Rama ka të blinduar mazhorancën. Asnjë firo edhe sot nga deputetët

Parlamenti miratoi sot vetëm me votat e Partisë Socialiste ligjin për ndalimin e lojërave të fatit si dhe rrëzoi dekretin e Presidentit që kundërshtonte ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Me 75 vota, socialistët i hapën rrugën projektit që ndalon aktivitetin e të gjithë pikave të basteve dhe kazinove pas datës 31 dhjetor 2018.

Votimi i ditës së sotme ishte një test për qeverinë “Rama” dhe PS. Për shkak të interesave, edhe personale, të deputetëve të PS në biznesin e lojërave të fatit, pati zëra për çarje të mazhorancës. Por votimi sot në Kuvend me 75 vota nga 78 që ka gjithsej shumica e PS tregoi se Edi Rama e ka nën kontroll të plotë grupin parlamentar. Në votim pati vetëm disa mungesa të justifikuara nga ministrat që janë në udhëtime jashtë vendit, por sidoqoftë mungesa e tyre nuk kërcënoi mazhorancën e nevojshme për kalimin e ligjit. Me ministrat jashtë shtetit ai bënte fiks 78. Ndërkohë një burim konfidencial, i kohës pariziene të “Koha Jone”, tregoi se kryeministri ka “me bilbil 81 deputetë” në rast se fishkëllen.

Votimi i ligjit ishte një test për kryeministrin Edi Rama, pasi dy vite më parë, ai e pranoi se ligji nuk u zbatua për shkak të qëndrimeve kundër që kishte brenda vet grupit parlamentar socialist. Bindja e gjithë deputetëve të votojnë një projekt që prek direkt biznesin më të madh të lojërave të fatit, tregon se Edi Rama ka nën kontroll deputetët.

Sondazhet e realizuara nga Qeveria tregojnë se për mbylljen e basteve janë dakord 70 përqind e qytetarëve shqiptarë, dhe 90 përqind e grave. Këto shifra që u prezantuan nga Edi Rama në seancë tregojnë edhe arsyen se përse mbylljen e lojërave të fatit Edi Rama. Presioni që Edi Rama u ka bërë deputetëve për të votuar këtë ligj është mbështetur në pritshmëritë që ka opinioni ndaj këtij vendimi. Nëse lojëra e fatit do të mbyllen realisht, kjo do të cilësohet si një fitore personale e kryeministrit dhe si një pikë kryesore e fushatës së ardhshme të Partisë Socialiste.

I vetmi rast ku Edi Rama nuk e bindi dot gjithë grupin e deputetëve dhe ministrave është ai për ligjin e Teatrit Kombëtar. Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, edhe këtë herë, nuk mori pjesë në votim. Më shumë se mosbindje ndaj vendimit të Ramës, qëndrimi i Majkos është personal.

Sot pritej që mazhoranca të kishte rrjedhje votash të paktën për ligjin e lojërave të fatit. Jo si shenjë e mendimit ndryshe në PS, por si reagim i grupeve të interesit të lojërave të fatit.

Kryeministri paska nën kontroll çdo deputet të mazhorancës dhe më kot opozita priste që të krijohej e çara e parë në mazhorancë. Edi Rama ka tashmë nën kontroll absolut mazhorancën parlamentare, qeverinë po se po, drejtësinë po e fut në dorë, biznesin si kone pas vetes, median të lidhur pas zinxhirit të interesave për leje ndërtimi, zona turistike, koncensione,etj.

Para kësaj tabloje të zymtë, çfarë do të bëjë Opozita? Me facebook, Rama, nuk rrëzohet!

 

SHKARKO APP