Rama braktis Saimir Tahirin
-Dosja “Habilaj” trondit politikën: “5 milionë euro në muaj për ministrin”. Edi Rama braktis ish-ministrin: Jam i shokuar dhe neveritur, të dalë në shesh e vërteta
-PD: U vertetuan akuzat tona për ish-ministrin e brendshëm të Ramës.
-LSI: Tahiri është hallka lidhëse mes krimit dhe kryeministrit të PS.
Në vitin 2005, një djalë i ri me syze dhe pak mjekër që socialistët thoshin se ngjan me Qemal Stafën u shfaq në selinë e PS dhe u shpjegonte gazetarëve, në një dërrasë të zezë shkolle, mënyrën sesi duhej rrëzuar Sali Berisha. Ky ishte Saimir Tahiri, një nga sekretarët e rinj të selisë rozë pas marrjes së PS-së nga Edi Rama. Brenda 12 viteve, nga një riosh në PS, Tahiri arriti në majat e pushtetit duke u bërë njeriu më i rëndësishëm pas Edi Ramës në parti. Bile spostoi edhe Erion Veliajn e suksesshëm. Por që nga viti 2005 kanë rrjedhur shumë ujëra dhe emri i njeriut që denonconte korrupsionin dhe krimet e Berishës, sot gjendet nën përgjimet e bandave italo-shqiptare që trafikojnë drogë. Më shumë se kaq, ai që trondiste dikur Berishën me denoncime, sot është në qendër të akuzave dhe po trondit edhe vetë karrigen e Edi Ramës. Por Edi Rama e hodhi, e braktisi. E la të luftojë vetë me drejtësinë që e pret te dera e pallatit të tij.
Ngjitja e Tahirit drejt pushtetit
Por si u ngjit Saimir Tahiri drejt majave të pushtetit dhe si u bë njeriu më i afërt i Edi Ramës? Në vitin 2005, në partinë që si kusht për promovimin e njerëzve të saj kishte përvojën e gjatë në struktura, askush nuk e dinte sesi Tahiri arriti të ishte zëri kryesor i PS. E vetmja gjë që thuhej në korridoret e PS-së ishte Tahiri cilësohej si njeriu më i besuar i Edi Ramës. Dhe Tahiri e justifikoi këtë besim. Në vitet 2005-2009 Edi Rama ishte në kulmin e reformimit dhe sherreve në PS. Kishte kundërshtar thuajse gjithë Kryesinë e vjetër të Fatos Nanos dhe vetëm pak njerëz mundi të sillte nga Bashkia e Tiranës në strukturat e partisë. Tahiri ishte “violina e parë” e mbështetësve të Edi Ramës. Për shkak të besnikërisë ndaj kryetarit, Edi Rama në vitin 2007 e emëroi zëdhënës të PS. Dhe Tahiri ishte njeriu që e mbronte me mish dhe shpirt kryetarin e ri para kundërshtarëve dhe shpesh herë ishte “peshkaqeni” që sulmonte në media ata që nuk i sulmonte dot personalisht Rama. Më pas, Kryeministri i besoi Tahirit detyrën e rekrutimit të prurjeve të reja dhe sidomos të rinisë në PS. Në vitin 2008 u bë drejtori i Fondacionit “Qemal Stafa”, një forum që përgatiti pjesën me të madhe të drejtuesve të sotëm të strukturave të PS. Për këto shërbime në PS, Tahiri në vitin 2008 ishte në listën e sigurt të deputetëve të Tiranës. Nga ky moment nisi dhe aktivizimi në beteja politike i Tahirit duke u bërë deputeti i aksioneve kryesore të Edi Ramës. Në opozitën e gjatë të së majtës, Tahiri ishte krye të demonstratës së 21 Janarit. Ishte deputeti që përplasej me Policinë e Shtetit para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votat e PS dhe ishte njeri që asnjëherë nuk i doli kundër Edi Ramës. Tahiri ishte gati të kapej fizikisht me çdo demokrat që i shante Edi Ramën në Kuvend dhe mund të bënte çdo aksion, sado pa sens që dukej.
Për lidhjet e tij me Edi Ramën, Tahiri gjithmonë ka thënë se janë miqësore. Madje tregonte se e ka takuar në Bashkinë e Tiranës dhe i ka kërkuar t’i jepte një mundësi për të kontribuar në Partinë Socialiste. Edi Rama ka preferuar të mos flasë shumë për raportet e tij personale me Tahirin. Ndërsa Sali Berisha gjithmonë ka aluduar për një lidhje okulte dhe interesa të dyshimtë mes tyre.
Cilado qofshin raportet jashtë politike mes tyre, Rama dhe Tahiri kanë provuar se kanë qënë luajal me njeri-tjetri jo vetëm në opozitë, por edhe në 4 vitet e para të pushtetit. Pas fitores së vitit 2013, Tahiri ishte i vetmi deputet i PS-së që e dinte se do të ishte minister, ndërkohë që të tjerët pyesnin nëpër koridore nëse do ishin në qeveri. Edi Rama i besoi Ministrinë e Brendshme, institucionin më të rëndësishëm, por edhe më delikat.
Akuzat ndaj Tahirit
Deri disa javë më parë, Saimir Tahiri cilësohej si ministri më i suksesshëm i qeverisë “Rama”. Vetë kryeministri shpesh herë e quante politikanin që ndryshoi historinë e Policisë së Shtetit. Një mbrojte e tillë e Edi Ramës bëhej në kohën kur Tahiri ishte ministri më i sulmuar nga opozita, por edhe nga vetë mazhoranca. Lëvizja Socialiste për Integrim foli hapur tre vite më parë për probleme me rendin dhe akuzoi direkt Tahirin për lidhje me drogën. Ndërkohë, Edi Rama, në asnjë rast nuk e uli ritmin e lëvdatave duke e marrë në mbrojtje në çdo rast ministrin e tij besnik. Në 4 vite ka pasur jo pak momente dhe skandale që mund të kishin lëkundur besimin e Edi Ramës. Tahiri është akuzuar direkt për shkelje të ligjit nga opozita. PD ka folur për lidhje me Emiljano Shullazin, familjen Habilaj, rritjen e krimit dhe më shumë se të gjitha për kultivimin masiv të kanabisit në vend. Në të gjitha rastet, Edi Rama ka qenë mburoja e ministrit, duke e mbrojtur për çdo akuzë dhe duke e cilësuar gjithmonë ministrin më të suksesshëm.
Mbrojtja e Edi Ramës zgjati deri dje, kur në një deklaratë në Facebook kryeministri deklaroi se ishte i “shokuar dhe neveritur” nga bisedat e disa trafikantëve ku përmendej emri i ish-ministrit Saimir Tahiri. Reagimi i Edi Ramës ishte i vonuar. Prej dy ditësh Prokuroria italiane dhe mediat e vendit fqinj po publikojnë fakte, ku sipas tyre ish-ministri shqiptar rezulton i përfshirë në trafikun masiv të drogës. Hetimi i një bande që trafikonte droge ka çuar në pranga kushërinjtë e ish-ministrit. Në përgjimet e tyre Saimir Tahiri përmendet disa herë si mbështetës dhe përfitues i parave të drogës. Detajet e bisedave të kushërinjve flasin se vetëm në një muaj ish-ministri ka marrë 5 milionë euro, sipas tyre. Më tej, tregohet se këto para janë përdorur edhe për fushatën elektorale të Partisë Socialiste. Ky përgjim, derisa të sqarohet nga drejtësia, është përvëlues për Saimir Tahirin si ish-ministër, por edhe vetë Edi Ramën dhe gjithë qeverisjen e PS. Nëse akuzat faktohen kemi të bëjmë më skandalin më të madh të politikës shqiptare në të gjitha kohërat, sepse do të faktohej se krimi ka aleat gjithë shtetin.
Përgjimet e kushërinjve të Saimir Tahirit kanë tronditur politikën shqiptare dhe po vënë në provë gjithë institucionet e vendit, duke nisur nga Prokuroria, qeveria dhe deri opozita. Politikisht qeveria ka rënë që dje. PD-LSI dhe krejt spektri politik shqiptar po mblidhet për krijimin e FRONTIT kundër krimit të organizuar dhe qeverisë së Ramës.
Nëse akuzat dhe dosja vertetohet ndaj Tahirit, ka rënë edhe Edi Rama.
Qamil Xhani