Rama fillon spastrimin para dekriminalizimit në parlament

 
 
Partia Socialiste votoi dje kërkesën e Prokurorisë për hetimin e deputetit Armando Prenga. Kërkesa e organit të akuzës ka marrë votat e gjithë deputetëve të mazhorancës, duke dhënë sinjalin se nuk do të ketë asnjë mbrojtje politike për deputetët që kanë probleme me ligjin.  Pak para votimit, një tjetër deputet, Arben Noka dhe dorëheqjen si deputet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste me një letër shpjeguese, ku binte në sy pafajësia e “fajit” të tij në Itali . Votimi për Prengën, ndaj të cilit rëndon akuza e Prokurorisë për plagosje dhe dorëheqja e Nokës, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, përsa i përket ngjarjes së Laçit. Por dy deputetët i “bashkon” akuza që Partia Demokratike ka ngritur ndaj tyre. Ndoka edhe pse dikur ka qenë një zyrtar i lartë i qeverisjes së PD-së, është akuzuar gjatë dy viteve të fundit nga PD-ja si i dënuar në Itali. Akuza është hedhur poshtë nga deputeti. Dje në një letër të gjatë e prekëse ai fliste në mënyrë të detajuar për gjithë historinë e dënimit të tij në Itali. Varianti që ai paraqet duket si një nga dhjetëra rastet ku emigrantët shqiptarë kanë qenë viktima të drejtësisë italiane. Arben Noka deklaron se do të merrte vendimin e pafajësisë nga drejtësia italiane. Pavarësisht kësaj, historia e tij ka bërë që të ishte një objektiv qitje me akuza dhe sulme nga ana e Partisë Demokratike. Për këtë arsye, ka zgjedhur të largohet nga jeta aktive në parlament. Dhe me këtë rast ka lehtësuar veten e tij dhe shpirtin nga akuzat e PD-së, e cila para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 e kishte në detyra të larta drejtuese e administrative dhe me anë të deputetit Edi Paloka i patën kërkuar të kandidonte për selinë blu, por ai kaloi me PS. E më pas kaloi një stuhi të madhë akuzash nga PD, të cilën e kishtë mbështetur që në vitet e para familja e tij e përsekutuar. Gjithsesi Arben Ndoka e mbylli historinë e tij me parlamentin, duke ia bërë më të lehtë Edi Ramës spastrimet në parlament.
Vendimi i djeshëm i Nokës, pavarësisht se është personal dhe tregon një gjest maturie, duket se ka qenë i detyruar nga rrethanat. Kryeministri e ka mbrojtur disa herë në publik deputetin Noka, duke deklaruar se çështja e tij është një abuzim i drejtësisë, megjithatë nuk i ka kërkuar dorëheqjen më parë. I gjendur mes sulmeve të përditshme nga ana e mazhorancës, së fundmi dhe rasti i deputetit Prenga duke se e ka bërë të domosdoshme vënien në lëvizje të mazhorancës. Formalisht, Rama ka zgjedhur të bëjë katarsis brenda radhëve të partisë së tij. Sot, selia rozë ka tre deputetë të arrestuar ose nën proces. Tom Doshi u arrestua për akuzat ndaj kreut të Kuvendit. Mark Frroku edhe pse zyrtarisht nuk ishte deputet i PS-së, merrte pjesë rregullisht në mbledhjet e grupit dhe  cilësohej si socialist, bile më shumë se sa socialist. Rasti i fundit i Armando Prengës e bëri dhe më problematike situatën në PS me ligjvënësit që kanë probleme me drejtësinë. Këto zhvillime shpjegojnë edhe vendimin e djeshëm të deputetit Arben Ndoka, i cili nuk do të ketë më strese nga politika.
Nga ana tjetër, Rama po i paraprin edhe një procesi ligjor që herët a vonë do të ndodhë: dekriminalizimit. Partia Demokratike e ka kthyer në kalë beteje çështjen e deputetëve të inkriminuar. Në Kuvend ka propozuar një ligj për largimin e mënjëhershëm të ligjvënësve dhe gjithë zyrtarëve të tjerë që kanë rekorde kriminale. Në rast se një ligj i tillë miratohet, në grupin e PS-së ka dhe emra të tjerë që mund të “pastrohen” nga politika. Për të mos u ndodhur para një situate ku largimet të bëhen në grup, Rama ka zgjedhur ta nisë para se të miratohet ligji, procesin e dekriminalizimit. Pastrimi i butë i grupit të deputetëve i jep mundësi që të kontrollojë edhe pakënaqësitë që mund të lindin nga një proces publik dhe me kosto politike për vetë Partinë Socialiste. Fakti është se gjithë akuzat e PD-së përgjatë dy viteve, të vërteta apo jo, kanë dhënë efekte negative tek mazhoranca. Duke shtuar këtu dhe incidentet që kanë ndodhur me disa deputetë, kostoja që po paguan mazhoranca është më e madhe sesa votat që kanë sjellë për PS-në këta deputetë. Ndaj Rama ka vendosur “t’u japë” duart duke i nxjerrë të paktën formalisht nga Partia Socialiste.
Por Edi Rama ka një përgjegjsi tjetër, atë morale dhe politike. Pse i përzgjodhi nëse e dinte se do të kishte probleme me deputetët? Pse nuk i pyeti ose përse i lejoi të investonin për PS-në? Fjala vjen vetëm Arben Ndoka i ka dhënë PS-së në Lezhë kaq shumë vota, sa sot socialistët do të ishin vetëm me dy deputetë në qark.
Rama është para tabelës që goditjes nga opozita sepse iu bënë disa deputetë me probleme, sipas PD-së, por edhe nga ngjarjet e fundit. Ndaj e mira e punës e do që Rama-Meta-Basha të miratojnë ndryshime në Kushtetutë që asnjë kandidat për deputet nuk mund të rregjistrohet si i tillë nëse ka probleme me ligjin. Dhe jo vetëm për deputetë, por kudo në administratën shtetrore.
 
Kjo duhet bërë një orë e më parë!
 
 
Qamil Xhani

SHKARKO APP