qënit gazetar nuk do të thotë se je kryevepra e Zotit e zbritur në tokë. Por je një hap para në raport me ata politikanë apo zyrtarë të shtetit që nuk e kanë kaluar këtë eksperiencë mediatike. Natyrisht nuk është përgjegjsi e medias, nëse ish-gazetari nuk del korrekt të nesërmen e punës si politikan apo qeveritar, kur deri dje kritikonte ish-pushtetarët pikërisht si gazetar.
Megjithatë çdo media mbetet një shkollë për cilindo, ndërsa “Koha Jone”, duam apo nuk duam, është një “Universitet” në fushën e medias. Nuk po shtojmë se afro 80 përqind e drejtuesve kryesorë në mediat e vendit apo të analistëve kanë dalë nga “universiteti” i “Koha Jonë”.
Edi Rama, dikur gazetar dhe analist në gazetën “Koha Jone”, atëhere kur për një fjalë arrestoheshe apo të hidhnin në erë me dinamit shtëpinë, ka thënë në maj 2001 në qytetin e Lezhës se “Pa gazetën “Koha Jone”, ne nuk na njihte as lagja e jo më vendi…” (është video). Dikur e ka thënë, kur “Koha Jone” me të drejtë e shikonte si rreze shprese për një politikë të re dhe që do të thyente sloganet strikte të së majtës. Më vonë, ndonëse mori emër nga “Koha Jone”, u sëkëlldis sa herë ajo e kritikonte apo vazhdon ta kritikojë si kryeministër. Edhe u mundua ta përçmojë, por mbetet çështje respekti për vetveten nga ku lindi si lider.
Ndërkohë nga “Koha Jone” kanë dalë edhe Ben Blushi dhe Ilir Gjoni. I pari tashmë njihet mirë nga publiku, ish-deputet, ish-ministër e prapë në media. Blushi i përket atij brezi gazetarësh që ka bërë histori në “Koha Jone”, si Aleksandër Frangaj, Martin Leka, Frrok Çupi dhe Armand Shkullaku. Edhe plot të tjerë, por Blushi ishte kryeredaktor në vitin 1996-1997 kur “Koha Jone” arriti në 88 mijë kopje shitje në ditë e që në shumë raste fotokopjohej si trakt se tirazhi ikte në çast. Dikush mund të thotë se ashtu ishte koha e “Koha Jone”. Saktë, por çdo epokë prodhon heronjtë e saj.
Edhe Ilir Gjoni, ish-deputet, ish-ministër mbrojtje dhe ish-ministër i brendshëm nga “Koha Jone”, doli. Tashmë është ambasador në Zvicër. Por markën e ka nga pas, “KOHA JONE”.
Së fundi, është propozuar për ministre të financave, Anila Denaj. Ish-gazetare e sektorit të Ekonomisë në “Koha Jonë” ndër vitet më brilante të gazetës, kur drejtonte Aleksandër Frangaj, ajo ka talent në fushën e saj të ekonomisë. Në pritje të dekretit të presidentit Meta, që mbetet një e drejtë kushtetues e kreut të Shtetit, por nuk mund të rrijë njeriu pa thënë se vjen si ministre me markën “KOHA JONE”.
Nuk është çudi që më vonë “Koha Jone” ta kritikojë, nëse ajo si ministre nuk do të jetë korrekte me detyrën.
Në fund të fundit “Koha Jone” të nxjerrë në jetë, por më pas duhet të ecësh vetë edhe nën bresheritë e vetë medias, ku dikur gjuaje të tjerët.