Rama dhe Berisha te komisioni “Tahiri”

Komisioni parlamentar hetimor për kultivimin e kanabisit, i njohur ndryshe si komisioni “Tahiri”, pritet të sjellë përballje të fortë mes dy kampeve politike. Që në mbledhjet e para të këtij komisionit mazhoranca dhe opozita po llogarisin ta përdori këtë hetim si një gjyq publik kundër palës tjetër, ndonëse PS-ja është më e goditur në këtë rast sepse ka një ish-ministër të brendshëm të akuzuar dhe nën hetim nga prokuroria e krimëve të rënda.

Partia Demokratike ka publikuar dje listën e zyrtarëve që do të thirren për të dëshmuar në komisionin hetimor për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Kreu komisionit, Edi Paloka, tha se për të arritur objektivin e hetimeve të parlamentit, duhet të merret dhe dëshmia e një sërë zyrtarësh aktuale të qeverisë dhe ish-zyrtarë. Dhe zyrtari i parë që demokratët kanë në listë për të marrë në pyetje është pikërisht kryeministri Edi Rama. Për demokratët, kryeministri Rama është mbrojtësi kryesor i Saimir Tahirit dhe njeriu që e mbështeti në karrierën politike duke i besuar ministrinë më të rëndësishme. PD shton se ishte politika e kryeministrit Rama që lejoi kanabizimin e vendit. Por përveç Ramës, selia blu kërkoi që në komision të jenë edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Para deputetëve do të dëshmojnë edhe ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi, kreu aktual në detyrë i SHISH, Helidon Bendo, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, drejtues dhe ish-drejtues të Policisë së Shtetit në qarqe. Në listë janë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të sigurisë kombëtare. Në cilësinë e dëshmitarit do të thirret dhe prokurori i Krimeve të Rënda që ka nën hetim Saimir Tahirin, Besim Hajdarmataj, si dhe zyrtarë të tjerë të organit të akuzës. Gjithashtu, PD kërkon që në komision të hapen dhe dosje sekrete të SHISH dhe mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku është diskutuar për fenomenin e mbjelljes së kanabisit. Nuk dihet nëse Presidenti do ti lejojë daljen e dokumentave sekrete nga Presidenca për mbledhjet e Këshillit Kombëtar, ndonëse ligjërisht mund të jetë i detyruar t’ia jap komisionit hetimor parlamentar.

Fill pas publikimi të listës së dëshmitarëve që kërkon PD-ja ka dalë Partia Socialiste me një njëjtin stil politik. Deputeti socialist Bashkim Fino tha dje se lista me dëshmitarë që do të sjellë PS në mbledhjen e radhës do të jetë shumë herë më e gjatë se lista e PD. Për të balancuar thirrjen e kryeministrit Edi Rama në komision, PS-ja do të kërkojë që në cilësinë e dëshmitarit të thirret edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu, BashkimFino la të kuptohet se në cilësinë e dëshmitarit do të jenë dhe disa anëtarë të PD në komisionin, siç është rasti i ish-ministrit të Brendshëm në qeverisjen e PD, Flamur Noka. Demokratët kërkojnë që hetimi të fokusohet në vitet 2013-2016 kur ministria e Brendshme drejtohej nga Saimir Tahiri dhe kur kishte kultivim masiv të kanabisit. Nga ana e saj PS-ja kërkon që hetimi të shtrihet edhe gjatë qeverisjes së PD. Konkretisht, periudha kur hashashi mbillej rregullisht në zonën e Lazaratit dhe disa vende të tjera. Në këtë mënyrë duket se dy palët do të “ndajnë parcelat e hashashit” në Parlament duke akuzuar njëra-tjetrën.

Lista me emrat e zyrtarëve që do të dëshmojnë do të miratohet në seancën e radhës së komisionit. Sipas ligjit për hetimin parlamentar, kur një zyrtar nuk pranon të vijë në komision për dëshmi, ai mund të merret edhe me forcë nga policia. Sali Berisha zakonisht ka refuzuar të shkojë për dëshmi në komisionet e mëparshme parlamentare. Nuk dihet nëse do të shkojë këtë rradhë, ndonëse informacionet janë se do paraqitet për ta kthyer seancën në një sulm të egër politik ndaj kryeministrit Rama. Ndërsa Edi Rama ka një përvojë me hetimin parlamentar gjatë kohës që ishte kryetar bashkie dhe kur vend të dëshmive dha spektakël me megafon dhe tallje ndaj deputetëve. Burime nga kryeministria thonë se kryeministri do të paraqitet, pasi “i ka me shumë passion këto komisione, sidomos kur drejtohen nga Edi Paloka dhe Flamur Noka”.

Këtë rradhë çështja është pak me serioze se sa komisionet e tjera. Edhe pse komisionet parlamentare nuk kanë pasur rëndësi në ndjekjet e mëpasshme penale ndaj zyrtarëve, por ky komision do të synojë të nxjerrë përgjegjësitë politike për hashashin si dhe fakte të cilat do t’ia nis prokurorisë së krimeve të rënda.

Beteja sapo ka filluar ndaj nuk do jetë çudi ku dëshmitarët do mundohen të jenë sa më të kujdesshëm para komisionit hetimor, sepse nuk është më koha kur e merrnin me të qeshur. Po ndryshojnë kohët dhe nuk është çudi që prokuroria ndonjë dëshmitar edhe mund ta marrë të pandehur pas dëshmive apo debatëve në komision, gjithnjë në raport me faktet qe do nxjerrin sejcila palë politike.

Një burim nga brenda komisionit thotë për “Koha Jone” se komisionit do ti kërkohet nga një anëtar komisioni që Edi Rama dhe Sali Berisha të thërriten në një ditë e në të njëjtën orë në komision, bile edhe si një ballafaqim mes tyre për drogën në këto vite, e cila ka pushtuar Shqipërinë.

Q.Xhani

SHKARKO APP