Rama merr 10-të dimërore nga Bashkimi Europian
-Lulzim Basha kritikon qeverinë nga Brukseli pas takimit me Presidentin e PPE-së Joseph Daul.
-Presidenti i KE-së, Juncker: “Jemi shumë të lumtur me këtë që po ndodh në Shqipëri. Nëse bëhet progres i mëtejshëm gjatë 6 muajve në vijim, synoj që ti propozoj këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të BE hapjen e negociatave me Shqipërinë”
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155368608766523/
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155367918331523/
Këtë të martë në Bruksel, në kryeqendrën politike të Bashkimit Europian ishin kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha. Sejcili në takime të ndryshme nga njeri tjetri, ndonëse burimet tregojnë se darkën e kanë ngrënë bashkë një ditë me parë. Kryeministri Rama pati takime me nivelet më të larta të BE. Ishin takime të sukseshme të Ramës me komisioneren e BE, Mogherinin, me Presidentin e Parlamentit Europian Antonion Tajani dhe sidomos me Presidenti i KE-së, Juncker, i cili është njeriu-çelës në Bashkimin Europian dhe shumë njeri i fuqishëm. Zoti Juncker ka fuqi e autoritet edhe mbi kancelaren gjermane Merkel.
Kryeministri Rama, ndonëse u nis me një dozë dyshimi pas këtyre që i ndodhën me ish-ministrin e brendshëm, por në realitet shqiptarët panë live se çfarë thanë liderët e BE për Shqipërinë dhe kryeministrin e vendit. Edi Rama ka një mënyrë fine e elokuente kur flet, aftësi e lindur, të cilën kryeministrat e Ballkanit Perendimor nuk e kanë, ndonëse mund të kenë suksese me tepër se Shqipëria.
“Kur BE ishte në formën e saj më të mirë, ne ishim në formën më të keqe, tani që jemi në formën më të mirë, BE-ja jo se është në formën më të keqe, por po shkon në këtë drejtim. Ndoshta ne kemi një shans për t’u divorcuar përfundimisht me të shkuarën dhe të martohemi me një union të shkëlqyer, i cili na thotë se do të martohemi, por nuk na thotë se kur…”- deklaroi kreu i qeverisë shqiptare, çka e bëri si lider rajonal, pasi kryeministrat e tjerë flisnin si akademikë. Nuk po shtojmë fjalët e komisioneres se BE Mogherini, sepse dihet pika e saj e dobët për kryeministrin Rama, aqsa një analist e kupton se ajo është e dashuruar me Shqipërinë, edhe me Ramën. Kur “dashuritë” i vlejnë vendit le të konsumohen!
Gjithsesi nga sa ç’pritej në Tiranën politike për dajak apo ftohtësi për kryeministrin Rama në Bruksel, realisht ishte atmosferë tjetër. Lavdërime për reformat, sidomos për reformën në drejtësi, etj. Në fjalën e tij Presidenti i KE-së, Juncker tha se Komisioni është i impresionuar nga progresi në Shqipëri.
“Ne si Komision Europian jemi shumë të impresionuar nga progresi që ka bërë Shqipëria në shumë fusha. Lavdërojmë përpjekjet e kryeministrit për të luftuar korrupsionin në mënyrën më të mirë të mundshme, keni bërë një progres domethënës. Jemi shumë të lumtur me këtë që po ndodh në Shqipëri. Nëse bëhet progres i mëtejshëm gjatë 6 muajve në vijim, do ti propozoj Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare të BE, hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por kjo do të varet nga progresi në vijim”, tha Juncker- “Kam qëllim të vizitoj Shqipërinë vitin e ardhshëm. Ia thashë këtë personalisht Ramës, por ai nuk më besoi, por po e them publikisht”, përfundoi Juncker.
Edi Rama ka zhvilluar një takim edhe me zyrtarin e DASH, Hoyt Brian Yee. Në takim ka qenë e pranishme edhe ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin. Po kështu Rama është pritur edhe Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani. Gjatë konferencës për shtyp, Tajani foli për rëndësinë e ecurisë që ka bërë Shqipëria me reformat pozitive dhe për mundësinë e çeljes së negociatave me BE.
Të gjitha në Bruksel dhanë notën 10-të për Shqipërinë. “Studenti” në provim ishte Edi Rama. E mori notën 10-të, por ishte notë provimi dimëror. I duhen edhe 6 muaj për ta marrë këtë notë në librezën e notave vjetore. Ndërkohë kryetari i PD-së Basha takoi Presidentin e PPE-së Joseph Daul si një nga zërat e parë të Europës që denoncoi kriminalizimin dhe fenomenin e kanabizimit të Shqipërisë. Presidenti Daul i garantoi Lulzim Bashës mbështetje të plotë të PPE-së për Partinë Demokratike si alternativë qeverisëse.
A.Mati
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155368371301523/